TIRANA

Shtatë persona janë arrestuar në orët e fundit në Tiranë për kokainë, vjedhje, dhunë apo shkelje të qarkullimit rrugor.

Në prang aka rënë 26-vjeçari D.K, teksa dy të tjerë janë proceduar penalisht pasi gjatë kontrollit të lokalit dhe banesës së të parit u sekuestrua kokainë, kanabis dhe peshore elektronike.

Dy të tjerë janë arrestuar për vjedhje telefoni, portofoli apo varëse floriri. Ndërkohë po dy të tjerë janë prangosur pasi kanë ushtruar dhunë ndaj bashkëshortes apo bashkëjetueses.

Dy drejtues mjetesh janë arrestuar pasi u kapën duke drejtuar mjetet pa leje ose në gjendje të dehur. Në Vorë një 29-vjeçar është shpallur në kërkim pasi dyshohet se ka kanosur një 59-vjeçar.

Ditën e djeshme në  rrugën ‘’Jordan Misja’’ një 23-vjeçar është dhunuar dhe 3 autorët e dyshuar të ngjarjes janë shpallur në kërkim.

 

 

NJOFTIMI NGA POLICIA

Tiranë

Specialistët e Seksionit për Hetimin e Narkotikëve bënë arrestimin në flagrancë të shtetasit D. K., 26 vjeç, dhe procedimin në gjendje të lirë të shtetasve: T. S., 31 vjeç dhe R. K., 27 vjeç, pasi gjatë kontrollit të lokalit dhe të banesës së shtetasit D. K, dhe kontrolleve fizike të 3 shtetasve, sherbimet e Policisë gjetën dhe sekuestruan një sasi me lëndë narkotike kokainë, kanabis dhe 1 peshore elektronike.

Nga specialistët për Hetimin e Krimit në Komisariatin e Policisë Nr. 3 u bë arrestimi në flagrancë i shtetasve:

K. N., 31 vjeç, pasi ka vjedhur telefonin dhe portofolin e shtetases M. L;

M. Z., 42 vjeç, pasi ka ushtruar dhunë fizike dhe psikologjike ndaj bashkëshortes së tij.

Specialistët për Hetimin e Krimit në Komisariatin e Policisë Nr. 6 bënë arrestimin në flagrancë të shtetasve:

M. F., 24 vjeç, pasi i ka vjedhur varësen e floririt shtetasit R. M;

K. D., 31 vjeç, pasi ka ushtruar dhunë fizike dhe psikologjike ndaj bashkëjetueses së tij, cilës iu plotësua kërkesë-padia për lëshimin e urdhërit të mbrojtjes së menjëhershëm.

Nga specialistët e Qarkullimit Rrugor u bë arrestimi në flagrancë i shtetasve:

K. K., 35 vjeç, pasi u kap duke drejtuar motomjetin pa lejen përkatëse;

I. S., 41 vjeç, pasi u kap duke drejtuar mjetin në gjendje të dehur.

-Specialistët për Hetimin e Krimit në Komisariatin e Policisë Vorë bënë shpalljen në kërkim të shtetasit K. P., 29 vjeç, pasi dyshohet se ka kanosur shtetasin K. E., 59 vjeç. Punohet për kapjen e tij dhe sqarimin e rrethanave të ngjarjes.

-Nga specialistët për Hetimin e Krimit në Komisariatin e Policisë Nr. 3, u bë shpallja në kërkim e shtetasve: K. Rr., 23 vjeç, Gj. Rr., 24 vjeç dhe E. S., 22 vjeç. Këta 3 shtetas dyshohen si autorët e ngjarjes së djeshme, në rrugën “Jordan Misja”, ku u dëmtua lehtë shtetasi A. K., 23 vjeç, i cili ndodhet në spital, jashtë rrezikut për jetën.

Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë, për veprime të mëtejshme.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb