Presidenti i Kolumbisë, Ivan Duque njoftoi se imigrantëve venezuelas në vend do t’u jepet statusi i mbrojtjes së përkohshme.

Në një konferencë të përbashkët për media me Komisionarin e Lartë të Kombeve të Bashkuara për Refugjatët, Filippo Grandi, presidenti kolumbian Duque tha se shpreson që edhe vendet tjera do ta ndjekin këtë vendim.

“Ky hap na mundëson të fitojmë qartësi me komunitetin ndërkombëtar dhe t’i bëjmë thirrje komunitetit ndërkombëtar”, deklaroi ai.

Duque njoftoi se në kuadër të kornizës së statusit të mbrojtjes së përkohshme, imigrantët venezuelas të paregjistruar në Kolumbi do të mund të jetojnë dhe punojnë, duke përfituar nga mundësitë e ligjshme të punësimit dhe qasje e lehtë në shërbimet shëndetësore për 10 vite.

“Kjo iniciativë është një demonstrim i jashtëzakonshëm i njerëzimit, përkushtimi ndaj të drejtave të njeriut dhe pragmatizmit”, tha Duque.

Ndërkohë pritet që rreth 1 milionë imigrantë venezuelas që nuk kanë status ligjor në Kolumbi të përfitojnë nga vendimi.

Vendimi do të zbatohet vetëm për venezuelasit që kanë arritur në Kolumbi para muajit janar të vitit 2021.

Sipas Organizatës Ndërkombëtare të OKB-së për Migracionin, Kolumbia priti më shumë se 1,7 milion migrantë, që përbën rreth një të tretën e mbi 5 milionë refugjatëve që kanë ikur nga kriza ekonomike në Venezuelë.

Ndërkaq, Kolumbia është vendi që pret më së shumti imigrantë venezuelas.//AA

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb