TIRANË

Kreu i grupit parlamentar të PS Taulant Balla e ka cilësuar raportin e ODIHR për zgjedhjet e 25 prillit, si më pozitivin e dhënë ndonjëherë për zgjedhjet në Shqipëri në këto 30 vite.

Duke folur para votimit të komisionit hetimor për zgjedhjet e 25 prillit të kërkuar nga opozita, Balla tha e vetmja forcë e goditur nga votat e pavlefshme është PS edhe do kishte 78 mandate, jo 74.

“Të biesh dakord është art dhe natyrshëm vendimi i Gjykatës Kushtetuese për komisionet hetimore ka ardhur si nevojë e mosqartësiëë e shprehjes nga ligjvënësi në atë që ka të bëjë me ligjin për komisionet hetimore parlamentare dhe natyrshëm shpesh herë vepron dhe tradita parlamentare e cila ka bërë të mundur të prevalojë nevoja e ngritjes së komisionit hetimor parlamentar. Por ky parlament ka dhe eksperiencë shumë të këqija në ngritjen e komisioneve hetimore.
Në raportin përfundimtar të ODIHR thuhet shumë qartë që në zgjedhjet e 25 prillit zgjedhësit patën mundësi të zgjidhnin mes kandidatëve që bënë fushatë të lirë. Aktorët kryesorë patën besim të mjaftueshëm për të marrë pjesë në zgjedhje. Vlerësimi më pozitiv dhënë ndonjëherë për zgjedhjet në Shqipëri nga ODIHR këto 30 vite. Meritë e padiskutueshme për qytetarët shqiptarë që ushtruan të drejtën e votës. Nëse doni të vazhdojmë me argumentet e ODIHR për sa i takon administrimit të procesi zgjedhor, në raport përshkruhet e gjithë puna e KQZ-së. Ndoshta duhet të biem dakord që mënyra e hartimit të fletës së votimit nuk qe ajo që duhet, fakti që kemi 100 mijë vota të pavlefshme, kryesisht për shkak të ngatërrimit të votës për subjektin me votën për kandidatin. E vetmja forcë e goditur është PS edhe do kishte 78 mandate, jo 74 në rast se me dëshirën e mirë për ta çuar tek 12, çuan votën gabimisht në subjekte të vogla zgjedhore. Do të kishim një mandat më shumë në Elbasan, edhe në Dibër, pse jo dhe në Shkodër, por kjo është një çështje tjetër që natyrshëm është mbyllur. Ajo që na bie mbi supe është çështja që ka të bëjë me adresimin e rekomandimeve të ODIHR. Edhe puna e komisionit hetimor do ketë vlerë të veçantë, rekomandimet për legjislacionin. Le të jetë puna e këtij komisioni një model shumë i mirë, binarët e të cilit të shërbejnë edhe për komisioni ne posaçëm të reformës zgjedhore. Ju PD penguat votën e emigrantëve dhe kërkuat një javë kohë, pastaj 2 javë, pastaj 4 javë kohë për sa i përket aktit që duhet të nxirrte enti rregullator pranë KQZ dhe në fund nuk kthyer fare përgjigje. Të fillojmë punën që sot që në zgjedhjet e prillit 2025 të votojnë dhe emigrantët”, deklaroi Balla.

Fjala e Kryetarit të Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste Taulant Balla në Kuvend lidhur me kërkesën për komisionin e tretë hetimor:
Mazhoranca shprehu vullnetin e plotë për ngritjen e dy komisioneve të tjera dhe parimisht nuk do të kishte asgjë kundër me asnjë lloj komisioni hetimor, i cili do të respektonte parimet kushtetuese, parimet e së drejtës ndërkombëtare dhe nuk do cenonte dhe rrezikonte interesat e Republikës së Shqipërisë.

Secili nga ne, para se t’u shërbejë interesave të partive politike, duhet t’i përmbahet parimeve të mësipërme në formatin e një shtetari të përgjegjshëm që vendos interesat e vendit mbi çdo gjë tjetër.

A u përmbahet kërkesa për ngritjen e këtij komisioni këtyre parimeve?!
Së pari, kërkesa është në shkelje të hapur të së drejtës ndërkombëtare

Arbitrazhi, sipas kuadrit rregullator ndërkombëtar si dhe praktikës tashmë të konsoliduar, konsiderohet si një metodë alternative e zgjidhjes së mosmarrëveshjeve. Në ndryshim nga procesi gjyqësor “klasik” i zgjidhjes së mosmarrëveshjeve, arbitrazhi ka një tipar veçanërisht dallues të mënyrës së zhvillimit të tij, që është konfidencialiteti.

Të gjithë proceset ku është palë Republika e Shqipërisë në juridiksionet ndërkombëtare dhe që kanë lidhje direkte apo indirekte me objektin e kërkesës për hetim, janë konfidenciale dhe, rrjedhimisht nuk mund të bëhen publike të dhënat e rrjedhura, apo prodhuara prej tyre, duke përfshirë por pa u kufizuar, edhe vendimmarrjet përkatëse.

Konfidencialiteti i këtyre proceseve është detyrues bazuar në sa më poshtë:
a. Konventa ndërkombëtare të ratifikuara nga Republika e Shqipërisë;
b. Vendime të trupave ndërkombëtare, gjyqësore apo arbitrazhi (si psh GjEDNj);
c. Dakordësi ndërmjet palëve ndërgjyqëse

Çdo shkelje e konfidencialitetit përfaqëson automatikisht shkelje të së drejtës ndërkombëtare, duke u pasuar në të njëjtën kohë me dëmtim/rrezik të konsiderueshëm financiar ,por jo vetëm, të interesave të Republikës së Shqipërisë si dhe penalizim të profilit publik dhe privat në sferën ndërkombëtare.

Kërkesa e paraqitur nga një grup deputetësh të PD për ngritjen e këtij komisioni hetimor është në shkelje të hapur të konfidencialitetit, pasi i përmbahet dhe citon paragrafe të një vendimi i cili gëzon mbrojtje strikte konfidencialiteti.

Pyetjet që shtrohen këtu janë:
1. “Si dhe kush ia ka vendosur në dispozicion PD-së vendimin në fjalë, duke qenë se ai është konfidencial dhe pjesë të tij citohen në kërkesën për ngritjen e komisionit hetimor, duke respektuar edhe presjen?!

2. A mundet një subjekt politik, i cili funksionin mbi bazë të Kushtetutës dhe të ligjit, të shkelë parimin e konfidencialitetit dhe të vendoset në funksion të interesave të dyshimta që u shërbejnë palëve të interesuara në këto procese?!

3. A është në konflikt interesi, apo duke lobuar PD në funksion të interesave private dhe në kurriz dhe kundër interesave thelbësorë të RSh?!

Pa pasur synimin të ngre asnjë akuzë, mendojmë që në kushtet e një kërkese naive, PD po shkel rëndë parimet e së drejtës ndërkombëtare. Por, që të jemi realistë dhe jo naivë, duke pasur parasysh pasionin e zjarrtë të lidershipit të PD për t’u përfshirë dhe përthithur nga interesa financiare private, mendojmë se jemi para një situate, ku një subjekt politik po shfrytëzohet për t’i shërbyer përfitimeve të paligjshme, në kurriz dhe dëm të interesave të RSH.

Në të dy rastet, ky investim i PD u shërben interesave të palëve të tjera të interesuara, por në asnjë rast interesave të vendit. Në rastin e prezumimit të naivitetit, ku qasja do të ishte jo vetëm në kundërshtim me ligjin por edhe amorale dhe jo etike, deputetët firmëtarë të kërkesës për ngritjen e komisionit, do të duhej të plotësonin deklaratën e konfliktit të interesit, në përputhje me Rregulloren e Kuvendit dhe nenin 13 të Kodit të Etikës, ose të kenë kurajon dhe të deklarohen si lobues apo hallka kontakti midis grupeve lobuese dhe subjekteve private (duke përfshirë por pa u kufizuar, palët e interesuara në proces), në përputhje me nenin 21 të Kodit të Etikës së Deputetit.

Ndërsa në skenarin e dytë, ku subjekti politik vepron me qëllim duke u shërbyer interesave private në dëm të interesave të RSH, mendojmë se shkohet përtej shkeljes të së drejtës ndërkombëtare, moralit dhe etikës, duke u shndërruar katërcipërisht në një qasje kriminale, gjë që do të ishte shumë e rëndë dhe që nuk do e dëshiroja kurrë për opozitën e vendit tim.

Së dyti, kërkesa për ngritjen e Komisionit Hetimor shkel parimet kushtetuese të ndarjes dhe balancimit të pushteteve, shtetit të së drejtës dhe prezumimit të pafajësisë

Jurisprudenca e Gjykatës Kushtetuese ka përcaktuar qartë kuadrin e funksionimit dhe objektin e punës së Komisioneve Hetimore, të cilat në asnjë rast nuk duhet te cedojnë nga zbatimi i parimeve kushtetuese. Kështu në vendimin 18/2003 Gjykata Kushtetuese shprehet, ndër të tjera, se:

1. Komisionet hetimore janë mjet efektiv kontrolli që veprojnë vetëm brenda hapësirës kontrolluese të parlamentit, të cilat ngrihen për çështje të veçantam, të lidhura në mënyrë funksionale me pushtetin e ligjvënësit;

2. Objekti dhe fusha e veprimit të komisioneve hetimore, duhet të respektojë parimet kushtetuese dhe normat e gjithëpranuara të së drejtës ndërkombëtare, duke mos cënuar pavarësinë dhe duke mos penguar veprimtarinë e organeve të pushteteve të tjera;

3. Parimet kushtetuese, veçanërisht, parimi i ndarjes e balancimit ndërmjet pushteteve, i të drejtës për një proces të rregullt ligjor, i prezumimit të pafajësisë, i paanshmërisë, i respektimit të jetës private të individit, përbëjnë standarde kushtetuese mbi të cilat ngrihen dhe funksionojnë komisionet hetimore parlamentare.

Është fakt që në një seri juridiksionesh ndërkombëtare, të huaja por edhe brenda juridiksionit shqiptar ka procese penale dhe civile, që nuk kanë përfunduar ende, dhe ngritja e komisionit hetimor të kërkuar, do të ndikonte konsiderueshëm në [keq]zhvillimin dhe mbarëvajtjen e këtyre proceseve, duke u përdorur, keqpërdorur, nxjerrë nga konteksti etj, me pasoja shumë të dëmshme për RSH.
Përveç procesit penal që është duke u zhvilluar në gjykatë, vetë PD ka investuar SPAK me një kallëzim penal, objekti i të cilit është i njëjtë me objektin e komisionit hetimor të kërkuar, dhe ngritja e këtij të fundit do të shkaktonte jo vetëm ndikim negativ në mbarëvajtjen e proceseve penale brenda vendit, por edhe mbivendosje dhe uzurpim kompetencash kushtetuese.

Duke pasur në vëmendje orientimin e Gjykatës Kushtetuese (V18/2003) se
“{…} një element esencial i ndarjes së pushteteve është pavarësia e gjykatave dhe gjyqtarëve. Ekzistenca e parimeve të tilla nuk pranon mbi veprimtarinë e gjykatave influenca diktuese që mund të vijnë nga pushtete të tjera. {…} Raporti përfundimtar që harton komisioni hetimor, sigurisht që nuk ka efekte detyruese mbi gjykatat, por ndikimi i tij në nivelin politik mund të jetë i konsiderueshëm.

këto parime përjashtojnë çdo formë kontrolli parlamentar mbi aktivitetin juridiksional të gjykatave.

Në përfundim mazhoranca vlerëson se ngritja e këtij komisioni hetimor në këtë moment, shkel jo vetëm parimet kushtetuese dhe ato të së drejtës ndërkombëtare, por edhe dëmton rëndë interesat publikë të RSH.

Secili nga ne duhet të ndjejë përgjegjshmëri atdhetare dhe të mëvetësohet në profilin e një shtetari, duke lënë mënjanë interesa të vogla politike, apo duke u distancuar nga interesa të dyshimta për përfitime personale apo në favor të personave të tretë, dhe duke marrë hapur krahun e shqiptarëve dhe interesave të Shqipërisë, për to mos u dhënë asnjë shkas lindjes së pretendimeve për fatura financiare dhe dëm të autoritetit dhe imazhit të vendit.

Pa pasur aspak frikë nga transparenca dhe me bindjen e plotë për të mbështetur të drejtën e kontrollit parlamentar, le të presim përfundimin e të gjithë këtyre proceseve dhe, më pas, nëse opozita e vlerëson ende të vlefshme, të ulemi dhe të koordinojmë objektin e një komisioni hetimor, sipas përcaktimeve dhe kushtëzimeve të Kushtetutës dhe të ligjit.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb