Në çdo moment delikat, në çdo dalje publike, Panucci nuk humbet rastin të thumbojë lojtarët e tij, t’i akuzoj, shpesh edhe pse pa shumë “etikë” profesionale. Sigurisht të menaxhosh një Kombëtare të “nxehtë” si Shqipëria, ku nuk mungojnë refuzimet, apo ku duhet të bindesh futbollistë si Lorent Sadiku që ka tre opsione për të zgjedhur, nuk është aspak e lehtë.

Nuk është e lehtë as të ruash qetësinë në konferencë për shtyp, në një kohë kur gazetarët i kërkojnë llogari për kriteret e përzgjedhjeve, apo për mënyrën se si po menaxhon futbollistët që ka në dispozicion. E gjithë kjo klimë bën që shpesh Panuçi të “shpërfytyrohet”, e tillë ishte dhe konferenca e fundit në vigjilje të sfidës kundër Skocisë, ku në rastin më të mirë italiani i faturoi dështimin lojtarëve dhe mungesës së komunikimit:

“Kemi pësuar 3 gola nga goditje standarte. Kanë qenë gabime fëmijërorë. Më duket sikur po merrem me një skuadër të shurdhët. Ne kemi skuadër memecësh që nuk flasin. Unë duhet të rri të them kujdes këtu, kujdes atje”.

Ky është vetëm një ekstrakt i monologut të Panuccit, një shfryrje e cila na kthen shumë pas në kohë, duke na kujtuar atë konferencë epike të Trapatonit kur drejtonte Bayern Munich, por ish tekniku i famshëm italian në Mynih mbahet mend vetëm për atë konferencë pasi në fushë aventura e tij rezultoi një dështim…

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb