Nesër pritet të mbahet evenimenti më i madh i ndarjes së çmimeve në Evropë, “MTV Europe Music Awards”.

Mbrëmja do të zhvillohet në Wembley Arena të Londrës, me pjesmarrjen e artistes se njohur shqiptare, Rita Ora.

Kjo do të jetë hera e gjashtë që Mbretëria e Bashkuar ka organizuar shfaqjen e çmimeve “MTV EMA”, dhe për herë të dytë Londra do të jetë qyteti mikpritës.

Londra fillimisht priti ceremoninë e shpërblimeve në vitin 1996 në Pallatin Alexandra, ndërsa të njëjtën gjë do ta bëjë sivjet në një gala mbrëmje madhështore.

Taylor Swift është artistja më e nominuar në këtë mbrëmje me gjithsej gjashtë nominime, ndërsa pasohet nga Shawn Mendes, e cila numëron gjithsej pesë nominime.

Për herë të parë, siç nuk ka ndodhur më parë, janë gjithsej katër shqiptarë që do të jenë pjesë e kësaj mbrëmje të madhe të ndarjes së çmimeve.

Ja shqitparët që do marrin pjesë:

RITA ORA
Përveçse do të jetë nikoqirja e mbrëmjes, Rita është edhe e nominuar në një nga kategoritë. Ajo gjendet në listën e të nominuarave për “Dukjen më të mirë gjatë vitit’.

Në një intervistë të dhënë së fundmi, Ora është shprehur se ndjehet e lumtur që do ta ketë rastin ta shijojë këtë mundësi që i është ofruar një herë në jetë.

“Dua të shijoj momentin. Është qëllimi përfundimtar i jetës. Unë jam e paduruar, gjithmonë dëshiroj të përmirësohem. Por, kurrë nuk e kam kursyer veten në punë apo edhe në marrëdhënien time me audiencën. Dhe kur të vijnë këto momente, ti e kupton se çdo përpjekje ka kuptim”, është shprehur në një intervistë për Corriere Della Sera, këngëtarja e lindur në Kosovë.

DUA LIPA
Është padiskutim një ndër personazhet më të përfolur të vitit. Artisja nga Prishtina, Dua Lipa, është nominuar në gjithsej tri kategori në mbrëmjen e madhe të ndarjes së çmimeve “MTV Europe Music Awards” për këngën e saj “New Rules”.

Dua është e nominuar për çmimet: “Artistja e re më e mirë”, “Vepra më e mirë në Britani dhe Irlandë”, si dhe për “Dukjen më të mirë”, në këtë të fundit i bën konkurrencë edhe artistes tjetër nga Kosova, Rita Ora.

Lipa gjithashtu do të dhurojë një performancë spektakolare gjatë mbrëmjes, duke kënduar një kolazh me hitet e saj më të fundit.

XEN
Një emër jo edhe shumë i spikatur në trevat shqiptare, por shumë i suksesshëm në Zvicër. Është ky rep-artisti me prejardhje nga Kosova, XEN, i cili ka arritur të nominohet në kategorinë për këngën më të bukur nga Zvicra.

Kënga e tij “Sandchaschte” e punuar nga producentët e njohur zviceranë, Lii dhe Sam Million, është spikatur nga juria e “MTV EMA 2017”, duke u listuar kështu në kategorinë e këngëve më të suksesshme nga Zvicra.

XEN, emri i vërtetë i të cilit është Shkelzen Kastrati, do të jetë i pranishëm nesër në sallë, ndërsa nuk do të performojë, por do të ngjitet në skenë në rast se shpërblehet me çmimin në fjalë.

ERMAL META
Ishte një nga zërat më të bukur të këtij viti në “Sanremo” dhe nuk kishte se si të mos binte edhe në syrin e eventit më të madh në Evropë.

Ermal Meta, djaloshi me prejardhje nga Fieri i Shqipërisë, theu zemrat e të gjithëve me këngën e tij “Vietato Morire”, e cila trajtonte temën e dhunës në familje, dhe i solli vendin e tretë në festivalin më të madh italian.

Kjo këngë është gjithashtu e nominuar në kategorinë “Vepra më e mirë italiane”, dhe konkurrohet nga këngëtarët e famshëm italianë si: Francesco Gabbani, Thegiornalisti, Fabri Fibra dhe Tiziano Ferro.

Gjasat që Ermali të shpërblehet me çmim, janë të mëdha. Kjo për faktin se kënga e tij ka pasur një ndikim të madh te publiku italian, megjithatë mbetet të shihet se çfarë ka vendosur publiku me votat e tij, njofton Telegrafi.

(d.d/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb