TIRANE – Politikani dhe ish-deputeti Koço Kokëdhima, është shprehur shpesh herë në favor të legalizimit të kanabisit për qëllime mjekësore në Shqipëri. Këtë e ka bërë edhe mbrëmjen e djeshme në emisionin “Top Show”, ku tha se është dëshpëruese që Shqipëria nuk ka një strategji dhe vizion për të zgjidhur problemet që lidhen me kanabisin.

Duke shpjeguar propozimin e tij të vitit 2014 në Kuvend për reformimin e legjislacionit për çështjen e kanabisit, Kokëdhima propozoi një amnisti për përdoruesit dhe kultivuesit e thjeshtë të hashashit.

“Çështja e parë është reformimi i plotë i legjislacionit penal. Është cinike që në këtë realitet që kalon Shqipëria fusim në burgje të rinj e të reja dhe i dënojmë me 4-5 vjet përdoruesit, si të ishin trafikantë. Duhet të bëjmë një amnisti për përdoruesit dhe kultivuesit e thjeshtë të hashashit. Ne i vendosim ata në rrugë kriminale, duke ua shkatërruar jetën. Të rinjve, të cilët janë nëpër burgje, t’u japim shanse për jetën. Shqipëria ka legjislacionin më të ashpër në Evropë për përdoruesit e drogës. Nuk ndodh në një vend të BE-së që, një student apo studente ta dërgosh në burg, thjesht e vetëm pse ai pi hashash. E gjitha është shkatërrim për jetën e të resë apo të riut dhe të familjes së tij. Ne nuk duhet të vazhdojmë të shkatërrojmë jetë njerëzish”, u shpreh Kokëdhima.

Koço Kokëdhima shpjegoi gjatë emisionit “Top Show” edhe idenë e tij për legalizimin e kanabisit për qëllime mjekësore. Ai tha se, rreth 170 sëmundje kurohen me nënprodukte të kanabisit.

“Të legalizohet kanabisi farmaceutik, pasi mbi 170 sëmundje kurohen prej tij. Vendet fqinje kanë ndërtuar strategji për përdorimin e kanabisit. Kroacia, Maqedonia dhe e gjithë Europa e Shtetet e Bashkuara i kanë dhënë zgjidhje. Ndërsa ne ia mohojmë një të sëmuri vajin e kanabisit, ndërkohë që kjo është një e drejtë elementare”, u shpreh Kokëdhima.

“Ne, përmes sigurimit të kanabisit mjekësor në farmaci u japim mundësi njerëzve të kenë ilaçe dhe të jenë të shëndoshë. Është e gjitha logjikë ekonomike, pasi ndihmon ekonominë e vendit. Projekti mund të implementohet, sigurisht sipas standardeve më të përparuara. Jam dakord që të ngrihen edhe ekipe teknike, për të marrë parasysh këtë vizion. Kroatët, në janar 2015, ngritën një Komitet Shtetëror për të implementuar projektin e kanabisit farmaceutik. Këtë gjë ka bërë edhe Greqia, edhe shtete të tjera të përparuara”, vijoi Kokëdhima.

Më tej, politikani Koço Kokëdhima u shpreh se e ka apeluar vendimin e Gjykatës Kushtetuese për heqjen e mandatit të deputetit në Gjykatën e Strasburgut.
“E kam apeluar vendimin e Gjykatës Kushtetuese në Gjykatën e Strasburgut. Do të pres Gjykatën e Strasburgut”, tha Kokëdhima.
(er.nu/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: