Ndërsa fliste nga Ura Vajgurore për përgjimet e dala së fundmi nga dosja 339, kryeministri i vendit Edi Rama komentoi edhe deklaratën e drejtueses së Krimeve të Rënda, Donika Prelës, e cila gjatë fjalës së saj akuzoi prokurorin paraardhës të dosjes 339 (Besim Hajdarmataj) se kishte zbardhur vetëm përgjime sporadike, pa kryer hetime për blerjen e votave në Durrës.

Në një linjë me të, pa përmendur emrin e prokurorit, Rama tha se një prej tyre, apo dy i kanë çuar këto përgjime tek PD, pasi ashtu si politikanët i tremben reformës në drejtësi.

“Po dëgjoja kryesuesen e Krimeve të Rënda, ndonëse me vonëse, por ka shpjeguar arsyen pse këto zbulime të mëdha që janë abuzim me ligjin e nxjerrje sekreti hetimor, për të bërë politikë e përdorur kundër Shqipërisë. Dëgjojini dhe lexojini kush janë personat që i kanë mbajtur në sirtar këto zbulime të mëdha. Njëri nga ata, apo dy i kanë çuar tek partia për t’i përdorur për politikë. Sepse ata i bashkojnë shumë gjëra, lufta ndaj reformës në drejtësi. Kemi prokurorë që tmerrohen nga vettingu dhe politikanë që tremben nga vettingu”,- vijoi ai.

Emrin e prokurorit Hajdarmataj, e përmendi mbrëmë në një emision televiziv, numri dy i qeverisë, Erion Braçe, i cili e akuzoi si njeriun që ka çuar përgjimet te PD.

CFARE THA SOT DONIKA PRELA
“Në kuadër të hetimeve, janë administruar gjithsej 624 CD me regjistrime të përgjimeve elektronike dhe 115 DVD. Nga këto, janë 110 CD për vitin 2017, 479 CD për vitin 2018 dhe 35 CD për vitin 2019. Sqarojmë se referuar Informacionit që më është vënë në dispozicion nga dy prokurorët e çështjes, në momentin e ngritjes së grupit hetimor nga ana e drejtuesit të prokurorisë tetor 2018, të gjitha CD e administruara kanë qenë të pa transkriptuara në tërësi dhe vijimësi, por ka pasur transkripte të pjesshme, vetëm të disa numrave të veçantë, dhe në mënyrë sporadike. Po kështu, në këtë moment është konstatuar se janë kryer veprime hetimore të hapura vetëm në drejtim të veprave penale të trafikimit të lëndëve narkotike të kryera në qytete të ndryshme të vendit dhe abuzimeve me pronat në zonën e Qarkut Lezhë, ndërsa për veprat e tjera penale, duke përfshirë dhe veprat penale në fushën e zgjedhjeve nuk ka patur hetime të hapura, me përjashtim të përgjimeve, të cilat siç dhe theksova, nuk kanë qenë të transkriptuara në tërësi”.

(m.a/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb