NGA ANDI TEPELENA
Ky shkrim merr shkas nga gjendja alarmante financiare në të cilën ndodhen institucionet kryesore të artit dhe kulturës. Dhe kjo po ndodh pikërisht përpara sezonit veror, kur këto institucione duhet të presin turistët e huaj. Ditët e fundit, dy nga institucionet më kryesore: Muzeu Historik Kombëtar dhe Galeria Kombëtare e Arteve, kanë dhënë kambanën e alarmit në drejtim. Në prononcime publike, drejtori i Muzeut Historik Kombëtar, z. Labi shprehet se gjendja ka arritur deri aty sa Muzeu Kombëtar do të jetë hapur deri në muajin gusht, për shkak të buxhetit të paktë. Ndërsa në një intervistë, bashkëpunëtori i Galerisë Kombëtare të Arteve, kuratori holandez Vinsent Van Gerven Oei lëshoi një deklaratë-bombë, se fondi i Galerinë Kombëtare të Arteve ka nevojë për ndërhyrje urgjente ruajtjeje dhe restaurimi, pasi situata e një nga pasurive kombëtare më të vyera të shtetit shqiptar është në gjendje tejet të degraduar. Ku t’i kërkojmë rrënjët e kësaj situate, te kriza ekonomike e tejzgjatur, e cila ka prekur sektorin e kulturës më shumë se çdo sektor tjetër, apo te mungesa e vullnetit politik për të kaluar shifrën prej 0,5% të buxhetit për kulturën? Po vallë, vetë këto institucione, duke filluar nga Ministria e Kulturës, e cila financon këto institucione nëpërmjet Ministrisë së Financës, çfarë po bëjnë për ta kapërcyer këtë situatë? Për të mos thënë për opinionin publik, i cili është pothuajse joekzistent ndaj këtij problemi dhe nuk bën presionin e duhur për të rregulluar gjendjen.

Muzeumet kanë si mision kryesor ruajtjen e kujtesës historike të një populli dhe promovimin e identitetit kulturor. Si mund të tregojmë vallë respekt për to nëse nuk arrijmë të sigurojmë kushte dinjitoze për institucionet kombëtare të kulturës, kur perceptimi i përgjithshëm për muzetë në Shqipëri është që vjen era myk?! Si mund të flasim për muzeume bashkëkohore nëse mungojnë kushtet optimale të ruajtjes së veprave të artit, parametrat e duhur të ekspozimit, përdorimi i teknologjisë dixhitale, ciceronët etj.?! Ngjarjet e fundit në Muzeun Historik apo Galerinë Kombëtare të Arteve nxjerrin në pah problemet e mprehta financiare me të cilat ato përballen. Buxheti për shpenzimet utilitare nuk u siguron, nuk u mjafton as për shpenzimet më bazike, si ujë, energji, telefon, mirëmbajtje, shërbime pastrimi, fletëpalosje etj.
Në këto kushte, rrezikojnë realisht mbylljen. Alternativa për rigjallërimin e tyre është një dhe vetëm një: dhënia e një autonomie të plotë financiare institucioneve kombëtare të kulturës, duke i lejuar të mbajnë të paktën në masën 90% të ardhurat nga biletat, si dhe krijimin e shërbimeve dytësore që do të gjeneronin ekonomi, si për shembull bar-restorante, shfrytëzimi efektiv i hapësirave ekspozitive duke i dhënë me qira me çmime të diferencuara, qarkullimi i veprave të artit brenda territorit shqiptar dhe jashtë saj kundrejt një qiraje pagese. Rritja e likuiditetit nga këto shërbime do t’u jepte mundësi këtyre institucioneve të mbanin veten dhe të merrnin pjesë në programet financiare mbështetëse të Bashkimit Europian. Aktualisht, ligji i detyron t’ua kthejnë 100% të ardhurat nga biletat Ministrisë së Financave, e cila më pas ia ndryshon destinacionin sipas prioriteteve të veta, apo të mbajnë vetëm 30% të të ardhurave dytësore. Kjo i ka rrënjët në trashëgiminë e një mentaliteti të së shkuarës ku kultura, mbase më shumë se çdo sektor tjetër i ekonomisë shqiptare, vazhdon të jetë e centralizuar në aspektin ekonomik financiar.

Institucionet kombëtare të kulturës kanë mision publik, por në aspektin e menaxhimit duhet të konceptohen si ndërmarrje dinamike që e bazojnë punën e tyre në ligjet ekonomike financiare dhe parimet e kërkesës dhe ofertës kulturore. Këto institucione kanë nevojë për investime vendase dhe të huaja, në mënyrë që të bëhen pjesë e rrjeteve të muzeumeve të rëndësishme në botë, duke u paraqitur konkurrues në tregun kulturor global. Por për ta arritur nevojitet të bëhet një revolucion në aspektin legjislativ dhe menaxherial, të përmirësojnë infrastrukturën, të rrisin standardin e ruajtjes së veprave, ekspozimin në gjendje optimale, përdorimin e teknologjisë dixhitale, të modernizojnë shërbimet për vizitorët, të bëhen atraktivë për turistët e huaj.

U mbetet politikëbërësve të tregojnë vullnetin politik për të bërë reforma ligjore dhe fiskale në këtë sektor. Shteti mund të bëjë një ligj ku kompanitë private që fitojnë koncesione dhe tendera nga paratë publike, t’ia kthejnë “nderin” publikut, duke destinuar nga 5-7% të shumës së kontraktuar në një fond të veçantë për institucionet kulturore kombëtare (Muzeu Kombëtar, Biblioteka Kombëtare, Teatri i Operës dhe Baletit, Galeria Kombëtare, Teatri Kombëtar etj.). Ka ardhur momenti që bashkitë të kenë zë të veçantë për kulturën, i cili do të përdorej për administrimin dhe menaxhimin e institucioneve kulturore në territorin e vet. Forcimi i vokacionit kulturor turistik të qyteteve tona vjen nëpërmjet reformimit të tërë sektorit të kulturës, duke u dhënë autonomi të plotë financiare bashkive për kulturën, por për këtë do të flas në një shkrim të veçantë.

Fokusi i këtij shkrimi ishte nxjerrja në pah e gjendjes alarmante financiare në të cilën ndodhen dy nga institucionet kombëtare të kulturës, Muzeu Historik dhe Galeria Kombëtare e Arteve, dhe rëndësia e dhënies së autonomisë financiare këtyre institucioneve për t’i nxjerrë nga kriza e thellë në të cilën ndodhen.
Koha nuk pret. Fjalët duhet të pasohen nga veprat.
* Menaxher dhe kurator arti

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: