TIRANË- Dhjetëra banorë të Kombinatit kanë protestuar sot për ndërprerjen e energjisë elektrike. Ata kanë pohuar se prej një jave janë pa drita për shkak se OSHEE u ka ndërprerë energjinë.

Protestuesit kanë pranuar se janë debitorë, por njëkohësisht ata deklarojnë se kanë lidhur kontrata të rregullta për shlyerjen e kësa debie. Banorët e kanë quajtur të padrejtë ndërprerjen e energjisë.

“Kemi një javë pa energji elektrike. Ne e dimë që jemi debitorë, por kemi lidhur kontrata të rregullta për shlyerjen e kësaj debie. Megjithatë pavarësisht kontratës energjia u ndërpre. Këtu mungon infrastruktura e energjisë elektrike. Mungojnë transformatorë, kabuj, shtylla etj”, kanë thënë banorët.

Gjatë protestës, dy banorë kanë shfaqur probleme shëndetësore dhe janë dërguar në spital, jo me ambulancë por nga banorë të tjerë me makina të rastit.

Por nga ana tjetër OSHEE deklaron se në zonën ku është ndërprerë energjia elektrike, janë 198 familje që nuk kanë kontratë me OSHEE si dhe 103 nuk kanë as matës të energjisë elektrike. “Këta konsumatorë, janë debitorë prej vitesh ndaj kompanisë.

Sakaq, OSHEE garanton se nesër do të ngrejë shtylla të reja dhe do të shtrijë linja të posaçme ABC, për të siguruar furnizim me energji elektrike falë infrastrukturës së re, vetëm atyre konsumatorëve që pranojnë të paguajnë faturat ose të hyjnë në marrëveshje me OSHEE për t’i paguar me këste ose të përfitojë ulje të debisë me 80%”, thuhet në reagimin e OSHEE.

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb