Kryetari i Komisionit të Ligjeve, Ulsi Manja i ftuar në rubrikën “Opinion” në studion e lajmeve në News 24 sqaroi “listat e hapura” që janë pjesë e draftit që propozon PS për ndryshimet kushtetuese të Kodit Zgjedhor.

Sipas Manjës, pavarësisht se në draftin e PS-së, saktësohet se në renditjen e kandidatëve fitues në zgjehdjet parlamentare rol primar do të ketë renditja e tyre nga Partia, kjo nuk i bën listat e mbyllura. Sipas tij, një kandidat që kalon pragun e votave të mbledhura, mund ta spostojë listën e kryetarit, pasi m\ka mbështetjen e qytetarëve dhe të zgjidhet deputet.

Manja shtoi se me ndryshimet kushtetuese sistemi zgjedhor mbetet proporcional rajonal, pra nuk është prekur, e reja është hapja e listave, dhënia e votës parapëlqyese nga qytetarët dhe respektimi i barazisë gjinore. Ky draft sipas tij, reflekton parmet kushtetuese të miratuara më 30 korrik.

“Ndryshimet Kushtetuese nuk ishin të njëanshme, shumica për të bërë ndryshimet duhet të kishte 94 vota, dihet që morëm mbi 106 vota. Hapja e listave tani është e parashikuar në kushtetutë, askush nuk mund t’i mbyllë më listat, po respektohet pragu zgjedhor dhe kuotat gjinore si dhe është rregulluar çështja e koalicioneve. Është e vërtetë që renditja fillestare e kandidatëve bëhet nga kryetari, por kjo nuk i bën listat të mbyllura, pasi votimit parapëlqyes i nënshtrohet 100% e kandidatëve. Pra po marrim Tiranën, të gjithë kandidatët në listë sipas rendit numerik i nënshtrohen votës së qytetarëve. Pastaj ka një formulë të shpërndarjes së votës pas zgjedhjeve. Në zgjedhje do të mund të konkurojnë parti politike dhe kandidatë të pavarur. Listën e kandidatëve pas ndryshimeve kushtetuese të 2008 e hartojnë strukturat e Partisë, pra që bën një renditje të kandidatëve nga 1 te 34 mandate. Partia thotë psh: unë si PS vij me këtë ofertë dhe këtë renditje kandidatësh. Kjo është preferenca ime si parti. Tani pas përfundimit të procesit të gjithë kandidatët i nënshtrohen votës parapëlqyese. Pra, nëse qytetarët nuk janë të kënaqur nëpërmjet votës, bëjnë një ri renditje të listës. Nëse PS merr X mandate, kandidati për t’u bërë fitues duhet të marrë 10 mijë vota dhe kështu sposton listën e kryetarit. Nëse je kandidat potencial ti do të duhet ta kalosh pragun e votave që i takon një partie për një mandat. Nëse s’ke nevojë për siglen e një partie merr vota si individ”,- tha Manja.

Sipas tij, pragu zgjedhor varet nga pjesëmarrja në votimie dhe numri i votave që merr subjekti politik.

“Mund të ndodhë që zgjedhësit e përmbysin renditjen që ka bërë partia. Ky është një sitem që aplikohet për herë të parë, nuk mund të thuash që sot lista është e mbyllur. Këtu hapet një garë e ndershme”,- shtoi Maja.

Ai po ashtu shtoi se presin edhe propozime konkrete nga opozita, ndërsa shtoi se “vijat e kuqe” tashmë i ka përcaktuar kushtetuta.

“Hapja e listave e bën interesante garën edhe brenda një subjekti. Kjo listë i nënshtrohet votës parapëlqyese të qytetarëve por edhe kandidatët janë të supermotivuar që të grumbullojnë vota personale, ndaj merret oferta e partisë dhe kredencialet e kandidatit që thotë se do të jetë i aftë të mbledhë vota”,- tha ai.

(m.a/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb