TIRANE

Drejtësia në vend është në kolaps. Pas gjykatës Kushtetuese dhe asaj të Lartë, janë gjykatat e rretheve gjyqësore dhe Apelet, të cilat po funksionojnë me shumë vështirësi. Shkarkimet e gjykatësve nga institucionet e vettingut, apo tërheqja e tyre për shkak të konfliktit të interesit, kanë bërë që një numër i madh dosjesh të mbeten pa u shqyrtuar.

Përpara një situate të tillë, Këshilli i Lartë Gjyqësor, mbi bazën e kërkesave nga gjykata të ndryshme në Tiranë e rrethe vendosi në mbledhjen e së premtes të caktojë përkohësisht 106 gjykatës , të cilët do të gjykojnë 75 dosje penale, civile dhe administrative. Sipas Këshillit, vendimi për caktimin e përkohshëm të një numri kaq të lartë gjykatësish u bë me qëllim gjykimin e dosjeve brenda afateve që parashikon ligji, pasi në të kundërt shkeljet proceduriale mund të shfrytëzohen nga palët në proces për të bërë nul vendimin në rastet e dënimeve penale.

Pavarësisht këtij vendimi të Këshillit të Lartë Gjyqësor, gjendja në institucionet e dhënies së drejtësisë është tejet e rënduar, përderisa se numri i gjykatësve është reduktuar ndjeshëm.Gjasat janë që situata të rëndohet edhe më tej, teksa ditë pas dite institucionet e vettingut po firmosin shkarkimin e gjykatësve të cilët nuk justifikojnë pasuritë apo kanë probleme me figurën morale.

Kësaj situate të pazakontë, e cila nuk u parashikua dot edhe nga ekspertët e reformës në drejtësi, i shtohet edhe fakti se gjykata Kushtetuese dhe ajo e Lartë janë jashtë funksioni prej muajsh të tërë dhe mbetet e paqartë dita se kur këto dy institucione mund të rifillojnë normalisht punën.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb