Kombëtarja shqiptare është kompletuar tashmë në Varshavë dhe ka nisur përgatitjet për transfertën e vështirë polake.

Kuqezinjtë kanë kryer një seancë stërvitore në kryeqytetin e Polonisë nën shiun e ‘rëndë’ dhe të vazhdueshëm.

Ernest Muçi u bashkua sot me grupin, siç bën me dije FSHF dhe u stërvit veçmas ndërsa në darkë bashkohet dhe Marash Kumbulla.

Shqipëria më 2 shtator luan në Poloni, më pas rikthehet në Elbasan për të luajtur ndaj Hungarisë e San Marinon.

 

NJOFTIMI NGA FSHF

Kombëtarja shqiptare ka zhvilluar të hënën një seancë stërvitore në Varshavë në kuadër të ndeshjes ndaj Polonisë, që luhet më 2 shtator. Seanca u zhvillua në stadiumin e skuadrës së Polonia të Varshavës dhe në të morën pjesë thuajse të gjithë lojtarët me përjashtim të Marash Kumbullës, i cili bashkohet në mbrëmje me grupin.

Zyra e shtypit në FSHF bën me dije se i gjithë programi stërvitor u zhvillua në reshjet e vazhdueshme të shiut, ndërkohë që lojtarët u impenjuan në ushtrime taktike, duke provuar vendosje të ndryshme në fushë.

Me ekipin është bashkuar sot edhe debutuesi Ernest Muçi, i cili ka qenë i impenjuar me klubin e Legias së Varshavës në transfertë të dielën mbrëma. Për këtë arsye Muçi është stërvitur veçmas me përgatitësit atletikë për një pjesë të seancës.

Situata është e qetë dhe grupi është në gjendje të mirë, pasi nuk ka asnjë problem me dëmtimet. Kuqezinjtë do të vijojnë sipas programit stërvitor edhe ditën e martë, ndërkohë që të mërkurën do të zhvillojë seancën zyrtare stërvitore një ditë para sfidës me polakët.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb