Kryeministri Edi Rama ka dhënë detaje në lidhje me marrëdhënien me ish- zyrtarin e FBI Charles McGonigal i cili po përballet me dy akuza në SHBA, mes tyre njëra e lidhur me Shqipërinë.

Rama ka hedhur poshtë deklaratën e tij të mëparshme kur tha se e kishte mik ish zyrtarin, ndërsa tani deklaroi se e ka pasur fjalën për një “friendly relationship”.

I pyetur në lidhje me lejimin e krijimit të një komisioni parlamentar me anë të të cilit mund të hetohet lidhja e kryeministrit Rama dhe qeverisë me këtë çështje, Rama tha se për çështjen ka folur drejtësia amerikane dhe se kjo nuk mund të kontestohet nga ato që i quajti “Foltorja” dhe “vula”.

Pjesë nga biseda me gazetarët:

Rama: Më mirë të shpenzojmë më shumë kohë nga ajo që i kam dhënë gurëve që hidhen në lumë për të bërë më shumë punë e për të zgjidhur më shumë hallet e njerëzve. Është një klimë Big Brotheri mediatik e politik, të gjithë i gjëmojnë like e share pa i vënë rëndësi nëse janë të vërteta.

Keni deklaruar se e keni mik.

Rama: Fjala mik është shumë e madhe. Unë kam folur për natyrën e marrëdhënies në gjuhën angleze, “Friendly relationship”. E kam takuar në zyrën me të rëndësishme të FBI në New York ku më ka dhënë medalje e kapele që në Big Brotherin politik u përfolën si përgjues, por nuk kemi shkëmbyer opinioni mbi fushat ku ishte ekspert.

A ishte në dijeni Ambasada Amerikane për takimet tuaja?

Rama: Unë nuk lajmëroj ambasadën amerikane kur takoj amerikanë

Kam takuar një zyrtarët më të lartë të FBI dhe do e takoja sa herë të më jepej mundësia një zyrtar me atë post. Kam takuar dhe presidentin e SHBA dhe fakti që është nën hetim apo jo nuk ka lidhje me mua. kam bërë shumë mirë që e kam takuar. Gjithë kjo është një absurd. Në akt padi nuk ka asgjë që lidhet me mua apo qeverinë përveç takimeve.

Takimet thuhet se janë shoqëruar me pagesa.

Rama: Në çfarë gjuhe e keni lexuar këtë?

Do të lejoni një komision parlamentar për hetimin e çështjeje?

Kjo çështje është hetuar nga drejtësia amerikane dhe kanë dalë konkluzione. Nëse mendoni se kjo mund të kontestohet nga vetëgjyqësia e Foltores apo vulës, nuk kam asnjë koment. Njerëzit zgjedhin të besojnë psh që edhe një oligark i madh rus ka ardhur në Karavasta për të përfituar nga shegët e luleshtrydhet.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: