TIRANË

Pas 6 mbledhjeve me debate e mosmarrëveshje maxhorancë-opozitë, duket se Komisioni Hetimor për Zgjedhjet e 25 prillit ka hyrë sot në rrugën e duhur, me miratimin e rregullores së brendshme dhe zgjedhjen e sekretarit të komisionit. Megjithatë edhe mbledhja e sotme është shoqëruar me debate, teksa palët e kanë cilësuar veten ‘drejtëza paralele’ që nuk por në fund opozita dhe maxhoranca e kanë gjetur çelësin e konsensusit. Ndërkohë që kryetari i Komisionit Enkelejd Alibeaj ka lexuar gjatë mbledhjes dhe një sërë kërkesash nga opozita për marrje informacioni, që ishte dhe pika e dytë e rendit të ditës.

Rendi i ditës kishte si pikë të parë miratimin e procesverbaleve të mbledhjeve të kaluara. Pika e dytë, njoftime, pika e tretë vazhdimi i shqyrtimit të rregullores së brendshme të komisionit hetimore, e katërta zgjedhja e sekretarit të komisionit, e pesta caktimi i mbledhjes së ardhshme.

Lidhur me procesverbalet, Alibeaj tha se pas konsultimit me sekretarinë e komisionit ato janë zbardhur, pritet dhe zbardhja e mbledhjes paraardhëse. Ato do të zbardhen dhe më pas do të nënshkruhen në mbledhjen tjetër. Ndërkohë sa i përket njoftimeve, ai tha se deputetët kanë bërë disa kërkesa për informacion drejtuar institucioneve, ku përfshihet kryeministri Edi Rama, kreu i Kadastrës Artan Lame, drejtori i Gjendjes Civile Bledar Doracaj, ministres së Shëndetësisë Ogerta Manastirliu, Prokurorit të Përgjithshëm Olsian Çela, Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë Gledis Nano etj. Kërkesat do të shpalosen deri më 14 nëntor, kur do të prezantohet dhe plani i hetimit.

Në kërkesën për kryeministrin Edi Rama, kërkohet informacion si titullar i Këshillit Kombëtar të Territorit. Po kështu kërkesat janë për një sërë Inspektoratesh e Agjencish.

Për Kryeministrin Edi Rama, si Kryetar i Këshillit Kombëtar të Territorit

Z. Kryetar,
Bazuar në nenin 13, pika 4 dhe nenin 14, gërma “b” të ligjit nr. 8891, datë 02.05.2002 “Për organizimin dhe funksionimin e Komisioneve Hetimore të Kuvendit”, kërkojmë një informacion të plotë dhe të detajuar për sa më poshtë:
1. Sa është numri i lejeve të ndërtimit që janë dhënë për periudhën 01.01.2020 – 30.04.2021, të ndara sipas secilit muaj të kësaj periudhe dhe për secilën njësi vendore?
2. Sa është numri i hapësirës në metër katrorë që këto leje zenë, sipas bashkive në të cilat janë dhënë lejet, për periudhën 01.01.2020 – 30.04.2021?
Duke ju falënderuar për bashkëpunimin.

Për Arben Krajën, Drejtues i Prokurorisë Kundër Korrupsionit/Krimit të Organizuar

I Nderuar Z. Kraja,
Bazuar në nenin 13, pika 4 dhe nenin 14, gërma “b” të ligjit nr. 8891, datë 02.05.2002 “Për organizimin dhe funksionimin e Komisioneve Hetimore të Kuvendit”, kërkojmë një informacion të plotë dhe të detajuar për sa më poshtë:

1. Sa është numri i kallëzimeve penale të depozituar pranë kësaj prokurorie lidhur me krimet zgjedhore?
2. Sa është numri i procedimeve penale të regjistruara lidhur me krimet zgjedhore dhe në çfarë faze ndodhen hetimet lidhur me to?
3. Në çfarë faze ndodhen hetimet lidhur me publikimin e të dhënave personale të 910 mijë qytetarëve të Tiranës?
Duke ju falënderuar për bashkëpunimin.

Për Olsian Çelën, Prokuror i Përgjithshëm

I Nderuar Z. Cela,
Bazuar në nenin 13, pika 4 dhe nenin 14, gërma “b” të ligjit nr. 8891, datë 02.05.2002 “Për organizimin dhe funksionimin e Komisioneve Hetimore të Kuvendit”, kërkojmë një informacion të plotë dhe të detajuar për sa më poshtë:
1. Sa është numri i kallëzimeve penale të depozituar pranë prokurorive të rretheve gjyqësore lidhur me krimet zgjedhore?
2. Sa është numri i procedimeve penale të regjistruara lidhur me krimet zgjedhore dhe në çfarë faze ndodhen hetimet lidhur me to?
Duke ju falënderuar për bashkëpunimin.

Për Bledar Doracaj, Drejtor i Përgjithshëm i Gjendjes Civile

Z. Drejtor,
Bazuar në nenin 13, pika 4 dhe nenin 14, gërma “b” të ligjit nr. 8891, datë 02.05.2002 “Për organizimin dhe funksionimin e Komisioneve Hetimore të Kuvendit”, kërkojmë një informacion të plotë dhe të detajuar për sa më poshtë:
1. Sa është numri i shtetasve shqiptarë që kanë ndryshuar adresën e banimit në periudhën 01.01.2020 – 30.04.2021, të ndarë sipas secilit muaj të kësaj periudhe dhe për secilën bashki?
2. Cilat janë kompanitë e nënkontraktura në pesë vitet e fundit (01.01.2015 – 31.12.2020) për mirëmbajtjen e bazës së të dhënave të gjendjes civile? Ju lutem, që emrat e kompanive të shoqërohen edhe me të dhënat kryesore të marrëdhënieve kontraktore që kanë ekzistuar këto kompani.
3. A ka pasur ndonjë/disa raste kur janë vërejtur incidente me bazën e të dhënave që administrohet nga institucioni juaj, të tilla si, por pa u kufizuar në, rrjedhje të të dhënave, hyrje të paautorizuara apo cënime të tjera të parametrave të sigurisë?
4. A ka pasur ndonjë/disa raste kur institucioni juaj zyrtarisht ose informalisht i ka vënë në dispozicion të dhëna personale Partisë Socialiste apo personave të lidhur me të, nga ato që administrohen nga institucioni juaj? Nëse po, ju lutem shpjegoni në mënyrë të detajuar rastet kur ka ndodhur.
Duke ju falënderuar për bashkëpunimin.

Për Ogerta Manastirliun/ Ministër i Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale

Znj. Ministre,
Bazuar në nenin 13, pika 4 dhe nenin 14, gërma “b” të ligjit nr. 8891, datë 02.05.2002 “Për organizimin dhe funksionimin e Komisioneve Hetimore të Kuvendit”, kërkojmë një informacion të plotë dhe të detajuar për sa më poshtë:

1. Sa është numri i personave/familjeve që kanë përfituar ndihmë ekonomike përgjatë periudhës 01.01.2020 – 30.04.2021, të ndara sipas secilit muaj të kësaj periudhe dhe në secilën Bashki?
2. Sa është numri i personave/familjeve që kanë hyrë në skemën e ndihmës ekonomike për here të parë gjatë periudhës 01.01.2020 – 30.04.2021, të ndara sipas secilit muaj të kësaj periudhe dhe në secilën Bashki?
3. A është rritur masa e përfitimit të ndihmës ekonomike për familjet përfituese përgjatë periudhës 01.01.2020 – 30.04.2021, të ndara sipas secilit muaj të kësaj periudhe dhe në secilën Bashki? Dhe nëse po, sa familje kanë përfituar nga rritja e masës dhe me cilin akt është miratuar rritja?
Duke ju falënderuar për bashkëpunimin.

 Shërbimit Informativ Shtetëror

PD i kërkon Drejtorit të Përgjithshëm i Shërbimit Informativ të Shtetit,  Helidon BENDO, informacioni të detajuar në lidhje me 4 pyetje të cilat kanë të bëjnë me veprimtarinë dhe nëse janë konstatuar persona të dyshuar si të përfshirë në krime zgjedhore. Nëse ky institucion ka përcjellë pranë organeve ligjzbatuese informacione lidhur me dyshime të arsyeshme për persona të përfshirë në krime zgjedhore dhe numrin total të informacioneve të përcjella për këtë çështje. SHISH i shtrohet gjithashtu pyetja nëse gjatë veprimtarisë së saj ndaj elementëve të krimit të organizuar, a janë konstatuar raste të përfshirjes së tyre në krime zgjedhore apo në fushatë zgjedhore? A janë informuar
organet ligjzbatuese lidhur me këto raste? Sa është numri i tyre?  Sa është numri total i informacioneve të trajtuara dhe përpunuara nga institucioni juaj, që përfshinë dyshime për angazhim në krime zgjedhore, e ndarë sipas secilit qark?

Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit

PD kërkon informacion të plotë dhe të detajuar Drejtorit të Përgjithshëm i Policisë së Shtetit
Gledis Nano, për numrin e shtetasve të ndaluar, arrestuar dhe që janë referuar pranë organit të akuzës për krime zgjedhore, në rang kombëtar dhe për secilin qark. Numrin e shtetasve shqiptarë që kanë hyrë në territorin e Republikës së Shqipërisë nga Republika e Greqisë dhe e Maqedonisë së Veriut në periudhën 19.04.2021 – 25.04.2021 si dhe vendosja në dispozicion e listës së plotë e këtyre personave.

Drejtorisë së Përgjithshme të Rezervave Materiale të Shtetit

PD kërkon informacion të plotë dhe të detajuar Drejtor i Përgjithshëm i Rezervave Materiale të Shtetit, Sokol Zaimi,  për gjendjen e rezervave të shtetit në depozitat qendrore dhe lokale për çdo muaj në periudhën 01.01.2020 – 30.04.2021.

Inspektoratet

PD kërkon informacion të plotë dhe të detajuar 10 inspektoriateve në lidhje me  numrin e të punësuarve pranë këtij institucioni  dhe pranë institucioneve vendore (inspektorateve/drejtorive vendore) përgjatë periudhës 01.01.2020 – 30.04.2021. Në lidhje me rritjen e rrogës, apo shpërblime për secilën kategori punëmarrësish dhe sa punonjës kanë përfituar nga kjo rritje? Nëse ka patur shtesa apo shpërblime ndaj punonjësve të institucionit tuaj, masat administrative të marra ndaj subjekteve të inspektimit, numrin e inspektimeve të kryera dhe masave të marra në secilin qark përgjatë periudhës 01.01.2020 – 30.04.2021

Agjencia e Prokurimeve Publike

PD kërkon informacion të plotë dhe të detajuar Drejtores së Përgjithshme të Agjencisë së Prokurimeve Publike, Reida Kashta, në lidhje me numrin e tenderave, koncesioneve, PPP-ve të shpallura apo për të cilat fituesi është shpallur në periudhën 01.01.2020 – 30.04.2021, të ndarë sipas muajve. Vlerën totale e fondit limit për procedurat e mësipërme për secilin muaj gjatë periudhës 01.01.2020 – 30.04.2021. Vlerën totale të ofertave të shpallura fituese për secilin muaj gjatë periudhës 01.01.2020 – 30.04.2021.

Bashkitë

PD i kërkon informacion të plotë dhe të detajuar kryetarëve të 61 bashkive ku i drejtohen 9 pyetje në lidhje me numrin e të punësuarve pranë Bashkisë, institucioneve të saj të varësisë, përfshi
edhe shoqëritë në pronësi të saj, rritjen e fondeve të pagave, rritjen e numrit të punonjësve, rritjen e shtesave dhe shpërblimeve, numrin e përfituesve të ndihmës ekonomike dhe numrin e lejeve të ndërtimit si edhe hapësirat në metër katrorë të dhëna nga bashkia për periudhën 01.01.2020 – 30.04.2021.

Ministri i Shtetit për Rindërtimin

PD i kërkon informacion të plotë dhe të detajuar Ministrit të Shtetit për Rindërtim, Arben Ahmetaj, në lidhje me numrin e banesave të ndërtuara/rindërtuara, për të cilat është bërë dorëzimi i
banesave gjatë periudhës 01.01.2020 – 30.04.2021, të ndara sipas secilit muaj të kësaj
periudhe dhe në secilën Bashki. Numrin e familjeve që janë prekur nga tërmeti dhe që kanë përfituar dëmshpërblim gjatë periudhës 01.01.2020 – 30.04.2021, të ndara sipas secilit muaj të kësaj periudhe dhe në secilën Bashki? Sa është masa e shpërblimit për këto familje.

Drejtoria e Përgjithshme e Gjendjes Civile

PD i kërkon informacion të plotë dhe të detajuar Drejtorit të Përgjithshëm të Gjendjes Civile Bledar Doracaj, në lidhje me numrin e shtetasve shqiptarë që kanë ndryshuar adresën e banimit në periudhën
01.01.2020 – 30.04.2021. Kompanitë e nënkontraktura në pesë vitet e fundit për mirëmbajtjen e bazës së të dhënave të gjendjes civile, emrat e kompanive dhe të dhënat kryesore të marrëdhënieve kontraktore që kanë ekzistuar këto kompani. PD kërkon të dhëna nëse janë vërejtur incidente me bazën e të dhënave që administrohet nga Drejtoria e Përgjithshme e Gjendjes Civile në rrjedhje të të dhënave, hyrje të paautorizuara apo cënime të tjera të parametrave të sigurisë dhe nëse Drejtoria e Përgjithshme e Gjendjes Civile zyrtarisht ose informalisht i ka vënë në dispozicion të dhëna personale Partisë Socialiste apo personave të lidhur me të.

Departamenti i Administratës Publike

PD i kërkon informacion të plotë dhe të detajuar Drejtores së Përgjithshme të Departamentit të Administratës Publike Albana Koçiu në lidhje me numrin e punonjësve në administratën publike, qendrore dhe vendore për periudhën 01.01.2020 – 30.04.2021, të ndarë për secilin muaj të kësaj periudhe. Për administratën publike vendore, sa është numri i punonjësve në secilin qark dhe secilën bashki?

Kompani Publike

PD i kërkon informacion të plotë dhe të detajuar Operatorit të Shpërndarjes së Energjisë Elektrike (OSHEE), Korporatës Elektronergjetike Shqiptare (KESH), Operatorit të Sistemit Të Transmetimit (OST)
Postës Shqiptare, në lidhje me numrin e punonjësve si edhe të rinj të punësuar, rritjen e pagave, shpërblimet dhe shtesat mbi pagat dhe me çfarë akti është miratuar shpërblimi apo shtesa mbi pagë, për periudhën 01.01.2020 – 30.04.2021.

Bashkitë – Tërmeti

PD i kërkon informacion të plotë dhe të detajuar 11 bashkive, Durrës, Shijak, Krujë, Lezhë,  Mirditë, Kurbin, Tiranë, Kamëz, Vorë, Kavajë, Rrogozhinë, mbi numrin e banesave të ndërtuara dhe të rindërtuara, numrin e familjeve që janë prekur nga tërmeti dhe që kanë përfituar dëmshpërblim
gjatë periudhës 01.01.2020 – 30.04.2021 dhe sa  është masa e shpërblimit për këto familje.

 Agjencia Kombëtare e Shërbimit të Informacionit

PD i kërkon informacion të plotë dhe të detajuar Mirlinda Karcanaj, nga Agjencia Kombëtare e Shërbimit të Informacionit, ku i drejtohen tre pyetje në lidhje me kompanitë e nënkontraktura në pesë vitet e fundit për mirëmbajtjen e bazës së të dhënave të gjendjes civile. Emrat e kompanive të shoqërohen edhe me të dhënat kryesore të marrëdhënieve kontraktore që kanë ekzistuar këto kompani. Nëse janë vërejtur incidente me bazën e të dhënave që administrohet nga Agjencia Kombëtare e Shërbimit të Informacionit, në hyrje të paautorizuara apo cënime të tjera të parametrave të sigurisë, nëse ka pasur ndonjë/disa raste kur institucioni juaj zyrtarisht ose informalisht i ka vënë në dispozicion të dhëna personale Partisë Socialiste apo personave të lidhur me të, nga ato që administrohen nga ky institucion.

Komisioneri për Mbrojtjen e të dhënave personale

PD i kërkon Komisionerit për Mbrojtjen e të Dhënave Personale, Besnik Dervishi, vënien në dispozicion të praktikës së plotë të ndjekur për rastin e publikimit të të dhënave personale të 910 mijë qytetarëve të Tiranës.

Ministria e Brendshme

PD i kërkon Ministrin të Brendshëm Bledar Çuçi, informacion të plotë dhe të detajuar lidhur me  numrin e shqiptarëve me të drejtë vote që jetojnë jashtë Shqipërisë, veçanërisht atyre që jetojnë në Greqi dhe Maqedoninë e Veriut.

Ministritë

PD i kërkon 11 ministrive informacion të plotë dhe të detajuar mbi numrin e punonjësve të Ministrisë si edhe ata të rinj, në institucionet e saj të varësisë, përfshi edhe shoqëritë ku Ministria ka pronësinë, për periudhën 01.01.2020 – 30.04.2021.

 Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural

PD i kërkon Ministres së Bujqësisë dhe Zhvilimit Rural, Frida KRIFCA, vënien në dispozicion të një informacioni të detajuar mbi numrin, vlerën e rimbursimeve, tollonave të karburanteve të dhëna fermerëve për periudhën 01.01.2020 – 30.04.2021.

DEBATET

Qefalia: Si mund të vijohet pa miratuar procesverbalin e mbledhjes së kaluar.

Alibeaj: Është pengesë objektive e sekretarisë. Për dijeninë tuaj askush në këtë komision nuk ka marrë vendime në shkelje të ligjit. Janë vetëm kërkesa nga deptuetët. në mbledhjen e ardhshme do merren vendime dhe e para do jetë domosdoshmërisht miratimi i procesverbaleve.

Naço: Pa lexuar procesverbalin nuk i kam mundësitë, të hedh fal që të di çfarë keni diskutuar ju.

Alibeaj: Nuk ka asnjë lloj vendimmarrje. Jemi vetëm në konstatime vendimesh fizike.

Naço: Hiqeni nga rendi i ditës pikën 3 për rregulloren.

Alibeaj: Jo më kot thashë se janë çështje kërkesash, jo vendimmarrje. Është e domosdoshme të mos e heqim pikën 3, duhet ta ezaurojmë.

Bardhi: Çështja e procesverbalit është dhe çështje e administratës së Kuvendit. Sa i përket asaj që tha zoti Naço, duhet të jemi seriozë. Mbledhjen e kaluar kërkuat të futej në rendin e ditës shqyrtimi i rregullores së brendshme. Sot thoni hiqeni nga rendi i ditës. Kjo nuk më duket serioze. Të çlirojmë veprimtarinë e Komisionit, të fillojmë punën sepse kemi ngecur në një pikë që nuk përbën asnjë arsye dhe s’ka ndasi, tek rregullorja. A thua e gjithë puna varet nga rregullorja. Kemi 6 mbledhje që merremi me nenin 1 dhe 2. Kemi 6 mbledhje që nuk zgjedhim dot sekretarin. Ju lutem të ecim përpara me mirëkuptim.

Naço: Ne kemi kërkuar të votonim me konsensus. Në parim e kemi miratuar rregulloren. Ramë dakord të diskutonim nen për nen. Ne sigurisht do të ecim si drejtëza paralele. Ju thoni na i keni vjedhur zgjedhjet, ne themi i kemi fituar. KQZ e ka deklaruar.

Alibeaj: Ka rënë në tërësi në momentin kur nuk votohet në tërësi. Nuk shkoi deri në fund, kështu që ka rënë për këtë pikë. Lidhur me pikën e tretë të rendit të ditës, ajo është dhe po kështu pika e katërt.

Naço: Hidheni në votim dhe ta rrëzojmë.

Alibeaj: Po bëjmë një gjë tjetër, e tërheqim. E lëmë hapësirën e tillë që ta fillojmë dhe njëherë sipas një propozimi. Përderisa nuk mori votat, e tërheqim. jemi në pikën për ta rihartuar, pikën zero.

Xhaferraj: Duhet të jeni më korrektë në drejtimin e komisionit. Ka filluar në mbledhjen në orën 10:00 dhe për një orë ka folur vetëm 3 minuta një nga kolegët e opozitës, vetëm zoti Bardhi. Do i lutesha zotit Naço, kujdes me komentet, mos t’i paragjykojë gjërat. Në këtë komision kemi objektiv të kuptojmë si keni fituar ju dhe pse jemi në opozitë. Për çfarë keni frikë, ju keni shtet, pushtet, institucione. Pse doni të na pengoni?

Alibeaj: Jemi në fazat fillestare të komisionit hetimor. E dimë qëndrimin e secilës palë. Për të provuar ato që themi qëndron tek fakti sa do sjellim prova. Kalojmë tek pika e tretë e rendit të ditës.

Petro Koçi: Përderisa ne të gjithë kemi informacion se ka një konsensus për mbledhjen, tek pika 3 të hiqet fjala vazhdimi dhe zëvendësohet me shqyrtimi i rregullores. Miratohet.

Vasili: Edhe miratimi në parim nuk qëndron? Ky është moment për t’u sqaruar, se që ky u bë pazari i gjësë, u bë. Nëse është miratuar në parim, ky është vazhdim, nuk mund të jetë mosvazhdim. Nëse ka rënë dhe ai votimi në parim, unë po ngrihem e po iki, në kuptimin e mirë të fjalës. Votim në parim dhe deri tek neni 4 janë votuar. Atëherë vazhdojmë. Pse kemi frikë?

Alibeaj: Kalojmë tek pika 3.

Gogu: Nisur nga shqetësimi që u shfaq në mbledhjen e kaluar për të drejtën e opozitës për të kërkuar informacione dhe kërkesat të kalonin pa votim në zbatim të ligjit të komisioneve hetimore dhe kërkesës sonë që plani paraprak i hetimit të miratohet me një vendim të ndërmjetëm të komisionit jemi plotësisht dakord që rregulloret e mëparshme të Kuvendit të cilat e kanë drejtpeshuar këtë mekanizëm hetues të komisionit të vijojmë me shqyrtimin e njërit nga aty dhe megjithëse ju bëtë një gjest kalorësiak ne jemi plotësisht dakord që të marrim në shqyrtim atë rregullore që ka firmosur zoti Spaho.

Alibeaj: Të gjejmë, të qëmtojmë në komisionet e mëparshme aktet me të cilat janë miratuar rregulloret e atyre komisioneve, për të hequr çdo dyshim për futje rregullash rishtas.

Meqenëse tradita hetimore parlamentare është e pasur kemi arritur në një gjuhë të përbashkët që për të paktën dy komisione hetimore të parlamentit, të ngritura në vitin 2016, njëri i drejtuar prej zotit Spaho dhe njëri i drejtuar prej zotit Balla. Të dyja këto rregullore janë të njëjta, deri në germë, deri në presje. Besoj se është e udhës që si set rregullash për rregulloren të marrim njërën prej tyre. Nuk ndryshojnë. Unë e pranoj, kjo është një mënyrë për të vepruar. Biem dakord që njërën prej këtyre rregulloreve, janë identike. Do të administrohen dhe do të zbardhen nga ana e sekretarisë dhe për këtë arsye po sipas procedurës po i ndjekim strikt.

Naço: Konsensusi është në parim, ndërsa nen për nen, do donim një draft në tavolinë. 5 minuta pushim, të na vijë drafti dhe ta shqyrtojmë.

Alibeaj: Ta hedhim në votim në parim?

Gogu: Jemi dakord me propozimin tuaj të votojmë siç e parashikon rregullorja e Kuvendit.

Alibeaj: Ecim me miratimin në parim. Pro të gjithë, kundër asnjë. Mund të ecim nen për nen?

Naço: Kërkojmë 5 minuta pushim.

Salianji: Kjo nuk është një çështje që kalon vetëm mes nesh për cic-mice. Është një diskutim që e ndjekin shqiptarët. Nuk di ndonjë hajdut të pranojë që është i tillë. Hajduti kapet. Përpjekja për të shkuar tek kjo do has në pengesa. Ua ofruam herën e parë propozoni çfarë do doni.

Gogu: Kemi hyrë në një proces votimi dhe çelja e diskutimeve të cilat nuk i shërbejnë procesit, mendoj t’i shtyni në një moment të dytë për shkak se mund ta nxjerrin mbledhjen nga shinat.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb