Nga: AHMET SHQARRI*
E parashikuar si festa kurorëzuese e vitit, përkundrazi, ndeshja miqësore e Kombëtares sonë ndaj Gjeorgjisë u shfaq e shëmtuar, në fushë dhe në tribuna. Pavarësisht atij barazimi të rastësishëm në fund, loja “eksperimentale” e trajnerit dhe stafit të tij teknik, përfshi edhe deklaratat “optimiste” të ndonjë drejtuesi pas ndeshjes, nuk mundën që ta fshihnin atë skandal që u shfaq nëpër tribunat e stadiumit. Hedhja e fishekzjarrëve dhe tymuesve në fushë, që ndërprenë për pak çaste edhe ndeshjen, e pastaj largimi i tifozëve “Kuq e Zi” nga stadiumi, në shenjë proteste për padrejtësitë, që sipas tyre u janë bërë nga federata e futbollit, ishte sfondi real i asaj çka u shfaq në mbrëmjen e 16 nëntorit në stadiumin “Qemal Stafa”. Ky reagim i ashpër i tyre ishte edhe si një lamtumirë e hidhur ndaj këtij tempulli historik të sportit shqiptar, që me këtë ndeshje të fundit u paralajmërua për shkatërrimin së shpejti, kur fare mirë një rikonstruksion i tij dhe një stadium krejtësisht i ri në periferi të Tiranës do të pasuronin më shumë infrastrukturën tonë futbollistike. Por, mesa duket, nuk qenka e thënë të ndodhë kështu, sepse matrapazët e këtij vendi janë të gatshëm që për interesat e tyre të privatizojnë e të përlajnë gjithçka. Shihni se çfarë ndodh me futbollin, bosët e të cilit pasi po përpiqen të fusin në dorë edhe stadiumet, (siç kanë bërë deri tani me atë të Elbasanit, skuadra e së cilës, për këtë shkak është thuajse e përjashtuar prej tij, duke humbur kështu traditën dhe tifozët), tani janë hedhur në sulm për të “privatizuar” edhe Kombëtaren! Natyrisht, kjo nuk ka asnjë shans që të ngjasë, sepse kemi të bëjmë me ekipin që përfaqëson një komb të tërë, pra u përket të gjithëve dhe jo siç synon ndonjë dritëshkurtër dhe injorant që kërkon ta identifikojë atë si një “pronë” të vetën! Por, faktet e kohëve të fundit janë duke e përforcuar këtë paranojë të ca individëve të neveritshëm, milionero-mafiozë, drejtues burokratë apo edhe ca të tjerëve që i ka turbulluar idolatria e gënjeshtërt e që e kanë lëkurën e tyre të veshur me ca simbolika emrash të së kaluarës dhe që tashmë janë strukur arkivave gati të harruara të kohës.
Fakti i përmendur që në fillim të këtij komenti, për tifozët “Kuq e zi” që protestuan duke e braktisur ndeshjen miqësore të Kombëtares sonë ndaj Gjeorgjisë të hënën e 16 nëntorit, kur ata nuk kanë lënë vend në Europë për ta ndjekur dhe inkurajuar ekipin e tyre të zemrës, ishte një apel i qartë për ata që duan të uzurpojnë gjithçka. Fjala ishte për institucionin drejtues të futbollit, veprimet sektare të të cilit nuk u shërbejnë aspak tifozëve, siç qe “seleksionimi” dhe pastaj pengimi i tyre për të ndjekur ndeshjen e kthimit ndaj Serbisë. Apo rasti tjetër po aq flagrant, ai i të privuarit të një mase milionëshe spektatorësh për të parë falas, nëpërmjet ekranit të RT publik shqiptar, ndeshjen e së premtes së 13 nëntorit në Prishtinë, mes Kosovës dhe Shqipërisë.
     Kualifikimi historik i Kombëtares sonë për në finalet e Europianit të ardhshëm, përveçse një gëzim e krenari për të gjithë shqiptarët kudo që jetojnë e punojnë, po përdoret ndër të tjera si një lloj pronësie prej ca njerëzve fodullë dhe primitivë, që kujtojnë se fitorja në fjalë është thjesht një vepër e tyre, e gatuar në kuzhina batakçillëqesh dhe jo rezultat i një sakrifice të gjatë e tepër të lodhshme futbollistësh, si dhe e trajnerit të tyre këmbëngulës De Biazi. Edhe rasti i mostransmetimit të ndeshjes Kosovë-Shqipëri nga RT publik shqiptar për të cilin të gjithë shqiptarët paguajnë taksa për ta parë, ishte një shembull tjetër konkret i arrogancës së paturpshme të atyre që kujtojnë se mund ta privatizojnë Kombëtaren edhe me kësi metodash tërësisht djallëzore. T’i detyrosh shqiptarët për ta parë ndeshjen në fjalë vetëm nëpërmjet një TV privat me pagesë, ky është një keqpërdorim dhe manipulim i asaj mase milionëshe tifozësh, të cilët vjen një ditë dhe ta përplasin në surrat revoltën e tyre nëpërmjet asaj që bënë atë mbrëmje në miqësoren ndaj Gjeorgjisë apo në forma të tjera parullash, sharjesh e fishkëllimash nëpër sheshe të tejmbushura për suksesin e Kombëtares. Deklarata e sekretarit të Federatës Kosovare të Futbollit, se për ndeshjen e 13 nëntorit në Prishtinë, institucioni i tyre ishte paguar 30 mijë euro nga bosët shqiptarë të futbollit që të drejtën e transmetimit ta merrte një TV privat, ku kanë aksione vetë drejtuesit e federatës përkatëse, ishte e mjaftueshme për të kuptuar absurditetin e këtij mjedisi mashtrues në të cilin jetojmë. Ndërsa bota e sfidon masakrën terroriste të Parisit edhe nëpër stadiume të tejmbushura, siç ndodhi të martën e kësaj jave në “Wembli”, tek ne tifozët i braktisin tribunat, siç ndodhi ndaj Gjeorgjisë, për shkak të asaj politike që shkon ndesh me interesat e tyre.       

(g.b/GSH/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: