TIRANË

Teksa Komisioni Hetimor për shkarkimin e Presidentit ka zhvilluar sot mbledhjen e radhës, kryetari i tij, deputeti i PS Alket Hyseni ka rreshtuar një sërë akuzash nga Presidentit Ilir Meta.

Ai tha se Presidenti është kthyer në një recidivist të shkeljes së kushtetutës dhe ligjit dhe se deklaratat apo veprimet e tij kanë qenë në shkelje të kushtetutës.

“Një person që e ka shndërruar pozicionin e tij në mjet për qëllime personale, politike të vetat, të një grupimi të caktuar të ngushtë apo pak më të gjerë por që nuk përfshin tërësinë e popullit apo disa nga parimet themelore që kanë bërë kushtetutbërësit, duke e përcaktuar Presidentin si një figurë shumë të lartë honorifike në pozitën e kryetarit të shtetit që përfaqëson unitetin e popullit shqiptar.
Herë-herë ka devijuar, herë-herë ka lundruar në rreshta, shumë herë ka dalë nga këto shina të cilat Kushtetuta i ka përcaktuar.
Presidenti i vendit tonë nuk garanton neutralitetin e institucioneve gjatë kësaj periudhe që është objekt hetimi.
Deklaratat e tij kanë kaluar në nivelet e qëndrimeve nxitëse dhe cenuese të sigurisë dhe rendit deri në konflikte. Deklaratat apo veprimet e Presidentit të Republikës kanë qenë tërësisht në shkelje. Cenimi i imazhit të vendit tonë përtej rolit të tij për të qene figura që duhet të përcjellë në mënyrë honorifike qëndrimin e qeverisë dhe parlamentit”, tha Hyseni.

Sipas tij, përtej shkeljes kushtetuese, mund të ketë elementë të veprës penale që do i adresohen Prokurorisë.
“Thirrje për referendum, për një pozicion që nuk e ka kompetencë dhe tagër. Sulme personale ndaj individëve të caktuar të Kuvendit, ministra e përfaqësues të tjerë. Thirrjet mjerane për përmbysje, për shfarosje, për korrje nga jugu në veri, për shpërndarje të Kuvendit, kur nuk ka asnjë tagër, e kanë nxjerrë nga shinat, si shkelje e rëndë e Kushtetutës së Shqipërisë. Veprimet e Presidentit për vetëgjyqësi, shpërfytyrimi i individit dhe institucionit në përleshje me policë, si rasti i bashkisë së Tiranës, thirrjet për vetëgjyqësi drejtuar popullit, thirrje për të gjetur patronazhistët, duke iu thënë fshihuni se do t’ju gjejmë, thirrje të tilla dy ditë para, shoqëruar të nesërmen me deklarata politike të politikanëve dhe shoqërimi me vrasjen fatkeqe të një qytetari më lënë shije jo thjesht të hidhur, por gjykoj që mund të ketë përtej shkeljes kushtetuese dhe elementë të veprës penale”, deklaroi Hyseni.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb