MALËSI E MADHE

Pas Krujës, policia gjen fidanë kanabis në një zonë tjetër të njohur për kultivimin. 80 fidanë janë gjetur në lagjen Gjuraj, në fshatin Koplik i Sipërm, Malësi e Madhe, teksa është proceduar një 16-vjeçar.

Vijojnë kontrollet e pandërprera, nga toka dhe ajri, nëpërmjet dronëve, për parandalimin e kultivimit të bimëve narkotike, që në fazën përgatitore.

Në vijim të goditjeve të njëpasnjëshme që në gjenezë, të tentativave për kultivim të bimëve narkotike, si rezultat i kontrollit të imtësishëm të territorit, nga toka dhe ajri, me dron, bazuar dhe në inteligjencën informative, shërbimet e Policisë kanë konstatuar në lagjen Gjuraj, në fshatin Koplik i Sipërm, në një zonë të pyllëzuar, 80 fidanë kanabisi të kultivuar në kubikë, të cilët u asgjësuan me anë të djegies dhe një pjesë e tyre u sekuestrua në cilësinë e provës materiale.

Nga veprimet e shpejta hetimore paraprake, specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Malësi e Madhe bënë të mundur identifikimin dhe kapjen e autorit të dyshuar të këtij rasti, konkretisht të një 16-vjeçari, ndaj të cilit nisi procedimi në gjendje të lirë, për shkak të moshës.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Shkodër, për veprime të mëtejshme.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb