Komiteti Olimpik Kombëtar Shqiptar ka pritur dje në ambientet e Parkut Olimpik në Tiranë, delegacionin e peshëngritjes. Presidenti i KOKSH-it, Fidel Ylli, u shprehu mirënjohjen sportistëve Briken Calja dhe Erkand Qerimaj për rezultatet historike që regjistruan në Kampionatin Botëror që u mbajt dhjetorin e kaluar në Uzbekistan. Siç dihet, Shqipëria bëri një paraqitje të jashtëzakonshme në atë kompeticion, me Briken Caljen që u shpall kampion bote në shkëputje, si dhe nënkampion në shtytje e dygarësh, pa harruar edhe vendin e katërt të Qerimajt, që mbetet një rezultat i shkëlqyer.

“Në emër të KOKSH-it dua të falënderoj Federatën Shqiptare të Peshëngritjes, duke nisur nga presidenti, sekretari dhe i gjithë bordi. FSHP-ja është një nga federatat më të rëndësishme të Komitetit Olimpik dhe të lëvizjes olimpike, që e ka nderuar Shqipërinë ndër vite me medalje pa fund, botërore, europiane apo ballkanike për të gjitha moshat”, u shpreh fillimisht Ylli në fjalimin e tij. Më tej, kreu i Komitetit Olimpik theksoi rëndësinë e bashkëpunimit dhe mbështetjen që KOKSH-i i ka dhënë shtangës në arritjen e këtyre rezultateve:

“Ishte një Botëror që pati rezultate të jashtëzakonshme si pasojë e një përgatitjeje të gjatë të këtyre dy peshëngritësve dhe të të gjithë ekipit të trajnerëve, presidentit dhe sekretarit, por edhe e mbështetjes së Komitetit Olimpik, me atë buxhet historik që u dha peshëngritësve për Lojërat Olimpike. Pas olimpiadës ka vazhduar stërvitja me dy seanca në ditë, gjë që solli edhe arritjen e këtyre rezultateve në Botëror. Kështu që dua t’iu falënderoj të gjithëve, faleminderit Briken për këtë nder që i bëtë Shqipërisë dhe për medaljet e fituara. Faleminderit Erkand për këtë rezultat të shkëlqyer, siç ishte vendi i katërt, që mund të ishte i tretë, por vetëm se kundërshtari u ngjit në pedanë më parë. ‘Paris 2024’ po vjen dhe ne nuk kemi kohë për të humbur dhe e gjithë kjo punë është bërë në grup, ashtu sikurse e theksuan edhe vetë sportistët”, tha Ylli.

SPORTI NË SHKOLLA – Numri një i Komitetit Olimpik foli gjithashtu edhe për projektin më të ri të qeverisë për formalizimin e sportit në shkolla 9-vjeçare, gjimnaze dhe universitete. Një projekt që do të vihet në zbatim që këtë vit, me sporte si basketbolli dhe volejbolli. Ylli u bëri apel edhe federatave të tjera që të bëhen sa më parë gati për të aderuar në këtë program: “U bëjmë thirrje të gjitha federatave si dhe FSHP-së, që ky vit është viti i krijimit të burimeve njerëzore dhe kualifikimit të trajnerëve, që ne të kemi mundësi për ta shtrirë peshëngritjen dhe çdo sport në të gjitha bashkitë dhe në çdo skaj të Shqipërisë. Unë tashmë kam nisur punën dhe do të prek të 12 qarqet e vendit. Dy ditë më parë kam pasur takime me të gjithë kryetarët e bashkive në qarqet e Elbasanit dhe të Korçës. Edhe pse ishte fundjavë dhe ditë pushimi për ta, ata u treguan të gatshëm për të bashkëpunuar, sepse nuk kemi kohë për të humbur”.

FSHATI OLIMPIK – Ylli në fund dha detaje të tjera rreth ndërtimit të Fshatit Olimpik: “Kryeministri më ka ngarkuar një detyrë si president i Komitetit Olimpik, për të bërë një qendër olimpike, për të cilën ju jap fjalën se do të jetë një nga më të mirat në Europë, ku ne jo vetëm do të grumbullojmë ekipet kombëtare, por do të grumbullojmë mbarë botën këtu. Po studiojmë mundësinë e marrjes së tokës shtetërore, që ne të kemi mundësinë shumë shpejt dhe brenda tri vitesh të bëjmë një qendër olimpike, sepse kjo që kemi këtu në Tiranë na u përgjysmua për shkak të ndërhyrjes së Federatës Shqiptare të Futbollit”, deklaroi ndër të tjera Fidel Ylli.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb