Këto javë të fundit janë shumë vendimtare për Parti zanin, pasi do të përballet me disa nga rivalët më të fortë, çka do të jetë njëfarë përcaktuesi i forcës së ekipit të Kolelës. Në fakt, në provën e parë dështuan, sepse Tirana i mposhti, por nesër ndaj Vllaznisë kanë shansin të rikuperojnë një pjesë të mirë të dëmeve. Në një intervistë ekskluzive për “Panorama Sport”, ka folur një nga ishliderët dhe lojtarët më të mirë të pas viteve ‘90-të te Partizani, Ardit Beqiri. Ish-kapiteni, qartësisht i mërzitur për humbjen në derbi, evidenton disa gabime të skuadrës dhe thekson se trajneri Kolela duhet të marrë përgjegjësinë. Beqiri shprehet se derbi është një matës i forcës së Partizanit dhe shton se sfida e nesërme me Vllazninë nuk ka favoritë.

Ishte ky derbi një reklamë e mirë për futbollin shqiptar?

Po, patjetër që ishte. Në mënyrë absolute. Cilësia pastaj është çështje këndvështrimi, si e sheh njëri dhe si e sheh tjetri. Për mua ishte një derbi me ritëm dhe kjo është pozitive.

Ku gaboi Partizani në këtë ndeshje?

Të them se nuk e kishte vlerësuar sa duhet kundërshtarin, është e vështirë, sepse është derbi dhe rivali vlerësohet pa diskutim. Pastaj golat po t’i shohësh janë gabime personale. Reparti i mbrojtjes gjithashtu nuk ishte në ditë të mirë. Në derbi nuk mund të kapesh me një top të gjatë si në golin e parë dhe më pas akoma më keq në golin e dytë me një kundërsulm të tillë, kur je me një lojtar më shumë.

Sa të dhimbshme e bën fakti që humbja erdhi ndaj një kundërshtar me një forcë më pak në fushë?

Si me 10 lojtarë, si me 11, humbje është ajo, mërzitesh. Derbi i tillë është, humbet edhe me 10 vetë, sepse ekipet shtrëngohen, japin maksimumin dhe në një moment diferencat e lojtarëve zhduken. Për mua i dhimbshëm shumë është goli i dytë i pësuar, sepse ajo ishte një ndeshje që edhe mund të barazohej. Mënyra se si është pësuar goli i dytë të bën të mërzitesh.

Si mund ta kishte evituar Partizani golin e dytë të Xhixhës?

Aty ka gabime pa fund. Nis që nga rrethimi i zonës, që nuk është i saktë. Ka kapur cepat e zonës dhe nuk ka kapur qendrën për topin e dytë që kthehet. Me topin që kthehet nga lojtarët e Tiranës, bie në kontakt menjëherë Xhixha. Pastaj gabimi tjetër është i Matondos, që ka vetëm një detyrë, të ruajë topin e dytë. Diçka tjetër është mungesa e komunikimit që ai nuk u bërtet shokëve për të zënë qendrën e 16- shes. Pastaj futet me të parën dhe nuk tërhiqet për t’u lënë kohë mesfushorëve të marrin kohë, por “digjet” dhe ia lë rrugën bosh Xhixhës. Aty unë shoh mungesë komunikimi. Këto që themi ne janë gabime të vogla, që kurrsesi nuk mund të bëhen në një derbi. Janë elementare. Unë e kuptoj trajnerin kur thotë se jemi sjellë si amatorë, pasi sidomos te goli i dytë ka një sjellje të tillë. Por problemi është se kur ekipi sillet si amator dhe trajneri e pranon vetë këtë, ka përgjegjësi edhe ai, të themi të drejtën. Trajneri kurrsesi nuk i shpëton përgjegjësisë kur ekipi sillet keq, sepse po flasim për elemente shumë të thjeshta. Rretho zonën, lër një mbrojtës të lirë për dublim, që duhet të ishte Matondo, dhe ky i fundit të mos hyjë vetë në dyluftim. Janë gjëra shumë të thjeshta dhe të pësosh gol në këtë mënyrë është e dhimbshme. Sepse Partizani e kishte marrë fushën, po sulmonte nga krahët, po luante mirë dhe pritej barazimi. Më pas, të vrasësh ndeshjen me një gol të tillë, nuk di ç’të them. Pas kësaj nuk hyjnë në punë as një lojtar më pak, as dy. Aty ka mbaruar gjithçka. Ai gol mund të pësohet në minutën e 90- të, kur nuk ke më shpresa. Kemi parë gola me portë bosh, kur ka dalë portieri në këndore. Por një gol i tillë nuk pësohet në minutën e 68-të, kur ishte gjithçka në lojë.

A është derbi matës i forcës së Partizanit? E njëjta pyetje iu bë edhe trajnerit Kolela pas ndeshjes dhe ai i dha të dyja opsionet, duke ia lënë kohës në dorë.

Trajneri nuk ka dashur ta pranojë me fjalën e tij, por deri diku ka thënë se edhe mund të jetë matës, por përgjigjen përfundimtare do ta japë pasi të ketë parë edhe disa gjëra, sepse është shpejt. Ndoshta vërtet është herët për të folur, por derbi gjithmonë ka qenë matës i forcës. Megjithatë, nuk është e thënë dhe mbetet për t’u parë. Duke u nisur nga rezultatet dhe ecuria e mirë e fillimit, të gjithë krijuam besim te Partizani. Besimi nuk duhet humbur, por tani nis testi i vërtetë për ekipin, por edhe për trajnerin sidomos. Nuk duhet hedhur poshtë gjithë ecuria e mirë deri tani në derbi, por që është tregues nuk e mohojmë dot. Trajneri nuk dëshiron të ulë moralin e ekipit dhe pret edhe disa përgjigje nga ekipi. Atë e thotë loja vetë, nuk ka nevojë ta thotë Kolela, derbi tregon shumë.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb