Pas thirrjes për “grevë kombëtare” nga sindikatat, komunitetet vendase, grupet studentore dhe shtresave të ndryshme në Kolumbi, mijëra persona në shumë rajone të vendit protestuan kundër projektit të ri të qeverisë për reformën e taksave.

Krahas marshimeve që janë zhvilluar me pjesëmarrjen e mijëra personave në shumë pika të kryeqytetit Bogota, protesta janë mbajtur edhe në qytete të rëndësishme si Medellin, Cali, Barranquilla, Cartagena, Manizales dhe Ibague.

Protestuesit që u mblodhën në sheshin Bolivar, qendrën historike të kryeqytetit reaguan ndaj projektit të ri të qeverisë për reformën e taksave. Protestat të cilat në fillim ishin të qeta dhe paqësore, në orët në vijim u shndërruan në ngjarje të dhunshme.

Forcat policore të njësisë ESMAD ndërhynë me gaz lotsjellës ndaj disa protestuesve të cilët ndezën zjarr në rrugë dhe dëmtuan bizneset dhe automjetet përreth.

Po ashtu protestuesit sulmuan dhe tentuan të pushtojnë edhe zyrat e kanaleve të rëndësishme televizive të vendit.

Në Cali protestuesit dëmtuan mjetet e transportit publik dhe dogjën plotësisht njërin prej mjeteve.

Në fund të ditës ku forcat e sigurisë rivendosën kontrollin në vend, thuhet se u plagosën 43 persona, 23 prej të cilëve policë. Gjithashtu u arrestuan dhjetëra protestues si dhe u dëmtuan automjetet e policisë dhe ndërtesat publike.

Autoritetet në Bogota dhe Medellin që kanë pasur vështirësi për të shtypur ngjarjet, kanë qenë të detyruar të shpallin ndalesën e daljes në rrugë në dy qytetet e mëdha të vendit.

Në median sociale janë reflektuar pamje se disa nga protestuesit kanë kryer grabitje në supermarkete të mëdha dhe në banka derisa brenda kishte klientë.

Reagon presidenti Duque

Presidenti kolumbian, Ivan Duque dënoi ngjarjet e dhunës. “Ajo që kemi parë sot është një vandalizëm kriminal. Dhuna nuk mund të jetë mekanizëm i shprehjes dhe përjetimet në këtë periudhë ku luftojmë kundër pandemisë COVID-19 janë për të ardhur keq”, tha ai.

Gjithashtu edhe ministri i Brendshëm para protestave tha se “Qeveria kombëtare është garantuese e protestave por bëjmë thirrje që protestat të zhvillohen në mënyrë paqësore dhe duke respektuar të drejtat e qytetarëve. Nuk i pranojmë aktet e vandalizmit dhe të dhunës”.

Edhe në vitin 2019 janë shënuar ngjarje të ngjashme

Protestat kundër qeverisë me “grevën e përgjithshme” që u shpall më 21 nëntor 2019 në Kolumbi u përhapën në mbarë vendin, ku si pasojë humbën jetën 4 persona si dhe u plagosën 351 protestues dhe 182 policë ndërsa rreth 170 persona u arrestuan për shkak të grabitjeve dhe ngjarjeve të dhunës.

Në kryeqytetin Bogota dhe qytetin Cali për shkak të protestave që u zhvilluan me pjesëmarrjen e qindra mijëra njerëzve ku në mbarë vendin u mobilizuan mbi 4.000 ushtarë për të mbështetur policinë nëpër rrugë u shpall ndalesa e daljes në rrugë dhe më pas kjo ndalesë u hoq.//AA

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb