“Askush nuk mendonte se do qëndronte në karantinë për një kohë të gjatë. Kam pasur ditë të mira pranë familjes por edhe të rënduara nga ana psikologjike”. Kështu u shpreh në një lidhje ‘skype’ me News24 ish-ministrja e Integrimit Klajda Gjosha, e cila si gjithë shqiptarët është detyruar të mbyllet brenda për shkak të pandemisë së koronavirusit. Ajo tha se kjo periudhë është e vështirë për secilin.

“Duhet të dalësh nga shtëpia me orar dhe kur del liria nuk është njësoj. E vështirë për secilin nga ne”, tha ajo duke ndarë një reflektim personal për situatën që po kalon vendi.

Sa i përket asaj që po ndodh në Europë duke marrë shembullin e Italisë, e cila u la thuajse e vetme, Gjosha theksoi se Europa ka pasur probleme edhe para pandemisë, e cila nxori në pah diçka që ekzistonte.

Europa ka pasur probleme të mëdha edhe para kësaj pandemie, mosdakordësi. Patjetër që pandemia e nxori më shumë në pah sepse kemi të bëjmë me jetë njerëzish me ndihmat që i duheshin dhënë menjëherë Italisë sepse ka qenë rasti flagrant dhe duhet të kishte qenë unitet për ta ndihmuar si me mjekë ashti dhe me anë financiare. Nxori në pah mungesën e komunikimit mes vendeve anëtare dhe dëshirën që kanë pasur për të qëndruar brenda kufijve të tyre”, tha Gjosha.

Por a do ketë pasoja për integrimin e Shqipërisë? Gjosha mendon se po.
“Duket sikur integrimi është kthyer për momentin dytësor. Edhe vendimmarrja në kushte lehtësuese. Vetë BE nuk e ka mendjen tek procesi i zgjerimit. Ka humbur vëmendja më shumë tek ne, tek vendet që kanë detyrën të plotësojnë kushtet. Ne nuk e kemi pasur vëmendjen dhe atëherë kur procesi i zgjerimit ka qenë temë numër një, jo më tani”, tha ajo.

Duke u rikthyer në situatën në vend Gjosha theksoi se masat ishin të nevojshme për t’u marrë që të ndërpritej zinxhiri i infektimit dhe për të mos pasur përhapje aq të gjerë por foli për një rrëmujë në informacion.

“Mua më vjen shumë keq sepse ka pasur një kakofoni informacioni ku qytetarët dhe bizneset nuk kanë kuptuar udhëzimet e qeverisë. Udhëzimet ndryshonin në mënyrë pothuajse të përditshme. Për të mos analizuar gjithçka që është vënë në dispozicion nga qeveria shqiptare për ndihmën financiare. Asgjë nuk është kuptuar, shumë e vështirë të aplikosh. Duket sikur disa biznese janë favorizuar në krahasim me disa të tjera. Ka një mungesë informacioni dhe rrëmujë shumë të madhe”, u shpreh ajo.
Sa i përket paketave ekonomike, Gjosha tha se janë të pamjaftueshme duke e vënë theksin tek një strategji afatgjatë.
“Unë mendoj që nuk janë të mjaftueshme. Duket sikur qeveria kërkon të paguajë më shumë një pagë se sa t’i japë mundësi biznesit të vazhdojë të mbijetojë në treg. Mungesa e punës, mungesa e të ardhurave është një bllok shumë i madh për cilindo dhe do dojë kohë. Strategjia duhet afatgjatë. Biznesi në Shqipëria ka me mijëra qytetarë shqiptarë të punësuar. nëse falimentojnë do kemi një papunësi të jashtëzakonshme dhe një pamundësi jetese në këtë vend. Shumë gjëra duhet të ishin bërë ndryshe. Një familje që ndodhet në shtëpi harxhon më shumë drita dhe ujë dhe minimumi duhet të ishte menduar të ishte falur të paktën për një muaj pagesa e energjisë elektrike”, u shpreh ajo.

Lidhur me ndryshimet në kodin penal, Gjosha u shpreh skeptike.
“Po të krahasohemi me vende të zhvilluara perëndimore patjetër që Shqipëria duhet të marrë disa masa. Por fatkeqësisht Shqipëria ka pasur mungesë të funksionimit të ligjit. Ka pasur shkelje të kushtetutës e jo respektim të saj. Ndaj do kisha frikë për këto ndryshime”, tha ajo.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb