KOLUMBI

Bashkia e Medellin në Kolumbi ka vendosur të shembë me eksploziv ndërtesën 8-katëshe në të cilën jetonte Pablo Escobar. Fortesa do të kthehet në park, në nder të viktimave që shkaktoi lufta e përgjakshme mes trafikantëve të drogës.

Kryebashkiaku i qytetit u shpreh se nuk bëhet fjalë për fshirjen e historisë, por që ajo të tregohet nga këndvështrimi i heronjve të vërtetë: viktimave.

Bashkia parashikon të zëvendësojë ndërtesën me një hapësirë prej 5 mijë metrash katrorë për të kujtuar të gjithë personat që u vranë në periudhën më të dhunshme të narko-terrorizmit, në vitet 1980–1990, kur bandat e drogës bënin një luftë, e cila nuk përjashtonte asnjë.

Shkatërrimi i saj është pjesë e një fushate të Bashkisë së Medellin, e cila synon të tregojë anën tjetër të historisë, e cila nuk shfaqet as në seritë televizive. Çdo ditë grupe turistësh vizitojnë fortesën e bardhë të ndërtuar në vitet ’80 nga Eskobar në zemër të El Poblado, një nga lagjet më luksoze të qytetit.

Që nga viti i kaluar, fasada e saj është mbuluar nga manifeste në kujtim të protagonistëve të vërtetë: policë, gazetarë, gjykatës, njerëz të zakonshëm, të vrarë me urdhër të baronit të kokainës.

Pablo Escobar, një nga personat më të pasur të planetit sipas Forbes, mbeti i vrarë gjatë një shkëmbimi zjarri me policinë në vitin 1993, pasi kishte ndërtuar një perandori droge. Ndërtesa në të cilën jetonte është dhe simbol i atentatit të parë me autobombë të kryer në Kolumbi, kur në vitin 1998, banda e Kali sulmoi Escobar, rivalin e tij kryesor. Shpërthimi dëmtoi dëgjimin e vajzës së tij dhe shkazktoi një luftë të përgjakshme mes bandave.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb