TETOVE – Ministrja e Mbrojtjes, Mimi Kodheli gjatë vizitës së saj në Maqedoni u ndal sot në Tetovë, ku takoi kreun e PDSH-së, Menduh Thaçi. Ministrja Kodheli e njohu Thaçin me diskutimet që zhvilloi me krerët më të lartë maqedonas, me të cilët theksoi nevojën e implementimit të drejtë dhe të menjëhershëm të Marrëveshjes së Ohrit.
Kodheli dhe Thaçi diskutuan gjithashtu edhe lidhur me arsimimin e shqiptarëve në tërësi dhe pjesëmarrjen e angazhimin e femrës shqiptare në veçanti, në të gjithë aktivitetet dhe strukturat vendimmarrëse në vend.
Ministrja Kodheli kërkoi që shqiptarët e Maqedonisë të jenë më të bashkuar dhe të përkrahin njëri-tjetrin. “Vetëm bashkimi real i faktorit shqiptar në Maqedoni do të rrisë forcën e përfaqësimit dhe do të garantojë më shumë qytetarët e thjeshtë në të drejtat dhe liritë e tyre kushtetuese”, – theksoi Kodheli.
Ministrja e Mbrojtjes tha se duhet punuar më shumë në këtë drejtim, ashtu siç shpresoj-vijoi ajo -se përpjekjet tuaja edhe në nivel institucional do të jenë garante të barazisë së trajtimit të shqiptarëve.
Bashkëbiseduesit vlerësuan se integrimet euro-atlantike të vendit dhe rajonit janë me interes të veçantë për shqiptarët. Ministrja e Mbrojtjes Mimi Kodheli vizitoi në shtëpinë e tij kryetarin e BDI-së Ali Ahmeti.
(er.nu/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: