Të mërkurën në Bjellorusi mbërritën komandantët e lartë ushtarakë rusë. Ata do të mbikëqyrin 30,000 trupa ruse gjatë një stërvitjeje ushtarake 10 ditore me ushtrinë bjelloruse, në atë që shihet si shfaqja më e fundit e forcës së Moskës, përgjatë kufirit me Ukrainën.

Rusia ka dërguar për stërvitjen në Bjellorusi dy sisteme raketore tokë-ajër, S-400 dhe avionë të shumtë luftarakë. Gjenerali Valery Gerasimov, shef i Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura ruse, do të drejtojë stërvitjen që nis të enjten.

Stërvitja në Bjellorusi është kërcënimi më i fundit ndaj Ukrainës, kryeqyteti i së cilës, Kievi, ndodhet vetëm 210 kilometra në jug të saj. Moska gjithashtu ka dërguar anije luftarake në Detin e Zi dhe ka grumbulluar më shumë se 100,000 trupa përgjatë krahut lindor të Ukrainës.

Po kështu edhe qeveria e Ukrainës njoftoi një stërvitje ushtarake 10-ditore, që nis gjithashtu të enjten, gjatë së cilës do të përdoren avionë pa pilot dhe raketa antitank të furnizuara nga aleatët perëndimorë të Kievit.

Zëdhënësi i Kremlinit Dmitry Peskov tha se Rusia po organizonte stërvitje të përbashkëta me Bjellorusinë për t’u përballur siç tha ai, me “kërcënimet e pashembullta ndaj sigurisë”.

Rusia dhe Bjellorusia janë përballur me kërcënime të pashembullta, natyra dhe përqendrimi i të cilave, për fat të keq, është shumë më i madh dhe shumë më i rrezikshëm se më parë”, u tha zoti Peskov gazetarëve.

Ekspertët perëndimorë të zbulimit thonë se ata besojnë se Moska ka dislokuar 70% të kapacitetit të saj ushtarak për një pushtim të plotë të Ukrainës, një vend që në vitet e fundit ka anuar nga Perëndimi e po kërkon t’i bashkohet NATO-s, aleancës ushtarake perëndimore të formuar pas Luftës së Dytë Botërore.

Presidenti rus Vladimir Putin ka mohuar se ka në plan të pushtojë Ukrainën, por ka kërkuar që Perëndimi që të pengojë anëtarësimin e këtij vendi në NATO dhe që aleatët perëndimorë të tërheqin trupat dhe armatimet e tyre të vendosura pranë Rusisë.

Si përgjigje, Perëndimi ka thënë se Rusia nuk ka të drejtë vetoje në procesin e anëtarësimit të një vendi në NATO, por nga ana tjetër ka shprehur gatishmërinë të negociojë me Moskën mbi çështjen e dislokimit të raketave në Evropën Lindore dhe stërvitjet periodike ushtarake të NATO-s.

Presidenti francez Emmanuel Macron bisedoi të hënën me Presidentin rus Putin dhe të martën me Presidentin ukrainas Volodymyr Zelenskiy, por takimet nuk duket t’i kenë lehtësuar tensionet apo reduktuar mundësinë e një pushtimi.

Nuk duhet të nënvlerësoni tensionin që rrethon situatën që po jetojmë, natyrën e tij të pashembullt”, tha zoti Macron në Kiev. “Nuk besoj se kjo krizë mund të zgjidhet me disa orë diskutime”, shtoi ai.

Zëvendësministri i Jashtëm rus Sergei Ryabkov tha të mërkurën se çdo gjë varet nga ajo nëse Shtetet e Bashkuara dhe NATO janë të gatshme të negociojnë seriozisht mbi kërkesat e Rusisë. Ai e quajti përgjigjen që NATO i dha Rusisë, lidhur me kërkesat e saj, “të vrazhdë e me gjuhë sfiduese”.

Ndërkohë parlamenti sllovak, një vend anëtar i NATO-s, miratoi të mërkurën një traktat ushtarak në fushën e mbrojtjes me Shtetet e Bashkuara, të ngjashëm me paktet që Uashingtoni ka me aleatët e tjerë të NATO-s.

Traktati, i nënshkruar nga Sekretari amerikan i Shtetit Antony Blinken javën e kaluar, i mundëson ushtrisë amerikane të përdorë dy baza të forcave ajrore sllovake për 10 vjet, ndërsa Sllovakia do të marrë 100 milionë dollarë nga Shetetet e Bashkuara për modernizimin e tyre.

Kryeministri i Sllovakisë Eduard Heger tha se traktati do të “rrisë ndjeshëm sigurinë e vendit”, por kundërshtarët e tij thonë se ai do të komprometonte sovranitetin e vendit.

Sekretari Blinken tha se traktati nuk do të krijonte baza të përhershme ushtarake apo një prani të përhershme trupash amerikane në Sllovaki.//VOA

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb