Konferenca e Kryetarëve miratoi vendimin për zhvillimin e mbledhjeve të komisioneve të përhershme të Kuvendit me prezencë fizike, duke respektuar distancimin fizik dhe masat e tjera mbrojtëse për parandalimin e përhapjes së infeksionit të shkaktuar nga COVID-19.

Në respekt të këtij vendimi, Kuvendi bën me dije se gazetarët dhe kameramanët, të cilët ndjekin mbledhjet e komisioneve parlamentare fizikisht, duhet të paraqesin certifikatën e vaksinimit ose testin PCR negativ, përpara zhvillimit të mbledhjes. Certifikata ose testi do t’i dorëzohen punonjësit të sektorit të medias në hyrje.

Sipas vendimit, deputetët, anëtarë të komisioneve do të duhet të paraqesin certifikatën e vaksinimit ose testin PCR negativ i kryer jo më vonë se 48 orë përpara mbledhjes.

Ishin anëtarët e Partisë Demokratike, të cilët kërkuan që mbledhjet e komisioneve të zhvilloheshin fizikisht në salla, dhe jo më online dhe sot ky vendim u mor nga Konferenca e Kryetarëve pas propozimit të kreut të grupit parlamentar të PS-së Taulant Balla.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb