TIRANE– Gazetari investigativ, Artan Hoxha ka dhënë detaje për operacionin ant-drogë në portin e Durrësit, ku u sekuestruan në një kontejner 613 kg kokainë me një vlerë prej 180 milionë eurosh. I ftuar në edicionin e lajmeve në RTSH, Artan Hoxha tha se numri i të arrestuarve është 9 dhe jo 2. Gjithashtu gazetari tha se destinacioni final i kokainës ishte Gjermania.

Është kapur sasia më e madhe e kokainës dhe duket sikur nuk është dekonspiruar asgjë edhe pse janë arrestuar dy persona dhe pronari është ende në kërkim.

Në fakt numri i personave që janë shoqëruar për këtë ngjarje është me i madh, diku tek 9, por për arsye që i bën publike edhe drejtori i përgjithshëm i policisë së shtetit edhe kreu i prokurorisë së krimeve të rënda Besim Hajdarmataj, të cilët ja lanë hetimeve për shkak se kemi të bëjmë me një grup të strukturuar kriminal, me një grup shumë të fuqishëm, që ka porositur një ngarkesë që do të ishte shumë serioze edhe për vendet e zhvilluara të BE, jo për një vend si Shqipëria, besoj se gjëja numër një që duhet thënë sot besoj se është një sukses, jo thjesht për sasinë rekord por për gjithçka që ka ndodhur gjatë këtij operacioni.

Artan, është suksesi i policisë shqiptare apo edhe në bashkëpunim me policitë e shteteve të tjera?

Unë nuk dua ti ndaj me thikë. Nuk mund të godasësh grupe të strukturuara kriminale të cilat janë shumëkombëshe dhe veprojnë në shtete të ndryshme. Imagjinoni, kjo sasi ka ardhur nga Kolombia, ka kaluar në Itali, ka kaluar në Maltë, pastaj ka ardhur në Durrës. Pra pa diskutim mbetet një sukses shumë i madh. Sigurisht ka patur këmbim informacioni me vendet partnere, sepse Shqipëria nuk ka një treg që mund të asimilojë një sasi prej 613 kg kokainë dhe shifra që ka dhënë deklaratën zyrtare Policia e Shtetit kur thotë se vlera në treg e drogës është 180 milionë euro, e ka bërë duke llogaritur një element. Kjo sasi ka ardhur me një sasi shumë të lartë pastërtie, pra është mbi 90 përqind, gjë që në gjuhën e narkotrafikantëve do të thotë se kjo sasi droge kaq e pastër nuk mund të hidhet në treg, sepse dëmton së pari klientët që e përdorin. Kjo sasi droge përzihet dhe vëllimi i saj nga 613 kg shkon në tre fish, 1.8 ton, apo edhe katërfish. Llogaritur me çmimin final që blehet nga përdoruesi në treg, shkon në 100 mijë euro për kilogram. Nësë kjo sasi droge do të dilet në tregun europian fitimi për narkotrafikantët do të ishte 180 milionë euro.

Por çfarë ka ndodhur? Dua të shpjegoj një detaj për qytetarët. Si ka mundësi që trafikantët tanë shkojnë dhe e marrin drogën në Amerikën Latine ku është burimi i kokainës? Atje mund ta blesh shumë lirë dhe të rritësh së tepërmi marzhin e fitimit. Sasia e kapur e kokainës mendohet se është blerë me një çmim 12.500 dollarë për kilogram në Kolombi. Duke përfshirë transportin që është kosto, kjo sasi kokaine del në treg me shumicë, kur grosisti i madh jua shet trafikantëve të vegjël me një çmim 24 euro për kilogram. Por një sasi e tillë që shkon tek 1.8 ton kokainë hyn në treg do të thotë se një operator i ri shumë i fuqishëm, po ndikon në një vend të fuqishëm të BE.

Destinacioni final nga informacionet që unë kam deri tani është Gjermania, vendi më i madh i BE që ka dhe tregun më të madh që mund të asimilojë ngarkesa të tilla. Por edhe në Gjermani futja e një sasie kaq të madhe kokainë sigurisht që ka vënë në alarm shërbimet inteligjente të atij vendi dhe besj se aty ka nisur lëvizja.

Përse magazinohet në Shqipëri droga, Artan?

Trafikantët për të maksimalizuar fitimet e tyre kanë shkuar në burim, Kolombi, e kanë blerë atë si dorë e parë, e kanë sjellë në Shqipëri. Këtu ajo do të përpunohej, ti rritej vëllimi, pesha e saj. Por ajo nuk mund të shkonte me një ngarkesë të vetme në Gjermani pasi do të ishte një risk shumë i madh, nëse kapet do të ishte një dëm qindra miliona eurosh për grupe kriminale.

Por çfarë bëhet? Ato shkojnë me ngarkesa më të vogla deri 10 kg që me çmimin e tregut të pakicës do të thotë 1 milion euro, që edhe po u kap ngarkesa të kenë mundësi ta rikuperojnë.

Magazinimi në Shqipëri nuk është hera e parë, dua të kujtoj rastin e qershorit të vitit 2014, në portin e Tivarit në Malin Zi u kapën 250 kg kokainë të cilat po ashtu vinin nga Amerika Latine dhe shkonin për llogari të një kompanie në Fier. Në atë rast kokaina u kap jashtë territorit shqiptar, unë pashë dhe kronikat e RTSH dhe besoj se ndërhyrja e politikanëve duhet të jetë vetëm për mbështetje të autoritetit të ligjit, pjesa tjetër do të është dështim për Shqipërinë nëse kjo sasi droge do të kishte hyrë në Shqipëri, do të ishte përpunuar në magazinat e Maminasit, do të kishte dalë nga territori shqiptar dhe autoritetet e vendeve fqinje do ta kishin kapur dhe do ta provonin nga vinte kjo.

Fakti që është kapur në Portin e Durrësit, brenda në magazinë, ju kujtoj me këtë rast një histori.

Konteineri ka dhjetë ditë që ka ardhur në portin e Durrësit. Trafikantët nuk kanë shpejtuar ta tërheqin konteinerin dhe e kanë lënë të kalojnë gjithë procedurat. Ata janë paraqitur në Portin e Durrësit për të bërë procedurat e tërheqjes së konteinerit. Gjatë mbrëmjes të së martës kanë çuar një trailer në të cilin është vendosur konteineri dhe ai është shoqëruar nga Porti i Durrësit në Maminas që është pika më strategjike shumë afër aeroportit ndërkombëtar të Rinasit, portit më të madh që ka Shqipëria, shumë afër kryeqytetit. Traileri është shoqëruar gjatë gjithë rrugës nga një automjet tjetër “Volksëagen” Caddy. Në të udhëtonte administratori i firmës. Policia e ka patur në mbikqyrje. Ajo i ka lënë deri në orën 1 pas mesnate. Policia ka ndërhyrë pas orës 2 të natës. Brenda magazinës është kapur shoferi Armando Pezaku, janë kapur 5 punëtorë. Ata në fakt po shpejtonin të shkarkonin bananet, për të nxjerrë shtresën e kokainës. Paralalisht me hyrjen në magazinë policia ka ndërhyrje në një aksion tjetër edhe tek makina që shoqëronte trailerin, “Volksëagn” Caddy. Policia ka krijuar një incident e më pas ka arrestuar dy persona mes tyre Roland Lushaj menaxheri i kompanisë, njeriu që ka koordinuar lëvizjet nga Porti i Durrësit deri në magazinë.

Në dijeninë tuaj a ka persona të tjerë në hetim?

Kemi të bëjmë me një grup shumë të strukturuar që shtrihet në disa shtete. Grupi është shumë i madh. Porkuroria dhe policia po kryejnë veprime për të gjetur baza të vendndodhjes së pjestarëve të këtij grupi që ndodhen brenda territorit shqiptar dhe po bashkëpunojnë me autoritete të vendeve fqinje, sidomos në Gjerman dhe Itali për të gjetur pjesën tjetër të grupit.

Duhet të ndjekim çfarë do të ndodhi më tej.

Duhet të kemi parasysh se kur lëviz një sasi e tillë nga burimi fillestar drejt tergut final që është BE, tregu më i pasur në botë, ka patur një garanci shumë të madhe. Garantët kur kapet një sasi kaq e madhe kanë pasojat sepse dikush do ta paguajë dëmin që është shkaktuar. Në pamundësi për tu kthyer paratë si granci në këto raste grupet kriminale eleminojnë personat që kanë dalë garantë. Në rastin e vitit 2014 menjëherë pas kapjes së kokainës në Malin e Zi, në Tiranë ndodhën tre dhe mes ture u vra nje bankier i nivelit të dytë. Uroj që autoritetet tona të kenë mundësi që parandalojnë goditje të nivelit të lartë. Një ngarkesë e tillë nuk lëviz pa një garanci shumë të fortë. Deri ku shkon garancia kjo është pjesë që duhet ta zbulojnë autoritetet dhe nuk dua të spekuloj.

(d.d/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb