Kombëtarja shqiptare e femrave është duke u përgatitur për dy sfidat e radhës zyrtare ndaj Belgjikës e Armenisë, të vlefshme për kualifikueset e Kampionatit Botëror “Australi – Zelandë e Re 2023”. Skuadra kuqezi janë grumbulluar që prej ditës së diel në kompleksin “Tropikal” në Durrës dhe vijon seancat stërvitore duke u përgatitur me intensitet për ndeshjet, teksa të gjithë vajzat e grumbulluara janë në formë të mirë dhe për momentin nuk ka probleme fizike.

Pjesë e këtij grumbullim edhe mesfushorja Alma Hilaj, e cila aktivizohet në Itali me skuadrën e FC Como Women. Në një prononcim për Fshf.org ajo vlerëson atmosferën në skuadër dhe shpreh bindjen se Kombëtarja do të bëjë gjithçka për një paraqitje sa më të mirë ndaj Belgjikës.

“Jam shumë e lumtur që jemi rikthyer në grumbullim së bashku me vajzat. Skuadra është në gjendje të mirë, jemi në ditën e dytë të grumbullimit dhe po përpiqemi të përgatitemi në mënyrën e duhur fillimisht për ndeshjen e parë ndaj Belgjikës, që të bëjmë një paraqitje sa më të mirë. Mendoj se kemi një grup shumë cilësor lojtaresh dhe ndihemi shumë mirë kur luajmë së bashku”, – thotë Alma Hilaj.

Sa i përket ndeshjes së dytë me Armeninë, mesfushorja kuqezi beson shumë se Shqipëria e femrave do të përsërisë atë sukses në ndeshjen e parë në Tiranë të tetorit me përfaqësuesen kuqezi që fitoi me shifrat 5-0.

“Në ndeshjen e parë në Tiranë kemi bërë një paraqitje shumë të mirë. Besoj edhe në ndeshjen e kthimit do të bëjmë të njëjtën paraqitje dhe për këtë arsye po përgatitemi shumë dhe e kemi marrë shumë seriozisht këtë sfidë. A mund të lëmë dy skuadra pas në renditje? Unë mendoj se kjo gjë mund të arrihet, pasi kemi një grup shumë të mirë dhe besoj se mund të arrijmë më shumë. Do të ishte tejet pozitive dhe një arritje e madhe nëse arrijmë të lëmë pas nesh dy skuadra në renditje”, – thekson Hilaj në prononcimin e saj.

Për Fshf.org ka folur edhe mesfushorja tjetër Endrina Elezaj, e cila ka shumë besim se ky grup mund të bëjë dy ndeshje mjaft të mira ndaj Belgjikës dhe Armenisë. Elezaj thekson se prurjet e reja po përshtaten shumë shpejt me grupin dhe do ta ndihmojnë ekipin të rritet.

“Jemi kompletuar si skuadër, na janë bashkangjitur edhe disa vajza nga klube të huaja. Besoj se jemi gati për dy sfidat e radhës, sigurisht kemi emocione siç ndodh para çdo ndeshjeje, por ne jemi përgatitur maksimalisht, si në aspektin fizik ashtu edhe në atë psikologjik. Edhe pse prurjet e fundit në ekip janë vajza të reja unë mendoj se do të integrohen dhe përshtaten shumë shpejt me grupin. Sigurisht ne kemi nevojë edhe për vajza të reja, qoftë për të ardhmen, por qoftë edhe për këtë grumbullim të radhës”, – shprehet Endrina Elezaj, teksa shton se fokusi është te ndeshja e parë me Belgjikën, që është një nga rivalet më të forta të grupit. Gjithashtu, futbollistja kuqezi thotë se çdo ndeshje është shumë e rëndësishme dhe çdo rezultat pozitiv apo pikë janë shumë të vlefshme për Kombëtaren shqiptare në çdo aspekt.

“Urojmë dhe shpresojmë shumë të bëjmë një paraqitje sa më të mirë dhe të lëmë pas dy skuadra në renditje. Po përgatitemi maksimalisht së bashku edhe me stafin teknik, jemi fokusuar fillimisht te ndeshja e 7 prillit e Belgjikën dhe unë shpresoj shumë që të mund të marrim një rezultat pozitiv. Çdo ndeshje është e vlefshme për ne, edhe nëse nuk vlejnë për t’u kualifikuar në fazën tjetër, por është shumë e rëndësishme të marrim pikë, qoftë edhe për prestigj. Sidomos në ndeshjen ndaj Armenisë unë besoj se do të marrim tre pikët dhe të realizojmë një fitore të bukur siç ëmë në ndeshjen e parë në Tiranë”, deklaroi Elezaj në prononcimin e saj.

Sfida e parë e vajzave kuqezi do të jetë ndaj Belgjikës më 7 prill në stadiumin “Elbasan Arena” dhe pesë ditë më vonë, përfaqësuesja shqiptare do të luajë në transfertën e Armenisë.

 

(BalkanWeb)

 

 

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb