Nga: Dr. HASAN LUÇI*
Batalioni i parë i Brigadës partizane 23 S mori pjesë në çlirimin e plotë të Shkodrës më 29 nëntor 1944. Partizanë luftëtarë pjesëmarrës, dhe të tjerë që kanë lënë dëshmitë dhe kujtimet e tyre për atë ditë historike legjendare dhe me rëndësi kombëtare për vendin tonë, nuk lënë asnjë dyshim për vërtetësinë historike të çlirimit të vendit nga pushtuesit fashistë më 29 nëntor 1944, gjë që dëshmohet edhe nga dokumentacionet e ndryshme të pjesëmarrësve në Luftën e Dytë Botërore.
Është fakt i pamohueshëm historik, se batalionet partizane hynë në qytetin e Shkodrës në mëngjes herët, më 29 nëntor 1944. Veprimi i parë që bënë ishte ngritja e flamurit kombëtar kuqezi. Këtë akt të shenjtë kombëtar e bëri komandanti i batalionit të parë të Brigadës 23 S, Bejo Hasimi (Stefani) nga Kuçi i Labërisë, me njësinë e tij luftarake në veprim, në orën 08:00 të mëngjesit të datës 29 nëntor 1944, në Kalanë e mirënjohur të Rozafës në Shkodër. Pas këtij akti me rëndësi për lirinë dhe pavarësinë e atdheut, kjo njësi luftëtarësh shkoi në bashkinë e qytetit të Shkodrës, ku gjithashtu në ballkonin e saj ngriti flamurin në orën 10:00, ku u zhvilluan parakalimi fitimtar i partizanëve dhe mitingu popullor i ditës së Çlirimit, ku mori pjesë masivisht edhe populli i Shkodrës, ku foli komisari i batalionit të parë të Brigadës 23 S, Irfan Celkupa, nga Shijaku, përkrah komandantit Bejo Hasim Stefanit në tribunë.
Bejo Stefani shkruan kështu në kujtimet e veta për ditën e Çlirimit, 29 nëntor 1944 në Shkodër: “Në kohën kur partizanët hynë në qytet, më parë rrethojnë dhe marrin në dorëzim prefekturën, ku çarmatosin të gjithë xhandarët, milicët dhe oficerët që ndodheshin atje… Komandanti i batalionit (pra B. Stefani, – shënimi ynë), hyn në zyrën e major Daut Komit, komandant i qarkut, e gjen atë me dorezë të telefonit në vesh, duke i thënë Ndoc Çobës, kryetarit të bashkisë: partizanët kanë hyrë në qytet dhe tani që po ju flas mbërritën në prefekturë. Mendoj që pa humbur kohë të bëjmë një pritje, duke dalë me të gjithë nëpunësit dhe efektivin e komandës së qarkut; kjo do të jetë e vlefshme. Në këtë kohë, pa e lënë kuislingun të merrte përgjigje, komandanti i batalionit partizan (pra B. Stefani -shënimi ynë), ia heq dorezën e telefonit nga dora dhe i jep përgjigjen kryetarit të bashkisë: Nuk është e nevojshme të merrni këtë iniciativë, tashmë është shumë vonë; këtë iniciativë e ka marrë me kohë populli shqiptar, i udhëhequr nga Partia Komuniste, e ka marrë me kohë në dorë edhe populli i Shkodrës, janë përgatitur dhe e dinë vetë se si t’i presin partizanët, se si t’i presin bijtë e tyre, bijtë e të gjithë popullit shqiptar, që çliruan një herë e për gjithmonë atdheun nga fashistët e tradhtarët e vendit, sikundër jeni ju, prandaj, në asnjë mënyrë mos u preokuponi për këtë pritje dhe as nuk ju lejohet të lëvizni nga vendi ku jeni, sepse jeni i rrethuar!”. “Mëngjesi i datës 29 nëntor 1944, – shton B. Stefani në kujtimet e veta, – do të mbetet i paharruar në kujtimet e tyre” (Shih monografinë “Bejo Stefani”, fq. 44-49, nga dr. Hasan B. Luçi, Botimet Toena, 2011). Po kështu dëshmon me kujtimet e veta edhe Ali Rexha, komandant i togës së shtabit, që ishte së bashku me komandantin e batalionit, B. Stefanin.
Gjithashtu, në kujtimet e tij, partizani i Brigadës 23 S, Apostol Kotani shkruan: “Më kujtohen mirë veprimet luftarake të Brigadës 23 S deri në mbërritjen në Shkodër, pas veprimeve luftarake për çlirimin e Tiranës… Kjo brigadë vepronte në ndjekje të forcave balliste-zogiste dhe naziste në rrugën Tiranë – Shkodër… Forcat tona, më 25 nëntor mbërritën në Bushat dhe Barbullush. Aty u ndalëm, pasi forcat naziste gjermane dhe ato reaksionare ishin përqendruar dhe fortifikuar në kalanë e Bërdicës e në Beltonjë. Më 26 nëntor, forcat e Brigadës 23 S sulmuan forcat armike në kalanë e Bërdicës, ku u zhvilluan luftime të ashpra edhe më datë 27 nëntor. Me gjithë motin e keq dhe epërsinë teknike, armiqtë u detyruan të tërhiqeshin drejt Shkodrës. Forcat partizane, të lagura nga shiu dhe të rraskapitura nga të ftohtët dhe lëvizjet, u strehuan në Bushat dhe Barbullush deri në pasditen e 28 nëntorit. Aty pësuam bombardime të shumta gjatë gjithë natës… Gjermanët në tërheqje hodhën në erë edhe urën e Baçallëkut. Në marshimin dhe kalimin me varka, pa u gdhirë 29 nëntori, dëgjuam oshtimën që armiqtë hodhën në erë urën e Bunës dhe u larguan. Pas pak hymë në qytet. U rreshtuam në pazarin e vjetër dhe, në orën 10:00 bëmë parakalimin e fitores me gjithë forcat e tjera, të pritur me brohoritje dhe urra nga mijëra shkodranë. Populli kishte dalë të festonte. Atë ditë, më 29 nëntor 1944, Bejo Hasimi (Stefani) ngriti flamurin në Kalanë e Rozafës. Kjo dhe vetëm kjo është e vërteta”. (Kujtim brezash, datë 27.01.2008, me titull “Unë dëshmoj për çlirimin e Shkodrës më 29 nëntor 1944, dr. Apostol Kotani, veteran, historian e publicist.)
Në kujtimet e mia, unë veterani Kol Xhafer Peçi dëshmoj sa vijon: “Me njësinë time të Brigadës I S, u rreshtova në Tiranë më 29 nëntor 1944, ku Nako Spiru na tha se Shkodra u çlirua po atë ditë… Më 3 dhjetor 1944 mbërrita në Shkodër, ku takova edhe bashkëfshatarin tim Bejo Hasim Stefani, komandant i batalionit të parë të Brigadës 23 S, që mori pjesë në çlirimin e plot të Shkodrës më 29 nëntor 1944. B. Stefani tregoi ngjarjet e asaj dite si edhe bashkëluftëtarë të tjerë të pranishëm. Në orën 8:00 të mëngjesit u ngrit flamuri kombëtar në Kalanë e Rozafës dhe në orën 10:00 gjithashtu u ngrit flamuri në ballkonin e prefekturës… Historiani Kadri Dingu, shkruan për këtë ditë të çlirimit në Historinë e LANÇ-it të popullit shqiptar, në fq. 856-857.
Historia beson dëshmitarët e ngjarjeve dhe dokumentacionin kohor historik, fitimtarë ose humbës, dhe jo ata që e kanë halë në sy LANÇ-in, siç janë kolaboracionistët (pra bashkëpunuesit tradhtarë të atdheut) me fashistët italianë e nazistët gjermanë dhe pasardhës të tyre, që sot janë bërë bori turpi në sytë e opinionit publik mbarëshqiptar dhe para botës së qytetëruar antifashiste. Qielli nuk mbulohet dot me shoshë dhe turpi historik nuk lahet kurrë me asnjë lëng trularës nga tru unukët e ditëve të tyre të hidhura për trutë e tyre bashkëpunues e bashkëveprues për interesat personale të vjetra dhe të reja, që duan të ringjallin kërmat fashiste ende sot. Koalicioni Antifashist Botëror ua ka vënë kufirin te thana, që kur Shqipëria u pranua ‘de facto’ dhe ‘de jure’, me luftën e saj titanike të Frontit Nacionalçlirimtar kundër bllokut të fashizmit gjatë Luftës së Dytë Botërore, duke zënë vend nderi e krenarie të lavdishme, me luftën e gjatë e pa kompromise të popullit shqiptar dhe flijimin e 28 mijë dëshmorëve për liri e pavarësi.
Lavdi LANÇ-it, FNÇ-së, veteranëve partizanë dhe popullit shqiptar! I paharruar për jetë të jetëve gjaku i dëshmorëve të Atdheut, që çelikosën përfundimisht lirinë dhe pavarësinë e Shqipërisë së re më 1944-ën! Veterani Kol Xhafer Peçi”.

(d.d/GSH/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: