Komisioni Publik ankimon vendimin e KPK për Elona Toron, gjyqtare në Gjykatën e Apelit të Tiranës.

Komisioneri Publik, brenda afatit ligjor, ushtroi ankim në Kolegjin e Posaçëm të Apelimit, pranë Gjykatës Kushtetuese, kundër vendimit nr. 264, datë 17.6.2020, të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, për subjektin e rivlerësimit, znj. Elona Toro, me detyrë gjyqtare pranë Gjykatës së Apelit Tiranë.

Komisioneri Publik, pasi shqyrtoi vendimin nr. 264, datë 17.6.2020, konstaton se përfundimet e arritura nga Komisioni i Pavarur i Kualifikimit për konfirmimin në detyrë të subjektit të rivlerësimit, znj. Elona Toro, janë rrjedhojë e një hetimi jo të plotë administrativ.

Komisioneri Publik kërkon nga Kolegji i Posaçëm i Apelimit që të riçelë hetimin gjyqësor, pasi vlerëson se subjekti i rivlerësimit, në gjendjen që janë aktet, nuk arrin nivel të besueshëm për konfirmimin në detyrë.

Institucioni i Komisionerëve Publikë është ngritur dhe funksionon në bazë të nenit 179/b dhe aneksit të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë, dhe ligjit nr. 84/2016, “Për rivlerësimin kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë”.

Komisionerët Publikë përfaqësojnë interesin publik gjatë procesit të rivlerësimit kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: