TIRANE

Unanimisht kolegji zgjedhor refuzoi kërkesën e partisë Uniteti Kombëtar për çregjistrim nga zgjedhjet vendore, vendim ky që rrëzon në mënyrë indirekte dekretin e presidentit Ilir Meta i cili shfuqizoi 30 qershorin.

Bazuar në dekretin e Metës, që u botua mënjehërë më pas në fletoren zyrtare, partia e Drejtuar nga Idajet Beqiri kërkoi çregjistrimin nga zgjedhjet dhe heqjen nga listat e votimit, por pretendimet e tij u rrëzuan nga Kolegji, i cili konsideroi të drejtë vendimin e marrë më herët nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve.

Verdikti i trupës me relator Tomor Skrelin dhe anëtarë Ridvan Hadon, Shkëlqim Mustafën, Artur Malajn dhe Lindita Sinanajn, është i formës së prerë, perderisa nuk ka shkallë ankimimi.

Rrezimi I Padise

Gjatë seancës, Beqiri tha se nuk e pranon 30 qershorin në kushtet e krizës politike duke kërkuar çregjistrimin dhe duke e cilësuar vendimin e KQZ të pavlefshëm.

“Për shkak të botimit të dekretit në fletoren zyrtare, ne kërkojmë të mos hyjmë në zgjedhje. KQZ e shqyrtoi kërkesën tone dhe u mor me shkakun pse e kërkuam çregjistrimin. Shkaku i vetëm pse ne ngritëm këtë padi është dekreti i presidentit, ai anuloi zgjedhjet. A është i vlefshëm apo i pavlefshëm edhe po të ishte Gjykata Kushtetuese nuk do i drejtoheshim asaj. Duke qenë në këto kushte ne nuk kishim zgjidhje tjetër. Për këtë arsye erdhëm përpara jush. Kolegji duhet ta zgjidhë këtë ngërç të krijuar”, deklaroi Beqiri.

Nga ana tjetër përfaqësuesi i KQZ tha se ky institucion i qëndron vendimit që ka dhënë për Partinë Uniteti Kombëtar. “Dekreti është në shkelje të Kushtetutës. Dekreti është akt administrativ i pavlefshëm”, ka thënë përfaqësuesi i KQZ.

Nëse pesë gjyqtarët e Kolegjit do të pranonin kërkesën e Beqirit, duke urdhëruar KQZ ta çregjistrojë Partinë Uniteti Kombëtar nga zgjedhjet, atëherë pranohej ligjshmëria e dekretit të Presidentit dhe 30 qershori rrëzohej. Por me sa duket 30 qershori ngelet ende datë zgjedhjesh edhe pse jo me dekret.

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb