Serioziteti nis që te listat e lojtarëve që grumbullon dhe më pas i publikon për mediat. Por, në momentin kur për shkak dëmtimesh apo ndonjë arsyeje tjetër, dikush nga lojtarët mungon dhe zëvendësohet, më e pakta që mund të bëjë institucioni i futbollit shqiptar është të njoftojë përmes kanaleve zyrtare të informimit, qoftë në faqen e internetit apo llogaritë që ka në rrjetet sociale. Më e rëndë bëhet situata, pasi bëhet fjalë për Kombëtaret, aty ku serioziteti duhet të jetë në kulm për FSHF-në.

Por, çfarë ka ndodhur? Më 31 gusht trajneri i Kombëtares Shpresa, Alban Bushi, doli para mediave për ndeshjen eliminatore ndaj Spanjës, që u zhvillua më 6 shtator në transfertë dhe Shqipëria humbi 3-0. Bushi, ndër të tjera deklaronte: “Dua të falënderoj të gjithë lojtarët që kanë qenë pjesë e ekipit U-21 dhe nuk do të jenë këtë herë të grumbulluar për faktin se ne po ndërtojmë skuadrën për të ardhmen dhe jo për shkak merite.

Mund të veçoj këtu Durmishajn, Laçin, Krymin, Tolin, që janë të datëlindjeve ’96-’97 dhe nga tetori e pas duhet të mendojmë për lojtarët të datëlindjes ’98-’99”. Mirëpo, në mbrëmjen e 6 shtatorit befas pjesë e formacionit të Shpresave ishte sulmuesi Fiorin Durmishaj, për të cilin Bushi rezervoi një falënderim në konferencën e pak ditëve më parë për shtyp.

Asnjë njoftim nga FSHF se si ka mundësi që lojtari i Panioniosit i bashkohet Kombëtares U-21 dhe mësohet vetëm kur luhet ndeshja, në një kohë që nuk figuronte fare në listën zyrtare për sfidën ndaj Spanjës. Por, nga ajo që mësohet, është fakti se skuadrës nuk i ishte bashkuar në grumbullim as sulmuesi i Venecias, Xhiakomo Vrioni, i cili do të debutonte me kuqezinjtë. Edhe për këtë, asnjë shpjegim nga FSHF.

Një rrumpallë e vërtetë dhe të mendosh që organizimi në Kombëtare duhet të jetë një shembull. Por, kjo nuk është rastësi, pasi zyra për shtyp e FSHF-së ka hezituar të sqarojë opinionin edhe për atë që ka ndodhur në ekipin A. “Panorama Sport” zbuloi në numrin e djeshëm se Eros Grezda prej dy ditësh kishte lënë Kombëtaren, ndërkohë që në konferencën e fundit për shtyp të trajnerit Kristian Panuçi nuk u dha asnjë sqarim për largimin e mesfushorit, për të cilin në fakt ishte një habi përfshirja në listë, pasi ai nuk luan prej muajsh nga një dëmtim.

Estrada vazhdoi ditën e sotme, teksa krejt pa pritur në stërvitje u shfaq Ergys Kaçe. Lajmi për thirrjen e mesfushorit korçar në sfidën ndaj Skocisë është mësuar vetëm nga rrjetet sociale, pasi zyrta për shtyp e FSHF-së nuk nxjerr asnjë informacion në lidhje me hyrje-daljet e paplanifikuar.

I pyetur në konferencën për shtyp në lidhje me mos informimin e mediave për ndryshimet e bër, trajneri ia kalon topin FSHF-së, pasi nuk është detyra e tij që të publikojë lajmet në faqen zyrtare të Federatës:

“Pyesni Çarçanin, (shefin e marrëdhënieve me shtypin) e ka ky fajin, nuk e kam unë që nuk është publikur në media për largimin e Grezdës, apo ardhjen e Kaçes”, ishin fjalët e Panuçit në konferencë.
/PanoramaSport/

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb