Kreu i partisë Zgjidhja, Koço Kokëdhima ka reaguar pas deklaratës së Arta Dades, e cila sipas tij foli për një të majtë të asimiluar nga Rilindja, një PS që nuk është më demokratike dhe nuk i ngjan aspak PS-së së viteve ’96-’97.

“ Mikja ime, Arta! PS-ja është marrë peng nga Rilindja, njësoj si PD-ja nga SHQUP-i, njësoj si të gjitha partitë e vjetra. Këto nuk janë parti politike me standarde e institucione. Këto kanë vepruar në pushtet si banda dhe si struktura mafioze të krimit të organizuar. Ato janë  shndërruar në plaçenta që prodhojnë pushtet e pasuri të pakufizuara për kryetarët e tyre autokratë. Kryetarët janë Zoti mbi tokë. Në këto parti nuk ka asgjë tjetër. Anëtarësia është vetëm për t’u përdorur e shfrytëzuar për vota, vetëm lideri pyetet e dëgjohet. Këtyre këmbanave unë u rashë tri vite më parë, por socialistët e vjetër, nuk deshën t’i dëgjonin, sepse u dukej ende e ëmbël kolona zanore e Rilindjes, që sot është kthyer në muzikë funebre për të gjithë shqiptarët, jo vetëm për socialistët e thjeshtë.” -shkruan Kokëdhima ndërsa shton se  ky është momenti i duhur që çdo shqiptar i ndershëm të përqafojë projektin e partisë ‘Zgjidhja”.

“T’i çlirojmë partitë nga kryetarët uzurpatorë, nga këta bajlozë të epokës së errët të korrupsionit që janë bërë dhe e mendojnë veten si sulltanë. T’i demokratizojmë ato, t’i japin popullit sërish të drejtën e votës, të rikthejmë besimin dhe shpresën. ZGJIDHJA është alternativa e vetme që i ka në themel të programit të saj këto teza e kauza dhe po punon me shqiptarët për t’i bërë realitet. Le të bëhemi bashkë për të shembur e dëbuar nga pushteti të gjithë Salinjtë e Shqipërisë dhe ta çlirojmë e shpëtojmë njëherë e mirë atdheun tonë të përbashkët”-mbyll Kokëdhima reagimin e tij.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb