TIRANË

I pranishëm në aktivitetin e ministrisë së Bujqësisë “Garanci Sovrane në dispozicion të fermerëve për të financuar kolateralin e kredive të bujqësisë”, kryeministri Edi Rama u shpreh cdo ditë ata që janë të angazhuar në prodhimin bujqësor të mendojnë me sytë nga e ardhmja.

Ndër të tjera, kreu i qeverisë komentoi edhe protestat e fermerëve, ndërsa tha se koha e shtetit shpëtimtar ka vdekur bashkë me komunizmin, ku shteti u bë pengmarrësi dhe burgosësi i kudondodhur i ëndrrave të tyre.

“Shteti nuk shpëtimtari, është mbështetës dhe garant në aspektet që lidhen në lirinë e konkurencës dhe aksesit në financa. Shpëtimtarët e të ardhmes janë ata që kanë bërë sot historitë e suksesit.” u shpreh Rama.

Pjesë nga fjala:
“Sot është me shumë rëndësi që jemi këtu dhe që nga drejtime të ndryshme, jo vetëm nga qeveria por edhe partnerët jepet një mesazh domethënës për gjithë sektorin e bujqësisë, duke insistuar në mesazhin se është koha që cdo ditë ata që janë të angazhuar në prodhimin bujqësor të mendojnë me sytë nga e ardhmja.

është koha që të gjithë të vetëndërgjegjësohen se koha e lëmoshës, subvencioneve pa kriter ka perënduar, ashtu sikundër ka perënduar edhe koha e bujqësisë vetmitare.

Për këtë arsye, unë dua ti bashkohem parafolësve për t’i thënë atyre që sot me gjasë na ndjekin, nga ana jonë do të jetë gjithmonë e më këmbëngulës që në sektorin e bujqësisë, është e domosdoshme që të shikohet e ardhmja me syrin e inovacionit, sinergjive të reja, sipërmarrjes e cila beson tek investimi i kapitaleve dhe te ndërveprimi me bankat. Bashkë me BERZH ne alokuam 180 mln euro për të ndihmuar sektorë jetikë, si bujqësia dhe turizmi duke lehtësuar financimin e tyre.

Ajo që kemi sot para syve nuk është një arsye për të qenë plotësisht të kënaqur, por për të qenë të bindur se kjo është rruga. janë 6 mijë përfitues nga fondi i garancisë, mbetet ende në dispozicion një pjesë e konsiderueshme e fondit, ashtu sic vihet në dispozicion një fond nga garancia sovrane. Jam shumë i bindur që sot Shqipëria i ka të gjitha shembujt e nevojshmë për të demostruar me vepra se cila është rruga e të ardhmes në këtë sektor.

Na takon ne që të investohet seriozisht për t’i promovuar këta shembuj, për të treguar që suksesi është i mundur, fitimi i konsiderueshëm është i mundur, rruga e të ardhmes është e mundur, për ata që janë në kushte që duke u bashkuar të prodhojnë dhe eksportojnë. Pjesa që i përket një historie prodhimesh të mbjella kuturu, për të dalë nëpër tezga i përket të shkuarës dhe prodhimet e kësaj natyre janë të destinuara të mbeten pa shitur, të hidhen nëpër lumenj, të dalin nëpër udhëkryqe për të bllokuar rrugët dhe të presin me idenë që shteti duhet të vijë edhe të bëjë shpëtimtarin.

Koha e shtetit shpëtimtar ka vdekur bashkë me komunizmin, ku shteti u bë pengmarrësi dhe burgosësi i kudondodhur i ëndrrave të tyre. Shteti nuk shpëtimatri, është mbështetës dhe garant në aspektet që lidhen në lirinë e konkurencës dhe aksesit në financa. Shpëtimtarët e të ardhmes janë ata që kanë bërë sot historitë e suksesit.” u shpreh Rama.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb