Ka nisur sot mbledhja e Komisionit të Ligjeve, ku kryefjalë e diskutimit janë listat e hapura dhe koalicionet parazgjedhore. Në këtë mbledhje po diskutohen nen për nen propozimet për projektligjin për Kodin Zgjedhor, ndërkohë që ka pasur qëndrime të ndryshme nga palët.

Gjatë fjalës së tij përfaqësuesi i maxhorancës, Damian Gjiknuri deklaroi se konsultimet për Kodin Zgjedhor do të vijojnë dhe në Këshillin Politik. Mes të tjerash Gjiknuri u ndal dhe tek opozita jashtëparlamentare, që sipas tij është ndalur shumë tek çështja e koalicioneve parazgjedhore, që sipas tij është një debat i vështirë për të gjetur kompromis.

“Opozita jashtëparlamentare ka ngritur vetëm një çështje; çështjen e koalicioneve. Ai debat duhet të vijojë këtu. Por është e vështirë për t’u gjetur një kompromis. Për çështjen e listave të hapura ata nuk kanë shprehur akoma, por të gjitha argumentet përqendrohen tek çështja e koalicionit. Koalicioni tashmë është i lejueshëm. Nuk e ndërpret dhe procesin tjetër në Këshillin Politik.”, tha Gjiknuri.

Nga ana tjetër, deputeti i opozitës, Myslim Murrizi kërkoi që drafti i propozuar në janar të tërhiqej, pasi u kërkua sistem proporcional kombëtar. Tashmë sipas tij ky sistem nuk qëndron dhe është i pamundur. “Kërkoj që të tërhiqet drafti i propozuar në janar për kodin zgjedhor. Tashmë proporcionali kombëtar është i pamundur”- tha Murrizi.

Ndërkohë, deputetja Rudina Hajdari iu bëri thirrje kolegëve të saj opozitarë që të bojkotojnë mbledhjen e komisionit. Hajdari parashtroi kërkesën që diskutimet të vijojnë në Këshillin Politik. Kjo kërkesë nuk është mbështetur nga Gjiknuri, i cili tha se; Nuk ka pse ‘Komisioni i Ligjeve’ të ndërpresë mbledhjet.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: