TIRANË

Presidenti i Republikës Ilir Meta iu ka shprehur ngushëllim familjarëve të viktimave të shkaktuara nga koronavirusi në Shqipëri si dhe shërim të shpejtë të prekurve. Në emisionin “Open”, Meta foli për ditët e tij tashmë që të gjithë janë të detyruar të mbyllen në shtëpi për të parandaluar përhapjen e COVID-19.

Ai tha se e kalon kohën mes zyrës dhe banesës dhe se e ka pasur të vështirë të përshtatej për të mos dhënë dorën. Po kështu ai tha se fëmijët e tij janë të tre në Shqipëri dhe në karantinë.

“Ngushëllimet më të sinqerta familjarëve të viktimave dhe shërim të shpejtë të gjithë të prekurve. Unë kohën e kaloj midis zyrës dhe banesës. Përpiqem të kem sa më pak kontakte. E kam pasur shumë të vështirë të mësohem me zakonin e mos dhënies së dorës, por jemi të detyruar t’i përshtatemi këtij detyrimi tashmë të domosdoshëm në këtë kohë. Testin e bëra sepse pata shqetësimin se mos isha i infektuar dhe nga pakujdesia mund të përcillja tek njerëzit e shëndetshëm. Testimi është i domosdoshëm për të mos kaluar në fazat e tjera. Fëmijët e mi janë të gjithë këtu, të gjithë në karantinë dhe vazhdojnë mësimet në distancë”, tha Meta.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb