Lideri i Partisë Demokratike, Lulzim Basha ka zbardhur takimin që zhvilloi sot me Komisionerin Europian për Zgjerimin Oliver Varhelyi. Përmes një mesazhi në rrjetet sociale kryeopozitari thekson se e informoi Varhelyin për situatën e vështirë ekonomike dhe korrupsionin që sipas tij po i varfëron gjithnjë e më shumë shqiptarët.

Mes të tjerash Basha tregon se i ka bërë të ditur zotit Varhelyi se reforma zgjedhore është ndryshuar dhe miratuar në mënyrë të njëanshme, në shkelje të Kushtetutës.

MESAZHI I BASHËS
Pata kënaqësinë të pres sot Komisionerin Europian për Zgjerimin Oliver Varhelyi. Pasi e falenderova për ndihmën e jashtëzakonshme që BE i ka dhënë Shqipërisë për përballimin e pasojave të tërmetit dhe të pandemisë e informova për situatën tejet të vështirë ekonomike dhe korrupsionin që po i varfëron gjithnjë e më shumë shqiptarët dhe po mban larg investitorët e huaj. Në këtë situatë të vështirë ndihma e BE-së është jetike për të rritur mirëqenien dhe mbështetur sipërmarrjen.
Me Komisionerin e Zgjerimit diskutuam dhe për reformën zgjedhore të miratuar në mënyrë të njëanshme dhe që shembi themelet mbi të cilat u arrit marrëveshja e 5 qershorit. Gjatë bisedës i bëra të ditur zotit Varhelyi se reforma zgjedhore është ndryshuar dhe miratuar në mënyrë të njëanshme, në shkelje të Kushtetutës. PS duke e ditur se ndryshimet janë në kundërshtim me praktikat e mira të zgjedhjeve refuzoi marrjen e mendimit të OSBE/ODHIR. Për herë të parë në Shqipëri u shkelën praktikat konsensuale mbi të cilat janë kryer reformat zgjedhore deri më sot. Ky akt cënon rëndë standardin e zgjedhjeve, të cilat janë kusht i rëndësishëm për të ardhmen dhe integrimin e vendit.
E sigurova Komisionierin Varhelyi se për Partinë Demokratike dhe Opozitën e Bashkuar mbetet prioritet integrimi europian i Shqipërisë dhe krijimi i mundësive për shqiptarët që të jetojnë si europianë në vendin e tyre.
(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb