Nga: Lorenc VANGJELI

Ishte e papritur, por jo e paparashikueshme. Histeria e çuditshme që pasoi lajmin e kapjes nga policia të 600 e kusur kilogramëve kokainë e pastër megjithatë ishte e jashtëzakonshme Njëlloj si dëbora që lumturoi disa herë kryeqytetasit e pamësuar me të në ditën e fundit të shkurtit.

Në një histori të tillë kriminale shumëmilionëshe, me një destinacion që prek kufinjtë dhe sigurinë e disa shteteve, është logjike që të ketë disa palë dhe qëndrime të ndryshme. Kryesisht në dy skaje segmenti: të lumtur ata që realizuan aksionin dhe fatkeqë dhe në ankth banditët që zotëronin sasinë e frikshme të drogës. Të realizuar ata që janë përgjegjës për luftën kundër trafikut të lëndëve narkotike dhe të trembur ata që u goditën si trafikantë dhe të tjerë që bëjnë të njëjtën gjë dhe që herët e vonë, më shpesh herët se vonë, do të kenë fund të ngjashëm.

Deri më tani është zhvilluar vetëm një akt publik, sekuestrimi i sasisë së kokainës, janë ekzekutuar disa arreste dhe pritet të luhen edhe aktet e tjera të një drame me autorë e aktorë shqiptarë e të huaj. Çfarë pritet të ndodhë më pas shkon sërish në dy skaje të tjerë segmenti: kureshtja e publikut për të mësuar detajet e operacionit, si nisi kush e bëri, si e bëri apo pse e bëri e ndëshkimi i ligjit për ta si skaj i parë dhe e panjohura se çfarë mund të ndodhë më pas me aktorët e një trafiku të tillë, si skaj i dytë.

Sipas ligjësive të krimit, tashmë shumëkush do të duhet të paguajë. Hesape të tilla banditët i njohin madje edhe më mirë se ligji. Ligji mund të harrojë dhe mund të vonojë edhe gjithë jetën, por hesape të tilla mes banditësh për punë që shkojnë keq, nuk mbyllen kurrë. Sidomos hesapet e kokainës i lan vetëm plumbi.

Megjithatë, sërish deri këtu, gjithçka është histori. Eshtë edhe logjikë dhe fakt që shpjegon se grupet kriminale shqiptare tashmë janë të integruara shumë fort me kolegët e tyre kudo . Eshtë fakt se se ato kanë aftësi logjistike, kapacitete njerëzore dhe financiare që të hyjnë në tregun e drogave të forta. Eshtë dyshim real se bllokimi i fortë i kultivimit të Cannabis-it në vend, e ka shtyrë krimin lokal të shohë në tregun e drogave të forta dhe për më shumë, një gjë e tillë, bëhet gjithmonë e më tepër një kërcënim për sigurinë kombëtare të vendit. Eshtë e parashikueshme se oferta e krimit për këto droga do të jetë në rritje dhe mbetet të verifikohet se cila do të jetë përgjigja e shtetit shqiptar në një situatë të tillë. Çfarë ndodhi me kokainën kolumbiane të Maminasit është një ogur i mirë, por që mbetet të verifikohet në të ardhmen.

E habitshme dhe e pabesueshme është pjesa që vijon mbas historisë së ndodhur deri në këtë pikë. Eshtë histeria që ka përfshirë opozitën dhe një pjesë të konsiderueshme të medias. Që edhe në një rast të tillë gjejnë hapësirë për të sulmuar policinë e shtetit. Në të vërtetë, shumë shuplaka që mund të jepen edhe qesim ndaj policisë, diku, dikur, por edhe nesër, mund të jenë pjesërisht të merituara. Me Cannabis-in ajo pësoi një aksident që për t’ju shmangur pasojat i nevojitet një operacion i komplikuar në fillim dhe fizioterapi e paprerë më pas në vijim. Trupa e policisë është një produkt shqiptar me të gjitha veset, deformimet dhe keqfunksionimin e çdo segmenti tjetër të shoqerisë shqiptare.

Ajo nuk është as më e mirë dhe as më e keqe se trupa e arsimtarëve, mjekëve, ushtarakëve, gazetarëve a të tjerë që përbëjnë një shoqëri jo të përkryer e cila synon Evropën, por ec drejt saj me avashllëkut, dembelllëkun dhe hilet e zakonshme otomane. Por rasti i bllokimit të kësaj sasie kolosale kokaine nuk është absolutisht rasti që mbi policinë të bëhet politikë dhe mbi shpinën e saj të shkarkohen të gjitha paragjykimet, por dhe paranojat ndaj Ramës si kryeministër, Xhafës si ministër i brendshëm apo gjithë një maxhorance të tërë të majtë, e cila ka humbur një betejë të mëparshme me Cannabis-in.

Rasti i kokainës së Maminasit është tjetër gjë; është momenti kur të gjithë duhet të shohin faktin në sy. Që nëse nuk arrijnë ta duartrokasin, të paktën të gjejnë kurajon që të heshtin. Në këtë rast fakti është i gjatë sa një kontejner dhe peshon 600 e kusur kilogramë. Në këtë rast, fakti është i gjithi brenda. Nuk arrijnë ta shohin vetëm ata që ky fakt i bën të rënkojnë nga dhembje të kota politike./Java News

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: