FIER- Në kuadër të punës sensibilizuese që po bën Ministria e Mbrojtjes dhe Shtabi i Përgjithshëm për të mbajtur të ngritur fushatën e rekrutimit për ushtarë/detar aktiv në FA, ministrja e Mbrojtjes, Mimi Kodheli, zhvilloi një takim me nxënës të gjimnazit “Janaq Kilica” në qytetin e Fierit.

Duke marrë fjalën në këtë takim, ministrja Kodheli theksoi se, më vjen mirë që sot gjendem në një gjimnaz, i cili ka një emër të qenësishëm në historinë e suksesit të gjimnazeve të Shqipërisë. Këtë e them sepse vetë nuk e kam pasur fare për mburrje të them që kam mbaruar financë në Fakultetin e Ekonomisë, por e kam pasur për mburrje të them që kam mbaruar gjimnazin “Sami Frashëri” në Tiranë, sepse, të paktën gjatë kohës që unë shkoja në këtë gjimnaz, ishte në top listën e gjimnazeve më të mirë. Kjo është shumë e rëndësishme për formimin tuaj, po aq sa është e rëndësishme edhe për të ardhmen tuaj.

Duke folur për përzgjedhjen e rrugës së studimeve, Dministrja Kodheli i tha nxënësve: “Sot rrugët janë të mëdha dhe të shumta për të bërë përzgjedhjen e duhur. Unë besoj se për ju mjafton vetëm vullneti i mirë, dëshira, pasioni, pa të cilat nuk do mund të bënit dot as edhe një gjë kudo që të jeni. Ka mjaft shembuj të mirë dhe të këqij në shoqërinë shqiptare sot se si mund të bëhesh. Nuk po ju përmend shembujt e këqij, por dua të përmend të mirët. Bëhesh i mirë duke punuar shumë, duke mësuar fort, duke respektuar institucione dhe kur them institucionet, institucion është mësuesi, është shkolla, është shoqëria, institucion është famija, janë prindërit. Por sigurisht që kërkon edhe pasion, kërkon edhe fantazi, kërkon edhe fat. Edhe me këtë takim krejt modest që ne jemi duke bërë bashkërisht, ju jepet një shans, shumë intrigues do të thosha, siç është të qenit pjesë e FA. Një botë në shumicën e rasteve e paeksploruar prej jush. Mund të ketë ndonjë ide ndonjëri nga ju që ka ndonjë prind oficer dhe kaq. Ndonjëherë shikoni FA që janë prezent në emergjencat civile dhe ndonjëherë në ndonjë fjalim ministri dëgjoni që Shqipëria vend në NATO, Ministeriali i NATO-s dhe kaq”.

Më tej, ministrja Kodheli u tha nxënësve se ju jeni në një moment deçiziv për jetën tuaj, për të vendosur për të ardhmen tuaj, sigurisht duke u konsultuar me prindërit. Në këtë kuadër ajo i ftoi ata që të bëhen pjesë e FARSH. “Ka shumë arsye pse ju mund të jeni dhe pse duhet të jeni në FA. Ka mundësi punësimi, mundësi të jashtëzakonshme për tu edukuar, trajnuar, studiuar edhe jashtë vendit. Por pse jo ta vini veten në provë, ta mbani trupin në formë, e rëndësishme shumë kjo. Do të keni shanse e mundësi për të lëvizur në botën e madhe që na rrethon, që jo domosdoshmërisht ka perceptimin e duhur nga celulari ku e perceptojmë ne. Duhet ta jetosh një gjë dhe shpeshherë është ndryshe nga çe shikon. Kështu është edhe me FA. Po ta jetoni brenda, do ta kuptoni që është një botë e veçantë, por e jashtëzakonshme, e jashtëzakonshme. Dhe do të ndiheni më shumë se sa krenarë që do t’i shërbeni atdheut, një fjalë shumë e madhe, por shumë e rëndësishme. Sepse duke i shërbyer atdheut do të mund t’i shërbeni vetes, familjeve tuaja, ato që do lini dhe ato që do krijoni dhe të ardhmes”, u shpreh ministrja Kodheli.

Në fund të fjalës së saj zonja Kodheli, në cilësinë e ministres së Mbrojtjes, por edhe si nënë dhe si ish-mësuese, i bëri thirrje maturantëve të këtij gjimnazi që ta mendojnë dhe diskutojnë seriozisht shansin për tu rekrutuar këtë vit në FA, pasi të kenë përfunduar provimet e maturës. Me këtë rast ajo i uroi atyre që ta dalin sa më mirë në provime dhe suksese kudo që të kenë dëshirë për të vazhduar studimet. Më pas, ministrja Kodheli, e shoqëruar nga shefi i Shtabit të Përgjithshëm, gjeneralmajor Jeronim Bazo, zv.ministri i Mbrojtjes, Petro Koçi, kryetari i Bashkisë së Fierit, Armando Subashi, deputetja e zonës dhe drejtoresha e gjimanzit, takoi dhe bisedoi nga afër me nxënësit e këtij gjimnazi.
(ed.me/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: