Policia e Fierit ka goditur një rast të veprimtarisë kriminale në fushën e narkotikëve dhe lojërave të palejuara.

Gjatë aksionit të fundit, policia ka arrestuar një 47-vjeçar, pasi kishte përshtatur lokalin për shpërndarje të lëndëve narkotike kokainë e kanabis dhe për organizimin e lojërave të palejuara.

Në pranga ka rënë shtetasi Festim Dhima, pasi në ambientet e lokalit në pronësi të tij policia ka gjetur doza me lëndë narkotike kokainë dhe cannabis sativa.

Njoftimi i policisë:

Specialistët për Hetimin e Narkotikëve në DVP Fier, në bashkëpunim me Komisariatin e Policisë Fier dhe me Forcën e Posaçme “Shqiponja”, në vijim të goditjeve kundër aktivitetit kriminal në fushën e shpërndarjes së lëndëve narkotike, bazuar edhe në informacionet e siguruara në rrugë policore se në një lokal në Roskovec shpërndahej lëndë narkotike dhe organizoheshin lojëra të palejuara, kanë organizuar punën dhe si rezultat është bërë arrestimi në flagrancë i shtetasit:

F. Dh., 47 vjeç, banues në Kurjan, Roskovec.

Arrestimi i këtij shtetasi u bë pasi në ambientet e lokalit në pronësi të tij, u gjetën doza me lëndë narkotike kokainë dhe cannabis sativa.

Gjatë kontrollit në lokal u gjet dhe u sekuestrua në cilësinë e provës materiale edhe një valixhe me zare dhe fisha të ndryshme si ato të lojërave të fatit të pokerit që shërbejnë për të luajtur bixhoz.

Materialet procedurale do t’i kalojnë Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Fier, për veprat penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”, “Nxitja për përdorimin e drogës”, “Përshtatja e lokalit për përdorim droge”, “Organizimi i lotarive të palejuara” dhe “Vënia në dispozicion e lokaleve për lojëra të palejuara”.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: