ITALI- Ministrja e Mbrojtjes Mimi Kodheli, ishte në Itali me ftesë të Qendrës për Studimet e Larta për Mbrojtjen. Ministrja Kodheli, mbajti një leksion me temë, “Situata e Sigurisë në Evropë dhe sfidat e kërcënimet e saj”. Disa prej çështjeve në të cilat ministrja u ndal kishin të bënin me sfidat e reja të sigurisë në kufijtë lindor dhe jugor të aleancës, rruga e Shqipërisë drejt Bashkimit Europian, zgjerimi i aleancës si përgjigje ndaj kërcënimeve dhe roli i Ballkanit në sigurinë Evropiane dhe më gjerë, etj. Në fund të fjalës së saj të pranishmit treguan mjaft interes duke i drejtuar asaj pyetje në lidhje me këto çështje.

“Viti që lamë pas ishte një vit i zi për sigurinë. Dhe kështu ka filluar dhe ky vit. Por historia nuk shkruhet në advancë. Ne mund të parandalojmë një epokë kaosi, nëse kemi vullnetin të bëjmë një gjë të tillë. Ne mund të ruajmë rregullin botëror që na ka shërbyer aq mire, nëse u qëndrojmë fort rregullave dhe mbështesim fort njëri-tjetrin. Pra, gjithçka varet nga ne”, tha Kodheli.

Ajo u ndal në konfliktet aktuale në Ukrainë dhe Lindjen e Mesme dhe ndikimin që kanë këto konflikte në Ballkanin Perëndimor.
“Vendet anëtare të NATO po përballen kohët e fundit me rreziqe që vijnë nga lindja dhe jugu. Ne, vendet anëtare kemi diskutuar, vendosur, planifikuar dhe organizuar të gjitha masat e nevojshme në lidhje me rreziqet e reja që vijnë nga Rusia dhe xhihadistët. Por në këto konflikte të reja, ne nuk duhet të harrojmë rajonet të cilat mund të preken lehtësisht nga trazirat ndërkombëtare, si pasojë e paqëndrueshmërisë dhe cenueshmërisë së tyre. Ballkani Perëndimor është një prej tyre, relativisht larg nga Rusia dhe Lindja e Mesme, por i ndikuar plotësisht nga paraja dhe ideologjia e Moskës dhe fundamentalizmit”, u shpreh ministrja e mbrojtjes.

Sipas saj, “rruga e Ballkanit Perëndimor drejt BE është më e ndërlikuar përfshi dhe Shqipërinë”. “Dyshimet politike dhe kufizimet ekonomike po dobësojnë ëndrrën e integrimit. Por në këto kohë konfliktesh, ne të gjithë biem dakord që konflikte të tjera mund të parandalohen lehtësisht nga procesi i integrimit. Me rritjen e nacionalizmit në Evropë, Rusia ka pasur një projekt të qartë dhe konkret për Ballkanin, duke përcaktuar shumë mirë çështjet e influencës, të bazuara në besimin fetar dhe prejardhjen racore. Për dy shekuj, pavarësisht regjimeve udhëheqëse në Rusi ose shteteve të reja të Ballkanit, politika ka qenë e njëjtë. Rajoni ynë është parë gjithmonë si një shtojcë e ekspansionit të Rusisë kundrejt Mesdheut. Ëndrrat e civilizimit perëndimor të Ballkanit nuk janë pranuar kurrë nga Rusia”, tha ajo.

Kodheli u ndal gjerësisht tek ndikimi rus në Ballkan, ndërkohë që sipas saj perëndimin po kalon kohë të vështira.
“Në lidhje më politikën e jashtme ka forca politike në shumë vende të rajonit që e shohin mënyrën e të menduarit të Rusisë si alternativa më e mirë për të ardhmen e vendeve të tyre. Në disa vende, parti politike të tilla duken qesharake, por diku gjetkë, në zemër të Ballkanit, ato përfaqësojnë një pjesë të rëndësishme të popullatës. Për më tepër, numri i këtyre njerëzve nga Ballkani që marrin pjesë në luftën hibride ruse është i dukshëm dhe shqetësues”, tha Ministrja e Mbrojtjes.

Ajo deklaroi se stërvitja e përbashkët që Rusia ka bërë në muajin nëntor të vitit të kaluar në një vend të rajonit, përbën një shqetësim që mund të shkaktojë debat. “Unë nuk mund të shpërfill disa fakte të kohëve të fundit. Shfaqja për vizitën e presidentit Putin në disa kryeqytete tërajonit, investimet qindra milionë dollarësh dhe së fundmi stërvitjet e përbashkëta, të mbajtura në nëntor, 2014, në afërsi të kufirit kroat (një aleat i NATO) dhe kosovar (që Rusia është përpjekur ta përfshijë në rastin e paligjshëm të aneksimit të Krimesë), në pikëpamjen time dhe duke pasur parasysh ambientin aktual të sigurisë, përbëjnë një shqetësim që mund të shkaktojnë një debat të madh”, tha Kodheli.

Ajo tha se “nga ana tjetër, xhihadistët kërkojnë terren të përshtatshëm në Evropë. Sulmet terroriste të disa javëve më parë në France dhe Danimarkë, dhe parandalimi i akteve të mundshme terroriste në Belgjike e gjetkë, janë kambana alarmi për rrezikun që i kanoset sot qytetërimit modern nga forcat e errësirës”.
“Uroj që BE do t’i qëndrojë besnik “perspektivës evropiane” që i ka premtuar rajonit”, tha ajo, duke përdorur të njëjtin argument edhe për NATO-n. Kodheli shtoi se rruga e NATO-s është më e qartë por nuk duhet të harrojë që forcat e errëta që vijnë nga Lindja do të donin t’i ngulnin thikën pas shpine Aleancës. “Pika më e dobët është afër nesh, diku midis Shqipërisë, Kroacisë, Hungarisë dhe Bullgarisë, të gjitha vende anëtare të NATO që ndajnë kufij me vende joanëtare të NATO-s”, tha ministrja.

“Unë besoj në mënyrë të palëkundur që duke integruar këtë zonë gri të Evropës në komunitetin Euroatlantik ne do ta bëjmë Aleancën tonë një grup më të mirë vendesh me vlera të përbashkëta, për mbrojtjen kolektive. Ne të gjithë ndajmë të njëjtat vlera europiane dhe kemi të njëjtat objektiva për të ardhmen. Me më shumë vullnet politik, konfliktet e lindjes dhe të jugut, do të qëndrojnë larg Ballkanit. Shqipëria, Forcat tona të Armatosura, si përherë, do të jenë pjesëmarrese dhe kontribuuese aktive e Aleancës. Në të gjithë këto pasiguri, duke pasur parasysh krizat aktuale, ne duhet të kujtohemi që paqja dhe stabiliteti në rajonin tonë, nuk mund të merren si të mirëqena. Historia na ka mësuar se teksa bota ndryshon, NATO, BE dhe i gjithë komuniteti ndërkombëtar ka nevojë të ndryshojë. Duhet të jetë i aftë të reagojë shpejt jo vetëm politikisht, por të ketë gjithashtu kapacitetin e duhur dhe të nevojshëm”, përfundoi Kodheli.

 

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: