Nga ANISA YMERI* TIRANË- Është qendër e studimeve arkeologjike në Ballkanin Perëndimor sot, kur në pyetje është qytetërimi mesjetar, por vendimmarrja e administratës shqiptare të vitit 2014-të, ka vendosur që qytetërimi arbëror i Komanit të ketë një tjetër fat.

Linja e interkonjeksionit Shqipëri-Kosovvë mund ta shkatërrojë atë pakthyeshmërisht. Për çka Forumi për Mbrojtjen e Trashëgimisë ka zgjedhur të reagojë nga Akademia e Shkencave, që ky vendim të rishikohet, sepse ndryshe ky sit me rëndësi jo vetëm për Shqipërinë, s’do të jetë më.

“Përmasë e jashtëzakonshme e këtij qytetërimi. Kemi rreth 7 kisha në zonën e sipërme të Komanit dhe 5 të tjera që janë rreth e përqark pikërisht në këtë zonë ku mendohet se do ndërtohen shtyllat e tensionit të lartë. Kemi zbuluar banesat, të cilat janë në sistem shkallësh, në sistem tarracash. Imagjinoni një model të Beratit që në mesjetën e hershme pra që në shekullin e VII e VIII e IX”, tha Etleva Nallbani, drejtuese e misionit arkeologjik.

Sipas arkitektit Arben Biçoku, në vendimmarrje është shkelur ligji. “Projekti është shqyrtuar në datën 2 dhjetor të vitit 2014 në Këshillin Kombëtar të Territorit dhe është shqyrtuar në datën 12 dhjetor në Këshillin Kombëtar të Arkeologjisë. Ne e quajmë gabim, kërkojmë ndryshimin e këtij vendimi dhe ndryshimi i këtij vendimi nuk është mosbërja e linjës por korrigjimi i trasesë ku kalon projekti”, tha Arben Biçoku, anëtar i forumit pjesa ku thotë Këshilli i Territorit.

Nga ana tjetër, forumi ngre edhe shqetësimin se në Mbledhjen e Këshillit Kombëtar të Arkeologjisë ku është marrë ky vendim, nuk kanë qenë të pranishëm anëtarët me peshë të tij. Ndërkaq, në cilësinë e kreut të këtij forumi, gjithaq specialist i energjetikës në vend, Gjergj Bojaxhi thotë se

“Nuk ka asnjë efekti negativ për sistemin energjetik shqiptar, nëqoftëse ka rishikim apo një ngadalësim të punimeve për të rishqyrtuar vlerën që ka zona arkeologjike e Komanit. Kosto për ndryshimin e projektit e ka vlerën më të ulët se sa vlera që ka zona arkeologjike e Komanit në bazë të mendimeve të ekspertëve që ne kemi”, tha Bojaxhi.

Në këto kushte, anëtarë të këtij forumi, specialistë të fushës dhe arkeologë të cilët janë pjesë e këtij misioni gërmimi dhe studimi në sitin arkeologjik, lëshojnë alarmin SOS për shkatërrimin e tij.

“Prandaj duhet të jemi fatlum që e kemi dhe të luftojmë për mbrojtjen e tij, ky është apeli im”, bëri thirrje Nallbani.

Ndërkaq, ndërsa debati dhe kundërshtia vijon, Ministria Kulturës, ka zgjedhur të theksojë se vendimi për këtë çështje, tanimë është një e shkuar dhe s’ka më kthim pas.

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: