TIRANE- Kuvendi i Shqipërisë diskuton sot disa projektligje të rëndësishme, të cilat pritet të ngjallin debate mes mazhorancës e opozitës. Pasi ministrja e Mbrojtjes ka prezantuar Projektligjin për autoritetet e drejtimit dhe komandimit në FA, ka reaguar ish-kryeministri Sali Berisha, duke u shprehur se këto ndryshime janë antikushtetuese. Ndërsa i kërkon ministres t’u kërkojnë ndjesë qytetarëve për këto ndryshime të ligjit, Berisha the se këto bëhen me qëllim që t’i jepen Ramës të gjitha kompetencat.

Berisha tha se këto kompetenca i takojnë Kreut të Shtetit, dhe nuk duhet të kalojnë tek kreu i Qeverisë.

“Ishte kërkesa më minimale jetike që zonja të kërkonte ndjesë këtu për ndryshimet antikushtetuese që i bëri ligjit, vetëm e vetëm që Edvini të bëhej sulltan. Të merrte edhe funksionet e Komandantit të Përgjithshëm që i ka kryetari i shtetit. Ky ligj është hartuar në një kohë kur ministër i mbrojtës ka qenë Pandeli Majko. Ky ligj është miratuar në atë kohë padyshim nga mazhoranca socialiste, asnjeri s’e lëvizi për 8 vite me radhe. Kreu i ekzekutivit resopektoi rigorozisht kompetencat e kretu të shtetit.
Me dukeni sot si qeveria e Gate Mahmutajt, por ai është burrë më i mirë se ju.

Erdhët ju tani dhe bëtë ndryshime të tilla që dhunojnë kushtetutën, dhe ju nuk duhet t’i lejonit. Ai është abuzator që ka krijuar një kabinet si ku që kemi përpara, dhe nga mëngjesi deri në darkë rënd për pushtet e para furishëm”, tha Berisha.

KODHELI: LIGJI PËR FA NË PËRPUTHJE ME KUSHTETUTËN
Ministrja e Mbrojtjes Mimi Kodheli deklaroi sot në foltoren e Kuvendit se ndryshimet në ligjin për FA-të synojnë përshtatjen e plotë me vendimin e gjykatës kushtetuese.

“Ky projektligj ose këto ndryshime që vinë i ligjit 64 të vitit 2014 për autoritetet e drejtimit dhe komandimit të FA-ve, është në përputhje ekzakte me përcaktimet që ka dhënë vendimi nr. 10 i Gjykatës Kushtetuese. Pas Kushtetuetës ky është një ligj, një akt normativ kryesor mbi të cilin zhvillojnë veprimtarinë forcat tona të armatosura, pasi përcakton zinxhirin e drejtimit dhe të komandimit të FA-ve dhe koptencat e tyre. Pikat e shfuqizuara nga vendimi nr 10 i gjykatës kushtetuese janë thelbësore për ushtrimin e veprimtarisë drejtuese dhe komanduese dhe ndërkohë ndryshimet që sjellim sot synojnë përshtatjen e plotë me vendimin e sipërcituar të gjykatës kushtetuese. Gjithashtu janë bërë dhe dy ndryshime të vogla në pikën numër dy të nenit 13, të cilat nuk kanë të bëjnë me vendimin e gjykatës, por me implementimin në praktikë të ligjit dhe do të shërbejnë për qartësimin e kompetencave të emërimi, lirimit dhe shkarkimit nga detyra të personelit civil në strukturat civile në varësi të ministrisë së mbrojtjes me përjashtim të atyre që gëzojnë statusin e nënpunësit civil. E përsëris që nuk ka pasur asnjë shkelje të kushtetutes me ligjin e mëparshëm as atëherë dhe as sot. Por plotësimi i vendimeve të gjykatës kushtetuese në ndryshim nga Ju që kur ishit në shumicë kur ishit në qeverisje i keni shkelur ato me dhjetëra herë, madje disa prej tyre nuk i keni zbatuar edhe sot, qoftë edhe kur flitet për ish pjesëtar të forcave të armatosura dhe këtu flas, ish ushtarakë me status, me pasoja dhe sot. Kjo do të thotë se ne jemi në respekt të institucioneve kushtetuese ndaj dhe kemi ardhur me këto ndryshime të cilët e zbatojnë pikë për pikë vendimin e gjykatës kushtetuese”

FLAMUR NOKA: DITËT I KENI TË NUMËRUARA, MAKINËN E TAHIRIT E PËRDORËN TRAFIKANTËT
Deputeti demokrat Flamur Noka ka akuzuar ministrin Tahiri për përfshirje të narkotrafikut, duke u ndalur sërish tek çështja e makinës së tij.

“Ditët i keni të numëruara. Nuk ka shqiptar që ta pranojë këtë si ministër. Makinën e tij e përdorën trafikantët, se vetëm kështu asnjë polic nuk do t’i ndalonte apo kontrollonte. Ju vazhdoni me arrogancë dhe kapardiseni para qytetarëve”, tha Noka.

RAMA: LUFTA KUNDËR INFORMALITETIT NUK KTHEHET MBRAPA, AMNISTINË NUK E NJOHIM
Kryeministri Rama theksoi vendosmërinë e qeverisë së tij për të çuar deri në fund betejën kundër informalitetit, duke deklaruar se nuk do të ketë amnisti për asnjë biznes që nuk shlyen detyrimet ndaj shtetit. Nga foltorja e Kuvendit, Rama tha se “kjo qeveri do të jetë kundër çdokujt që i bën të tjerët për budallenj”.

“Sot parlamenti duhet t’i japë përgjigje paketës për të shtyrë me shpejtësi përpara luftën kundër informalitetit, për ti dhënë fund historisë së një vendi, ku njësoj si në sektorët e tjerë, shqiptarët janë ndarë në budallenj që paguajnë dhe në të përkëdhelur që nuk paguajnë. Lufta kundër informalitetit nuk kthehet mbrapa. Amnistinë nuk e njohim, nuk do amnistojmë asnjë biznes. Kush i ka detyrime këtij shteti do të paguajë”- deklaroi Rama.

Duke ironizuar protestat e opozitës, gjatë kohës që autoritetet kryenin aksionin kundër vjedhjes së energjisë, Rama tha: “Siç e morët në 2015 përgjigjen për të gjithë nxitjen për  kusarinë dhe hajdutërinë me energjinë elektrike, do ta merrni edhe për informalitetin.”

PROJEKTLIGJI PËR FA-TË, BRAHO: NË HIERARKINË E DREJTIMIT MERR PJESË EDHE KUVENDI
Duke folur për draftin e Forcave të Armatosur, Kreu i Komisionit të Sigurisë, Spartak Braho tha se ky ligj mirëpërcakton pushtetet dhe autoritetet përgjegjëse të komandimit dhe të drejtimit të tyre. Braho theksoi se ai është në qasje më të plotë me praktikat europiane dhe detyrimet e ndërmarra në kuadër të aleancës së NATO-s. Gjithashtu deputeti i LSI-së u shpreh se në hierarkinë e drejtimit dhe të komandimit, merr pjesë edhe Kuvendi i Shqipërisë.

Spartak Braho

“Projektligji “Për disa ndryshime dhe shtesa në ligjin “Për pushtetet dhe autoritetet e drejtimit e të komandimit të Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë”, vjen për shqyrtim për shkak të disa shfuqizimeve që ka bërë Gjykata Kushtetuese.

Ky ligj është mjaft i rëndësishëm për fushën dhe funksionimin kushtetues të Forcave të Armatosura, pasi mirëpërcakton pushtetet dhe autoritetet përgjegjëse të komandimit dhe të drejtimit të tyre.

Ky ligj njëkohësisht është miratuar në qershor të vitit 2014, si pjesë përbërëse e paketës ligjore “Koha dhe procesi” të reformimit të Forcave të Armatosura, proces i cili mundësoi një qasje më të plotë me praktikat më të mira europiane dhe detyrimet e veprimet e ndërmarra në kuadër të aleancës së NATO-s.

Qëllimi parësor i ligjit është përcaktimi më i qartë i autoriteteve të komandimit të Forcave të Armatosura, i përgjegjësive, i roleve dhe i funksioneve të institucioneve e organeve të përfshira në sigurimin e mbrojtjes kombëtare të Republikës së Shqipërisë, zbatimin e parimit demokratik të kontrollit dhe drejtimit civil mbi forcat e armatosura, si dhe përcaktimin e niveleve strategjike dhe operacionale të përgjegjësive për drejtimin e tyre në kohë paqeje, në gjendje të jashtëzakonshme dhe në kohë lufte. Siç vihet re dhe sanksionohet në ligj, në hierarkinë e drejtimit dhe të komandimit, merr pjesë edhe Kuvendi i Shqipërisë, si institucion që ka rolin qendror në planifikimin, kontrollin, menaxhimin e përgjithshëm të mbrojtjes kombëtare, si dhe në përcaktimin e drejtimeve strategjike të Forcave të Armatosura.

Ndryshimet që paraqiten në këtë projektligj janë të domosdoshme në veprimtarinë drejtuese e komanduese mbi Forcat e Armatosura dhe autoritetet përgjegjëse.

Ky projektligj vjen si rrjedhojë e një analize të plotë e të qartë edhe mbi efektet që la vendimi i Gjykatës Kushtetuese dhe hendekut ligjor të krijuar si pasojë e këtij vendimi, i cili është detyrues për këdo.

Projektligji synon përshtatje në përputhje me këto vendime, ndryshimet e të cilave do të sillnin hapësirë konfonduese në kuptimin e drejtë dhe në zbatim të kompetencave themelore në zinxhirin e drejtimit dhe komandimit të Forcave të Armatosura.

Vlen të theksohet se Komisioni për Sigurinë Kombëtare, në bashkëpunim të ngushtë edhe me iniciatorin e këtij projektligji, pra me Ministrinë e Mbrojtjes, gjatë shqyrtimit dhe miratimit në komision, vlerësoi se përfundimet e Gjykatës Kushtetuese për dispozitat ligjore duhet të gjejnë zgjidhje ligjore më të mirë të mundshme, duke evidentuar dhe evituar paqartësitë dhe konfondimet, si dhe respektimin maksimalisht të këtyre vendimeve. Për këtë qëllim gjatë diskutimit të projektligjit në komision u bënë disa amendamente dhe përmirësime, të cilat rregullojnë dispozitat ligjore në strukturën e komandimit dhe të drejtimit të Forcave të Armatosura.

Për sa i përket nenit 22, pika 3, të ligjit të shfuqizuar tashmë, dispozita të cilat përcaktojnë autoritetin përkatës gjatë gjendjes së jashtëzakonshme dhe fatkeqësive natyre në drejtimin e Forcave të Armatosura, nuk janë propozuar ndryshime në ligj. Është vetë Kushtetuta që në nenet 170, 173, 174, 175 përcakton qartë kompetencat dhe rregullat e ndërveprimit të organeve qendrore publike në rast të gjendjes së jashtëzakonshme ose gjendjes së fatkeqësive natyrore.

Këto kompetenca kanë të bëjnë kryesisht me vendosjen dhe zgjatjen e gjendjes së jashtëzakonshme, vendosjen e gjendjes së fatkeqësive natyrore, si dhe masat që merren për liritë dhe të drejtat e njeriut, të cilat mund të kufizohen gjatë këtyre situatave.

Shfuqizimi i këtyre dispozitave nuk ndikon në zbatimin e ligjit nr. 64, pasi përgjegjësia për këto raste tashmë shpërndahet sipas zinxhirit të komandimit të përcaktuar në ligj.

Gjykoj që ky projektligj arrin plotësisht qëllimin duke qenë në përputhje me ato vlerësime që ka bërë Gjykata Kushtetuese, si dhe do të sigurojë zbatimin e duhur të tij.

Së fundi, duke vlerësuar edhe një herë rëndësinë e këtij projektligji për të pasur një qasje me praktikat më të mira të vendeve anëtare të NATO-s, duke ju siguruar se respekton çdo dispozitë kushtetuese, ju ftoj jo vetëm në emër të Komisionit të Sigurisë, por edhe në emër të Grupit Parlamentar të LSI-së për ta miratuar atë”, përfundoi Braho.

(el.sp/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb