TIRANË

Kryeministri Edi Rama përmendi sot nga foltorja e parlamentit disa nga prioritetet e sesionit të ri. Ai tha se është koha që të shtyjmë përpara dhe draftin e ligjit për Presidentin e Republikës.

“Është një draft i shfaqur dhe zhdukur shumë herë në skenën e debatit publik madje dhe në diskutimin e brendshme të palëve në parlament. Mendoj se ka ardhur koha të ketë një ligj për Presidentin e Republikës. Ka dhe këtu eksperienca plot që nuk ka nevojë t’i shpikim, mjafton t’i marrim, t’i studiojmë, analizojë për të pasur një ligj për Presidentin e Republikës që është sa i nevojshëm aq dhe i munguar në gjithë këto vite”, deklaroi Rama.

Projektbuxheti ishte një tjetër temë me rëndësi në fjalën e kryeministrit, ku folur sërish për rritjen e pagave të mësuesve dhe mjekëve.

“Pika tjetër e rëndësishme që besoj duhet të meritojë vëmendje nga parlamenti në mënyrë specifike dhe këtë vit, është projektbuxheti i ri, ku të mund të adresojmë shumëçka nga ato tema që faktikisht adresohen shpesh por shpesh herë në mënyrë spekulative dhe propagandistike dhe jo faktike. Shoh nevojën për të adresuar pagat e mjekëve dhe pagat e mësuesve. Janë dy kategori që në këtë fazë të zhvillimeve të vendit dhe të jetës sonë kanë një rol ekstra për shkak të vështirësive plus që ka krijuar pandemia. Besoj se ne i kemi mundësitë që për mjekët të bëjmë një rritje pagash si asnjëherë në këto 30 vjet, duke iu qëndruar pranë dhe përmes kësaj page një vlerësim legjitim për ta dhe një respekt absolutisht të merituar për ta. Po ashtu dhe për mësuesit si një kategori që në këtë vit shkollor do përballet me një vështirësi ekstra, të jashtëzakonshme duke bërë dy punë, punën e mësuesit dhe punën ekstra për mbrojtjen e shëndetit të të gjithëve bashkë sepse është e vërtetë që fëmijët nuk janë pjesa më vulnerabël por është kaq e vërtetë që fëmijët janë transmetues. Çuarja në shkollë e rrit në mënyrë eksponenciale ekspozimin e të gjithëve ne”, theksoi Rama.

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb