Në vitet 1930, në fshatin Borje të Kukësit, pinjolli i familjes Dokle, Safeti, që sapo ishte kthyer nga Durrësi ku kish zbuluar magjinë e fotografisë, ndërton një dhomë të errët në shtëpinë e tij. 9 dekada më vonë, koleksioni i tij i jashtëzakonshëm ju dhurua Muzeut Kombëtar të Fotografisë “Marubi” në një ceremoni në Ministrinë e Kulturës.

Luçjan Bedeni, drejtor i Muzeut Marubi: “Aktivitetit fotografik i Safet e Gjylzade Dokles shtrihet nga vitet 1930 deri në vitet 1970 dhe në koleksionin e tyre fotografik dokumentohet historia politike, jeta shoqërore, ritualet e ndryshme dhe aspektet tradicionale të Shqipërisë verilindore. Ky koleksion më i madhi i dhuruar fototekës Marubi, përbëhet nga 19 548 negativë, 31 albume, dhe 33 objekte të ndryshme si aparate fotografikë, prerësa fotografish, etj”.

“Mos të harrojmë vështirësinë e Shqipërisë së atyre viteve. Ka qenë i brishtë me siguri ai elementi që ndante të bukurën nga e keqja”, tha Ministrja Elva Margariti.

Safet e Gjylzade Dokle ishin bashkëshortë, po aq unikë në këtë raport artistik ku plotësojnë e vijojnë njëri-tjetrin, sa edhe imazhet që kanë lënë pas.

I biri i çiftit të fotografëve, Ramadan Dokle, tha se “një pjesë të madhe të jetës sime ia kam kushtuar ruajtjes dhe evidentimit e digjitalizimit të kësaj trashëgimie”.
Ndërkaq, shkrimtari e ish-deputeti Namik Dokle, i afërm i fotografëve, tha se koleksioni, është “pasion e punë, pasioni ishte i Safetit e puna e palodhur ishte Gjylzades”.

Koleksioni, pjesë e të cilit qenë ekspozuar në vitet 1980 në Kukës, është rimbledhur nga Ramadan Dokle, pas pothuaj zhdukjes nëpër magazina.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb