Policia e Tiranës ka arrestuar 6 shtetas dhe proceduar penalisht 5 shtetas të tjerë, pasi akuzohen për vepra të ndryshme penale.

Mes të arrestuarve është edhe pronari i një lokali, si dhe një klient i këtij lokali, të cilët janë kapur me lojëra fati dhe kokainë.

Njoftimi i policisë:

Shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 6, në bashkëpunim me Seksionin për Hetimin e Narkotikëve dhe Trafiqeve bënë arrestimin në flagrancë të shtetasit K. B., 30 vjeç, si dhe referuan materialet për shtetasin F. D., 35 vjeç, pasi në rrugën “Tom Plezha”, gjatë kontrollit të ushtruar në ambientet e një bar-kafeje në pronësi të shtetasit K. B., u gjetën dhe sekuestruan në cilësinë e provës materiale një tavolinë pokeri me letra dhe çipsa për të luajtur poker dhe tre kompjuterë me programe që përdoren për lojëra fati, ndërsa shtetasit F. D., klient i lokalit, në çantën e krahut, iu gjet e iu sekuestrua në cilësinë e provës materiale një dozë me lëndë narkotike të dyshuar kokainë.

Nga Seksioni për Hetimin e Narkotikëve u bë arrestimi në flagrancë i shtetasve K. A. dhe F. A., pasi në rrugën “Xhanfize Keko”, gjatë kontrollit fizik shtetasit K. A. iu gjet dhe sekuestrua me cilësinë e provës materiale një sasi lënde narkotike e llojit cannabis sativa, ndërsa shtetasi F. A. ka kundërshtuar me veprime fizike dhe ka kanosur për shkak të detyrës punonjësit e Policisë, për të shmangur shoqërimin e shtetasit K. A. në ambientet e Policisë. Në vijim të veprimeve janë referuar materialet për shtetasit T. A. dhe E. A. (kushërinj me shtetasit e arrestuar), pasi kanë penguar punonjësit e Policisë për të ushtruar kontroll në banesën e shtetasit K. A.

Nga specialistët për Hetimin e Krimit në Komisariatin e Policisë Nr. 3 u bë ndalimi me iniciativë i shtetasit të mitur me iniciale R. S., 17 vjeç, sepse në rrugën “Hajdar Hidri”, në bashkëpunim me një person tjetër ende të paidentifikuar, ka vjedhur biçikletën e shtetases G. R.

Ndërkohë, nga specialistët për Hetimin e Krimit në Komisariatin e Policisë Nr. 1 u bë arrestimi në flagrancë i shtetasit F. B., 18 vjeç, si dhe u referuan materialet për shtetasit e mitur me iniciale E. P. dhe E. P. (vëllezër), pasi në rrugën “Tefta Tashko”, në bashkëpunim me njeri-tjetrin, u kapën duke vjedhur 1 biçikletë. Gjatë kontrollit fizik, shtetasit F. B. iu gjet dhe iu sekuestrua në cilësinë e provës materiale një sasi lënde narkotike e dyshuar cannabis sativa.

Specialistët për Hetimin e Krimit në Komisariatin e Policisë Nr. 6 bënë ekzekutimin e vendimit penal për shtetasen në kërkim K. N., 22 vjeçe, pasi Gjykata e Rrethit Gjyqësor Tiranë i ka vendosur masën e sigurisë 15 ditë burg, për veprën penale “Plagosja e lehtë me dashje”.

Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë, për veprime të mëtejshme.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: