FRANCE- Ministri i Mjedisit, Lefter Koka, kërkon mbështetjen e Francës në sektorin mjedisor dhe në ekonominë shqiptare, në takimin zyrtar me senatorin franzez Alain Richard. Gjatë vizitës së tij në Francë, ministri Koka ka folur lidhur me angazhimin dhe kontributin e Shqipërisë në COP21, situatën mjedisore në vendin tonë, si dhe nismat më të reja për zhvillimin e qëndrueshëm të pyjeve si një element i domosdoshëm edhe në diskutimet e segmentit të nivelit të lartë gjatë COP21. Ministri Koka theksoi se Shqipëria prej vitesh vuan degradimin e pyjeve të cilat duhen rehabilituar.

Ministri Koka kërkoi mbështetjen e Francës në sektorin mjedisor, por jo vetëm. Ai njohu Richard, (i cili është njohës i mirë i zhvillimeve aktuale në Shqipëri), me zhvillimet ekonomike të vendit si dhe kërkoi Richard të promovojë tek investitorët francezë mundësitë që Shqipëria ofron në sektorin mjedisor dhe më gjerë, veçanërisht në drejtimin e partneritetit publik privat.

Ministri Koka shprehu bindjen se ekspertiza franceze sidomos në sektorin e mjedisit do të ishte një eksperiencë e vyer për Shqipërinë.

Richard nga ana e tij siguroi se Franca do të lobojë pranë BE-së për fonde për Shqipërinë dhe gjithashtu Franca do të lobojë në BE për grante të veçanta për sektorin mjedisor.

Në fund të këtij takimi u arrit një dakortësi paraprake mes palësh për vendosjen e marrëdhënieve të bashkëpunimit në një kohë sa më të afërt midis Ministrisë Shqiptare të Mjedisit dhe Ministrisë Franceze të Ekologjisë, Zhvillimit të Qëndrueshëm dhe Energjisë, çfarë do të ndihmonte në mbështetjen konkrete në sektorin e mjedisit, por gjithashtu në perspektivë dhe në përballjen e vendit tonë me sfidat e anëtarësimit në BE, për sektorin e mjedisit.

Richard shprehu angazhimin e tij për ndihmën dhe promovimin e gjitha çështjeve që Ministri Koka preku gjatë këtij takimi zyrtar.

(el.sp/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: