Kodi i Ri Ajror është publikuar së fundmi në Fletoren Zyrtare dhe pritet të hyjë në fuqi brenda muajit gusht, duke sjellë kështu një sërë risish sa u takon subjekteve që operojnë në fushën e transportit ajror, si dhe për pasagjerët. Ky kod ka pësuar ndryshime në një pjesë të madhe të neneve të tij, pas përmirësimeve që iu bën pak kohë më parë, me fokus më të zgjeruar tek pasagjerët dhe kompensimi i tyre. Por cilat janë ndryshimet që janë bërë në kodin e ri.

Së pari, me ndryshimet bëhet rregullimi ligjor i përdorimit të hapësirës ajrore shqiptare dhe të marrëdhënieve juridike në fushën e aviacionit civil.

Së dyti, bëhet rregullimi i veprimtarisë së avionëve civilë të regjistruar në Republikën e Shqipërisë, të avionëve për të cilët Republika e Shqipërisë merr përgjegjësi sipas dispozitave të këtij Kodi, në përputhje me nenin 83 bis të Konventës së Çikagos, dhe të avionëve të regjistruar në një shtet tjetër, por që operojnë me licencën e operimit të lëshuar nga autoriteti kompetent licencues i Republikës së Shqipërisë.

Së treti, sjell në vëmendje organizimin e hapësirës ajrore dhe përdorimin fleksibël të saj, duke sqaruar konceptin e këtij përdorimi. “Koncepti i përdorimit fleksibël të hapësirës ajrore do të zbatohet në tri nivele të menaxhimit të hapësirës ajrore (strategjik, pretaktik dhe taktik). Për koordinimin e veprimeve brenda fushëveprimit të kompetencave të tyre, lidhur me përdorimin e hapësirës ajrore dhe kontrollin e zonave të sigurisë rreth aeroporteve civile, krijohet komiteti për përdorimin fleksibël të hapësirës ajrore shqiptare, me përfaqësues të Ministrisë përgjegjëse për Transportin dhe të ministrisë përgjegjëse për Mbrojtjen” do të sqarohej më herët gjatë diskutimeve të Kodit në Parlament.

Lidhur me operimet në transportin ajror janë shtuar disa dispozita për disa kategori të caktuara operimi lidhur me shërbimet ajrore të programuara, jo të programuara, fluturimet sportive, fluturimet për qëllime private, punët ajrore. Në lidhje me certifikatën e operatorit ajror, kodi i ri përcakton se lëshimi bëhet nga Autoriteti i Aviacionit Civil.

Në nenin 29 “Çmimet dhe tarifat”, në përputhje me rregulloren përkatëse europiane (1008/2008) përcaktohet që transportuesit ajrorë të caktojnë lirisht çmimet e tarifat e shërbimeve ajrore dhe, mbi bazën e reciprocitetit, të zbatojnë dispozitat përkatëse të marrëveshjeve dypalëshe dhe marrëveshjes shumëpalëshe. Këto parashikime më shumë saktësojnë ato që janë në ligjin ekzistues. Në këtë kapitull janë vendosur disa parashikime bazë për fluturimet sportive, punët ajrore apo fluturimet private, të cilat në ligjin në fuqi nuk trajtohen.

Sa i takon kapitullit “Përgjegjësia dhe të drejtat e pasagjerëve”. Dispozitat e këtij kapitulli të ndarë në gjashtë nënkapituj janë të njëjta me ato të ligjit aktual, është shtuar neni 154 “Sigurimi për pasagjerët, bagazhet dhe ngarkesën”, për të bërë më të qartë nenet e tjera që lidhen me sigurimin e detyruar. Ky nen saktëson shumën minimale të mbulimit të sigurimit për përgjegjësinë ndaj pasagjerëve, bagazheve dhe të ngarkesës, kjo edhe sipas rregullores 785/2004 për sigurimin e detyrueshëm.

Tek kapitulli “Kundërvajtjet dhe gjobat” (neni 160-162) përcaktohen konkretisht ato shkelje, të cilat përbëjnë kundërvajtje administrative dhe masa e gjobës që variojnë nga 500 000 (pesëqind mijë) lekë deri në 2 000 000 (dy milionë) lekë për subjektet dhe deri në 200 000 lekë për individët. Ndryshimi nga ligji në fuqi konsiston në rritjen e vlerës maksimale të gjobës, e cila është dyfishuar, si dhe shoqërimit të këtyre gjobave edhe me sanksione në pezullimin ose revokimin e licencës, certifikatës apo të dëshmisë përkatëse./monitor

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: