Kolegji Zgjedhor vendosi sot pro padisë së partisë “Lëvizja Bashkë” dhe detyron KQZ ta regjistrojë si subjekt zgjedhor për zgjedhjet e 14 majit.

Kjo parti me në krye Arlind Qorin është regjistruar në zgjedhjet lokale të 14 majit. Vendimi u mor sot në seancën e mbajtur në orën 15:00 nga Kolegji Zgjedhor. Në këtë seancë u vendos rrëzimi i vendimit të Komisionit Qendror të Zgjdhjeve për mosregjistrimin e subjektit dhe detyrimin e KQZ-së për regjistrimin.

Me këtë vendim Arlind Qori u bashkohet zyrtarisht kandidatëve të partive të tjera në garën për Bashkinë e Tiranës.

VENDIMI
Sot, më datë 21.03.2023, ora 15:00, trupi gjykues i Kolegjit Zgjedhor Gjyqësor, i përbërë nga gjyqtarët:

1. Alma Kolgjoka (Relatore);
2. Edlira Petri (Anëtare);
3. Sokol Ibi (Anëtar);
4. Manjola Xhaxho (Anëtare);
5. Marsela Dervishi (Anëtare)

në seancë gjyqësore të zhvilluar pranë Gjykatës Administrative të Apelit, pasi shqyrtoi ҫështjen që i përket:

Paditës: Partia “Lëvizja Bashkë”.
I paditur: Komisioni Qendror i Zgjedhjeve.
Objekti: Gjykimin e çështjes në themel duke: 1) rrëzuar vendimin nr.157, datë 09.03.2023 të Komisionerit Shtetëror të Zgjedhjeve; 2) rrëzuar vendimin nr.23 të Komisionit të Ankimimeve dhe Sanksioneve datë 14.03.2023, dhe 3) detyruar Komisionin Qendror të Zgjedhjeve për të marrë vendim për regjistrimin e Partisë Politike “Lëvizja Bashkë” si subjekt zgjedhor për zgjedhjet e organeve për qeverisjen vendore të datës 14 maj 2023.

Baza Ligjore: Neni 9 i Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë, neni 64, 145, e vijues i Kodit Zgjedhor, nenet 9, 13 dhe 15 të ligjit nr.8580 datë 17.02.2000 “Për Partitë Politike”.

me Vendimin Nr. 4, datë 21.03.2023, Kolegji Zgjedhor Gjyqësor,

VENDOSI:
1. Pranimin e padisë.
2. Detyrimin e palës së paditur Komisioni Qendror i Zgjedhjeve të regjistrojë partinë politike “Lëvizja Bashkë” si subjekt zgjedhor për zgjedhjet e organeve për qeverisjen vendore të datës 14 maj 2023.
3. Shpenzimet gjyqësore në ngarkim të palës së paditur.

4. Ky vendim është i formës së prerë dhe ndaj tij nuk lejohet ankim.
5. U shpall në Tiranë më datë 21.03.2023.

Tiranë, më 21.03.2023
Gjykata Administrative e Apelit Tiranë

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb