Nga Klodiana Lala
Arbri Garden kishte porositur në Kolumbi tre kontejnerë me banane, që mbërritën në Portin e Durrësit, në muajin shkurt dhe ishin të pritje të zhdoganimit.
Pas zbulimit të sasisë rekord prej 613 kilogramë kokainë, në njërin prej kontejnerëve, autoritetet urdhëruan që kontrollit t’i nënshtroheshin edhe dy të tjerët.

Burimet thanë se të dyja ngarkesat rezultuan të  “pastra”, por autoritetet janë tërezervuara për të konfirmuar faktin nëse malli është tërhequr nga kompania apo ndodhet në Portin e Durrësit.

I paqartë mbetet fakti sesi u përzgjodh kontejneri që iu nënshtrua i pari kontrollit dhe pikërisht në trupin e tij u zbulua sasia rekord e kokainës.

Kjo ngre dyshime se shërbimet partnere kishin sinjalizuar për ngarkesën e dyshimtë, fakt që hidhet poshtë nga autoritetet shqiptare, të cilat janë shumë kontradiktore, lidhur me mënyrën sesi u zbulua kokaina me vlerë 180 milionë euro.

Për momentin policia dhe prokuroria po vijojnë hetimet për të zbuluar se kush fshihet pas ngarkesës së madhe të drogës.

Në këtë kuadër, prokuroria për Krime të Rënda ka sekuestruar të gjithë dokumentacionin e kompanisë nga ku rezulton se që prej themelimit në vitin 2012, për llogari të Arbri Garden në portin e Durrësit kanë mbërritur 400 ngarkesa nga Kolumbia dhe Ekuadori.

Krimet e Rënda kanë vendosur ndërkohë të nxjerrin nga arkivi një tjetër çështje ku përfshihet kompania në fjalë, e që duket se e rëndon jo pak pozitën e administratorit Arbër Çekaj i shpallur në kërkim prej 27 shkurtit.

Bëhet fjalë për një dosje të 2015, ku kompania e tij u dyshua për përfshirje në trafik kokaine, porse fajësia e Çekajt, nuk u arrit të provohej.

Një burim i tha News24 se hetimet për këtë çështje ngecën në pritje të ekzekutimit të letër-porosisë nga Ekuadori, ku dhe u kap kokainë e fshehur në kontejnerët e porositur nga Arbri Garden.

Dosja në fjalë do të rihapet për t’u bashkuar me hetimin e çelur rishtas pas sekuestrimit pak ditë më parë të kokainës në magazinat e kompanisë.

Për trafikimin e sasisë rekord të drogës deri më tani nën arrest janë vetëm dy 25-vjeçarë, njëri menaxher dhe tjetri shofer.

Por a munden ata të realizojnë trafikimin e një sasie kaq të madhe droge apo pas tyre fshihen njerëz të pushtetshëm? Pikëpyeytjet që ngrihen janë të shumta. Autoritetet heshtin duke mos dhënë detaje për gjithçka po ndodh dhe vijojnë të  këmbëngulin se operacioni u krye pa ndihmën e shërbimeve partnere. Ajo që mund të thuhet në këto momente, është se me gjasë operacioni është në vijim.

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb