Unë sigurisht, duke qenë shumë dashamirës me të gjithë njerëzit e forcave të rendit si qytetar, duke i mbështetur në punën fisnike që bëjnë, jam krejt kundër që policia të marri kompetenca të jashtëzakonshme.

Nuk ka kuptim që nga njera anë e lemë djallin të dali nga shishja dhe pastaj për ta rifutur thyejmë grykën e shishes duke gjakosur veten.

Lemë krimin të marri dhenë dhe pastaj marrim masa të jashtëzakonshme policore për t’a përballuar.

Nuk ndërtojmë dot shtet ligjor kështu. Bëjmë dy gabime që trondisin shoqërinë: Edhe lemë krimin rrugëve, edhe ndërtojmë shtet policor, që edhe pse mund të veprojë kundër krimit mbetet përsëri policor.

Cdo qytetar ka të drejtë të ketë të drejta.

Por, por, por, unë do të isha dakord që të gjithë shqiptarët të kishin detyrimin që të justifikonin brenda një periudhe ta zemë njëvjeçare të gjitha pasuritë e tundëshme dhe të patundëshme që zotërojnë, kanë pas zotëruar, kanë dhuruar, kanë marrë dhuratë, kanë shkëmbyer, kanë lënë trashëgim, etj.

Këtu të futen të gjithë, deputetë, profesorë, akademikë, gazetarë, ish të burgosur, kryetarë partish, ish ministra dhe ministra, lypsarë, drejtorë, ish drejtorë, diplomatë, biznesmenë, të papunë, emigrantë që rikthehen ose kanë aktivitet në Shqipëri apo kërkojnë shërbime në atdhe! .

Se edhe kështu që të gjithë thonë : të gjithë vjedhim!
Edhe kështu që populli vjedh sepse politikanët vjedhin,
edhe kështu që me lekët e vjedhjes investojmë në shkolla dhe media ku bëjmë fushata si të mos vjedhim,
se edhe kështu kur ai që vjedh është i nderuar, dhe ai që nuk vjedh është legen,
edhe kështu që unë vjedh sepse ti vjedh, ne vjedhim se ata vjedhin, se ju vidhni ne vjedhim,
se edhe kështu që të gjithë hajdutë të gjithë viktima të vjedhjes,
të gjithë shihemi si hajdutë dhe i shohim të tjerët si kusarë,
kështu ne nuk do të jemi me shekuj veçse një bandë banditësh, kusarësh, dhe do të vazhdojë loja:

Polici – Hajduti!

Një projekt pastrimi që të zgjasi 5 deri në 10 vjet! Me konsensus mbarë kombëtar!

Dhe secili të dali me një koificent ndershmërie : Ta zemë qytetari P.M.. ka koificent ndershmëri 53 përqind, sepse aq justifikon pasurinë, por qytetarja M.K. ka koificent ndershmërie 41 përqind sepse ka vjedhur më shumë!

Kontroll profesional dhe qytetar. Me juri mikste specialistësh, qytetarësh, dhe financierësh!

Kjo bëhet me standarde dhe norma shumë të sakta që duhen përpunuar me shumë kujdes, të gjithëpranuara, dhe jo me aksion me punë vullnetare.

Cfarë kanë për të na dëgjuar veshët dhe parë sytë!

Sa qejf kam të deklaroj se ku i kam gjetur paratë për të blerë Audin tim që e kam blerë okazion, pasi ka bërë 400 mijë kilometra, dhe është i vitit 1996!!!

Një xhevahir është!

Kjo është sfida që të kemi një Shqipëri të pastër!

Ta rinisim Shqipërinë pastërtisht!

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb